Kombetarja

Nga Xhaka e Balliu te nevoja për Bajramin, Reja shpjegon zgjedhjet e fundit

Një ditë pasi shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar për tri ndeshjet e shtatorit me Poloninë, Hungarinë dhe San Marinon, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit të Katarit, trajneri Edi Reja ka folur për zgjedhjet që ka bërë. Ai ka vlerësuar formën që po kalon shumica e lojtarëve dhe pastaj me radhë ka komentuar situatën me Xhakën, Balliun dhe Bajramin.

“Kemi një listë prej 30 lojtarësh, por kemi edhe disa lojtarë të dëmtuar, siç janë Dermaku, Veseli dhe Lenjani, të cilët kërkojnë kohë që të rikuperohen dhe të kapin formën optimal. Risia është Balliu, i cili luan në Spanjë me Rajo Valekanon dhe po paraqitet shumë mirë deri tani. Mendova ta kem në listë, por folëm në telefon dhe ai nuk është mirë fizikisht, ka probleme me pubalgjinë dhe një inflamacion. Megjithatë, do të flasim sërish këto ditë dhe do të shohim, nëse mund ta grumbullojmë.

Kombëtarja gjatë një grumbullimi. Gazeta Si, 29 gusht 2021

Lojtar i ri është Muçi, që vjen nga U-21-shi, ndërsa Çepelen e njihni tashmë. Kemi menduar për futur këta të rinj në Kombëtare, siç janë Broja, Çokaj, Muçi, Çepele, që duhen për të ardhmen. Pastaj pjesa tjetër e grupit është solide, janë lojtarët e zakonshëm. Po bën shumë mirë edhe Çekiçi, i cili ka shkuar në Turqi dhe luan bashkë me Cikalleshin. Luajnë të dy titullarë.

Kemi shumë lojtarë që luajnë rregullisht. Më vjen keq për Berishën dhe Strakoshën, të cilët po qëndrojnë në stol. Meritojnë të luajnë, ata stërviten mirë, por nuk kanë reflekset e ndeshjes. Të tjerët po luajnë, Ismajli, Gjimshiti, Hysaj, Doka, Trashi, Mitaj, Roshi. Edhe Kumbulla, që nuk po luan së fundi me Romën, më thotë se ndihet mirë. E njëjta gjë vlen edhe për Baren, Laçin e të tjerët.

Manaj është pjesë e grupit të lojtarëve të Barcelonës. Nuk luan, por në ndeshjet miqësore është paraqitur shumë mirë, do të shohim gjatë përgatitjeve për të vendosur kush luan”, – është shprehur trajneri Reja.

Italiani ka komentuar edhe çështjen e Taulant Xhakës, i cili nuk ka pranuar të grumbullohet: “Xhaka vjen pas një dëmtimi, ka qenë jashtë 6 muaj dhe tani ka nisur të luajë. Ka luajtur 75 minuta, por edhe ndeshje të plota. Ai thotë se ka ende probleme me gjurin dhe nuk është në gjendjen e duhur. Edhe me të e kemi lënë që të flasin nesër (të hënën), për të parë, nëse mund ta grumbullojmë apo jo. Uroj të shërohet sa më parë dhe të jetë i vlefshëm për Shqipërinë”.

Pastaj një koment edhe për situatën e Nedim Bjramit që po shkëlqen me Empolin. “Ju e dini që ka pasur një takim, një seancë gjyqësore për mundësinë që ai të luajë për Shqipërinë. Kam folur me lojtarin dhe babain e tij, do të luajë vetëm për Shqipërinë, por është ky ngërçi ligjor. Uroj të kemi përgjigje pozitive deri të martën. Është lojtari që mund të na japë diçka më shumë në mesfushë, di të driblojë, e jeh portën dhe bën pasime filtruese, do të jetë një vlerë e shtuar në skuadër”, – ka thënë Reja.

Trajneri është i bindur për forcën e grupit: “Kam shumë besim te ky grup, jemi solidë. Nuk është e lehtë të luash çdo tri ditë, por kjo vlen edhe për kundërshtarët. Do të përpiqemi të korrigjojmë diçka që të jemi më kompetitivë. Hungaria dhe Polonia janë përpara në cilësi, por edhe ne nuk jemi më pak. Kam shumë besim se kjo skuadër do të na falë kënaqësi. Këta 27 lojtarë që kam grumbulluar, janë zgjedhja më e mirë që ofron Shqipëria”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë