Analize

Nga vendet e BE, vetëm Bullgaria pranon shqiptarët e vaksinuar. Pritet të vendosë edhe Kroacia

Nga Xhuliana Toci– Ndërkohë që Europa përgatitet për nisjen e sezonit turistik, Greqia, Gjermania dhe pesë vende të tjera të BE-së kanë miratuar së fundmi certifikatën europiane të vaksinimit, duke përcaktuar mes të tjerash edhe nëse do të pranojnë apo turistët e vaksinuar apo do të vazhdojnë të mbajnë kufijtë e mbyllur. Bashkimi Europian ka përcaktuar se pranimi ose jo i turistëve të vaksinuar me vaksinat kineze ose atë ruse do të lihet në dorën e vendeve anëtare, duke e lënë kështu topin në portën e shteteve të unionit. Megjithatë, deri më tani, shanset e shqiptarëve për të udhëtuar dhe pushuar këtë verë në Europë janë të pakëta.

Pas Greqisë dhe Gjermanisë, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Kroacia dhe Polonia nxorën po ashtu në përdorim këto certifikata për t’u mundësuar qytetarëve të tyre të lëvizin lirshëm brenda BE-së. Por përveç Bullgarisë, asnjë prej këtyre vendeve nuk ka sinjalizuar deri më tani se do të pranojë turistët e vaksinuar me vaksinat kineze dhe ruse, duke i lënë kufijtë për shqiptarët të mbyllur prej më shumë se një viti. 

Në një përgjigje për Gazetasi.al, Ambasada Bullgare në Tiranë thotë se Sofja zyrtare është tanimë gati të pranojë turistët shqiptarë, të cilët duhet të vërtetojnë se janë vaksinuar ose nuk janë aktualisht të infektuar. Ambasada thekson se Bullgaria ka vendosur të njohë të gjitha vaksinat, duke pranuar edhe turistët e vaksinuar me dozat ruse dhe kineze.

“Më 1 maj 2021, Bullgaria hapi sezonin turistik veror 2021 dhe është gati të presë turistë që duhet të paraqesin dokumente, duke zgjedhur njërin prej varianteve alternative në vijim: dokumente që vërtetojnë se janë vaksinuar me dy doza sipas rekomandimeve të Pfizer-Biontech, AstraZenecas, Modernas, Janssen, Sinopharm, Sinovac dhe Sputnik V. Për të hyrë në territorin e Bullgarisë duhet të kenë kaluar dy javë pas marrjes së dozës së fundit të vaksinës. Dokumenti duhet të përmbajë emrat e personit të shkruar me shkronja latine në përputhje me dokumentin e identitetit me të cilin ai udhëton, datën e lindjes, datat në të cilat janë marrë dozat përkatëse të vaksinës, emrin e saj dhe numrin e serisë të vaksinës kundër COVID-19, emrin e prodhuesit/mbajtësit të autorizimit për tregti, shtetin në të cilin është lëshuar dokumenti dhe emrin e autoritetit që e ka lëshuar”, thekson ambasada bullgare për Gazetasi.al.

Sofia

Po ashtu turistët mund të hyjnë në Bullgari me një tampon negativ, ose me një test serilogjik që vërteton se kane fituar imunitet kundër Covid-19. E gatshme për pranimin e qytetarëve nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor është po ashtu edhe Kroacia, e cila pritet të miratojë së shpejti certifikatën europiane të vaksinimit duke miratuar edhe njohjen e vaksinën kineze dhe ruse.

Shqipëria e filloi vaksinimin masiv më 25 mars me vaksinën kineze Sinovac dhe numëron deri me tani mbi 250 mijë qytetarë të vaksinuar me këtë vaksinë. Një sinjal pozitiv për mundësinë e lëvizjes së lirë këtë verë ka ardhur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka miratuar vaksinën e Sinovac për përdorim. Ky vendim mund të nxisë një sërë vendesh anëtare që ashtu si Bullgaria, të pranojnë turistët e vaksinuar më këtë vaksinë, pasi disa prej shteteve të BE-së po konsiderojnë njohjen e vaksinës tjetër kineze, Sinophharm, pasi kjo e fundit mori miratimin e OBSH.

Gazetasi.al u interesua po ashtu pranë ambasadës austriake në vendin tonë, një destinacion kyc për Ballkanin, e cila thekson se pavarësisht se Shqipëria nuk është në listën e vendeve me një numër të lartë rastesh, turistët shqiptarë nuk mund të udhëtojnë për momentin drejt Austrisë.

Ambasada thotë në një përgjigje për Gazetasi.al se hyrja  e qytetarëve shqiptarë aktualisht është e kufizuar vetëm për kategori të caktuara personash dhe për udhëtime thelbësore. Austria ka vendosur të njohë vaksinën Sinopharm pak pas marrjes së dritës jeshile nga OBSH-ja, por nuk njeh ende  vaksinën Sinovac.

“Bazuar në  Aktin Normativ mbi Hyrjen aktualisht në Austri  njihen vaksinat e mëposhtme: BioNtech/Pfizer, AstraZeneca, Johnson & Johnson, Moderna, Sinopharm. Aktualisht nuk mund të  japim një  përgjigje të saktë serioze, se kur mund të pritet një hapje e plotë e kufirit, ashtu sic ishte në kohën para pandemisë”, thotë ambasada austriake.

Shqipëria gjendet tanimë në zonën jeshile përsa i përket numrit të rasteve për banorë, dhe i plotëson të gjitha kushtet që  turistët të mund të hyjnë në unionin europian, por për momentin qytetarët e vendit tonë nuk mund të shkojnë as në vendet fqinje si Italia dhe Greqia.

Greqia ishte e para që miratoi certifikatën e vaksinimit, por ka përcaktuar se deri më tani kufijtë do të hapen për vendet anëtare, turistët nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Izraeli dhe Serbia.

Burimet i thonë Gazetasi.al se vendi fqinj po konsideron hapjen e kufijve për Shqipërinë më 15 qershor, por deri e tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Kufijtë e Greqisë pritet të hapen posaçërisht për qytetarët nga Ballkani, të cilët nuk mund të hyjnë prej më shumë se një viti.

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias u takua të martën me ambasadoren shqiptare në Athinë Luela Hajdaraga. Takimi u përqendrua në fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe lehtësimi i lëvizjes në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, por as nga pala shqiptare dhe as nga ajo greke nuk ka deri më tani një datë zyrtare.  

Italia nga ana tjetër planifikon të rihapë kufijtë e saj në 3 qershor për qytetarët e BE-së, Britanisë dhe Zonës Shengen, por nuk ka ende një vendim për hapjen e kufijve me vendet e Ballkanit.

Unioni mbylli një vit më parë kufijtë e jashtëm me arsyetimin se vendet e Ballkanit kishin në atë kohë nivele të larta infektimi. Por një vit më vonë Shqipëria është vendi më nivelin më të ulët të infeksioneve në Ballkanin Perëndimor dhe është hequr nga lista e zonës së kuqe. Bashkimi Europian ka vendosur kushtin që lëvizja e lirë nuk mund të garantohet për asnjë vend të tretë që ka më shumë se 25 raste për 100 mijë banorë. Megjithatë, për dy javët e fundit vendi ynë ka vetëm 12 raste për 100 mijë banorë.

Shpresat janë që disa nga vendet e BE-së të vendosin të hapin dyert në qershor edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i lejuar të udhëtojnë edhe për turizëm,  për aq kohë sa mbajnë një certifikatë vaksinimi. Megjithatë, pjesa më e madhe e vendeve të Europës Perëndimorë janë deri më tani kundër pranimin të qytetarëve të vaksinuar me vaksinat kineze ose ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë