Nga Megi Iskurti - Prej disa vitesh agroturizmi në Shqipëri po i jep një prekje moderne traditës, duke e bërë fshatin sërish të modës tek u jep njerëzve një panoramë të plotë të kulinarisë e të mikpritjes, aty ku çdo hallkë përbërëse ka një simbolikë por ku në thelb, mbetet gjithmonë identiteti.
Sezoni turistik që po lëmë pas duket se ka dëshmuar një rritje të madhe të numrit të njerëzve që kanë lënë mënjanë bregdetin dhe kanë zgjedhur të pushojnë në fermat agroturistike, shpesh edhe në krahina të largëta të Shqipërisë, aty ku ndonjëherë rruga e rehabilituar me cakull mjafton për të të futur në atmosferën e fshatit.
Duke nisur nga veriu për të vijuar më tej drejt jugut, "Bujtina e Jufkave" , një subjekt agroturistik i ndërtuar sëfundmi në një kodër të butë buzë rrugës në Dibër, tregon dëshirën e njerëzve për t’u rikthyer tek tradicionalja, aty ku lidhja me të kaluarën dhe kujtimet është shpesh e pashmangshme.
"Kur vija vizitoja gjithmonë vetëm bregdetin pasi ai është promovuar më shumë në Shqipëri. Këtë vit isha e lodhur nga festat e çmendura dhe jeta në plazh,doja vetëm të vizitoja fermat agroturistike.
Të shijoja ajrin e pastër dhe ushqimin tradicional, larg luksit të tepruar të Instagramit."-tregon për Gazetasi.al Manjola Shehu, një shqiptare që jeton prej disa vitesh në Belgjikë.
"Këtu më bëri përshtypje çdo gjë, ushqimi por dhe mënyra se si është arreduar. Dhomat përshembull kanë një emër specifik, unë po fle tek 'Dhoma e kumbullës', ky është një detaj që më zhvendos menjëherë tek tradicionalja, tek gjërat e thjeshta por të dashurueshme."-tregon ajo për Gazetasi.al
Agroturizmi në Shqipëri po u jep zë edhe fshatrave ku historia evokon dhimbjet e një të kaluare në diktaturë, atyre ku turistët rrallë shkelnin.
Fshati Fishtë i gjendur në zemër të Zadrimës, dikur njihej si një nga vendet ku burgoseshin dhe torturoheshin ata që guxonin të kundërshtonin sistemin në Shqipëri, ndërsa tani është kthyer mbase në destinacionin më të rëndësishëm të agroturizmit shqiptar.
Altin Prenga ishte i pari që zgjodhi të investonte në këtë zonë, aty pranë vendit ku dikur ishte burgu, për të pranëvënë dy botë paralele.
"Mrizi i Zanave", me emrin që të katapulton natyrshëm në veprat e Gjergj Fishtës i cili ka lindur pikërisht këtu, i dha jetë dhe risi këtij fshati të vogël që ndodhet veç 17 km larg Lezhës.
Altini rrëfen per Gazetasi.al që ideja e tij ishte e qartë që në fillim, të ndërtonte një subjekt agroturistik për njerëzit që janë të lodhur nga jeta e luksit dhe duan t’i rikthehen sërish për disa momente fshatit e gastronomisë tradicionale.
Ndryshe nga viti 2010 kur restoranti ishte në fillime dhe në sytë e njerëzve dukej se ai po bënte "donkishotizëm", tani Mrizi i Zanave gëlon nga njerëzit, në çdo stinë.
Edhe këtë sezon turistik pati një fluks të lartë të njerëzve që u rikthyen tek tradicionalja, rezervuan ditë më parë për të ngrënë një drekë, për të prekur nga afër traditën dhe bukuritë e natyrës aty ku kuzhina dhe gatimi, ndjekin plotësisht ciklin e natyrshëm të produkteve, në respekt të tokës, por edhe njeriut.
Falë Mrizit të Zanave, Fishta nuk ngjason shumë me fshatrat e tjerë ku beteja e përditshme është për ujin, energjinë elektrike e ku emigrimi është i përhershëm e masiv.
Në këtë fshat familjet janë angazhuar duke i shërbyer tokës për të nxjerrë prodhimet që i vënë në dispozicion të biznesit, duke krijuar një zinxhir pune ku të gjithë po rriten sëbashku.
"Klientela në fermat agroturistike po rritet gjithnjë e më shumë. Njerëzit po e kuptojnë çdo ditë që realiteti tani shpesh të lodh dhe një shkëputje drejt gjërave të thjeshta është shpesh ajo që kemi nevojë.
Është rritur shumë numri i njerëzve që vizitojnë fermat agroturistike dhe e duan agroturizmin.
Njerëzit janë lodhur nga restorantet e shtrenjta të luksit" rrëfen Fundim Gjepali, shefi i "Agroturizëm Gjepali" i cili është certifikuar në vitin 2018 dhe është ngjizur nga dashuria për agrikulturën e recetat ndër dekada, një traditë gjashtë gjenerata e lashtë në këtë familje.
Fushat e kësaj zone janë ndër më pjelloret në vend, të ushqyera ndër shekuj nga lumi i Erzenit. Ndërsa në faqet e kodrave arrin të dallosh vreshtat e mbjella, kryesisht me varietetin autokton të Sheshit.
Këtë sezon turistik klientët kanë qenë dukshëm më të shumtë në numër, duke organizuar aty dhe evente familjare falë ambienteve të shumta në natyrë.
"Shumë njerëz tashmë po organizojnë dhe ditëlindjet këtu dhe të gjithë kanë tendencën për të zgjedhur ushqimet tradicionale. Duket se njerëzit kanë nisur që të kthehen sërish tek traditat.
Çdo ditë e më shumë ne po organizojmë festa dhe evente në pika agroturistike ndryshe nga disa vite më parë, dhe mendoj që nuk është një trend, është thjesht një dëshirë që njerëzit po e rigjejnë brenda vetes.”-thotë për Gazetasi.al menaxherja e organizimit nga "Sarah Event."
Fatmirësisht, agroturizmet nuk e shohin të lidhur aktivitetin e tyre vetëm me verën.
Ndaj frekuentimi përtej stinës së nxehtë, në vjeshtë apo në dimër tregon fort të gjithë vëmendjen dhe kureshtjen që u ka nxitur ai qytetarëve.
Natyra duket se u bë kura e shqiptarëve që verën e kaluar kur pas muajve të izolimit edhe rrjetet sociale u mbushën me "bloger" që postonin foto nga çdo cep i Shqipërisë.
Njerëzit po i rikthehen sërish fshatit, qoftë vetëm për një fundjavë, aty ku jeta e thjeshtë, produktet e freskëta dhe ushqimi bio, janë gjëra të vogla që i përngjajnë dashurisë...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.