Nga Gazeta ‘SI’ – Një njoftim i dërguar 24 orë më parë nga Ambasada Amerikane në Shqipëri preku të gjithë kupolën e qeverisë.
Duke cituar se presidenti Donald Trump ka ndërprerë fondet për Shqipërinë, Ambasada listoi institucionet shqiptare që do të prekeshin nga ky vendim dhe përjashtim nuk bënte asnjëra. Organizata të shoqërisë civile dhe programe suporti për të rinjtë u prekën gjithashtu.
Gazetasi.al përpunoi të dhënat zyrtare nga agjencia amerikane për ndihmën e huaj dhe rezultoi se gjatë mandatit të Joe Biden, pra 2020-2024, Shqipëria ka përfituar rreth 170 milionë dollarë nga SHBA, nga 175 mln të planifikuara.
Paqja dhe siguria ka qenë objektivi më i financuar nga Amerika, me më shumë se 85 milionë dollarë në 4 vite.
36 milionë dollarë janë disbursuar për qeverisjen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa 27 milionë të tjera për programe mbështetëse.
Në 4 vite, SHBA i ka dhënë Shqipërisë rreth 7.3 mln dollarë për fushën e shëndetësisë dhe 3.6 mln për zhvillimin ekonomik.





Sipas viteve, SHBA ka targetuar fusha të ndryshme në Shqipëri. Forcat e armatosura, programi i raportimit investigativ, mbarëvajtjen e proceseve dhe shërbimeve, shëndetësia, siguria kibernetike janë aktivitetet që kanë marrë më shumë grante nga qeveria amerikane, të paktën për periudhën 2020-2024.
Konkretisht, nga 2020-a në 2024-n, fondet për ushtrinë kalojnë shifrën e 81 milionë dollarëve. 14.1 milionë janë dhënë në kuadër të programeve për mbarëvajtjen e proceseve administrative të shërbimeve. Me anë të programeve për raportimin investigativ, SHBA ka disbursuar në Shqipëri 9 milionë dollarë. Miliona dollarë financime kanë shkuar edhe për drejtësinë e luftën kundër drogës.


Referuar shifrave të financimit, në vitin 2024, Shqipëria u rendit i 11-të nga 28 shtete të rajonit, ndërsa në 2023-shin, Shqipëria ishte në vendin e 10-të, me një mbështetje financiare më të madhe. Shuma më e madhe u disbursua gjatë pandemisë, 2020, kur Shqipëria përfitoi nga SHBA mbi 52 milionë dollarë.

Në njoftimin e Ambasadës thuhej se fondet do të mbeten të bllokuara, deri në një njoftim të dytë. Më shumë se 60 miliardë dollarë ndihmë ndërkombëtare janë ndërprerë nga vendimi i fundit i Trump.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.