Politike

Mesazhet e Ramës; Nga të pakënaqurit, te SPAK e “dhëmballa” e prishur e PD e konfirmimi i Spiropalit e Ballës

Nga mesazhet për të pakënaqurit që s’u zgjodhën më në parlament, apo ata që nuk do të jenë në qeveri, të reforma në drejtësi, korrupsioni, tenderat e opozita. Edi Rama i ceku të gjitha temat në fjalimin prej më shumë se 40 minutash para deputetëve e ministrave aktualë dhe deputetëve e ministrave potencialë të mandatit të tretë.

Pasi i falenderoi për unitetin e treguar në mandatin e dytë, mes krizave si tërmeti, pandemia e bojkoti i opozitës, Rama u tha se ata do të vijojnë të jenë pjesë e ndryshimit ose në Qeveri, ose në Parlament, ose në parti.

Në lidhje me korrupsionin dhe tenderat, për të cilat SPAK ka nisur hetimet për disa dosje të bujshme, madje edhe ka prangosur zyrtarë të vendorë e të qeverisë, si rasti i Fatos Tushës në Lushnje dhe arrestimet për tenderin e uniformave të policisë, ai përsëriti mesazhin se PS nuk mund të mbajë përgjegjësinë e veprimeve individuale të tyre.

“Duhet të jetë e qartë për të gjithë anëtarësinë, por edhe për të gjithë ata që na kanë zgjedhur apo jo, se kushdo që e ka në ballë PS, ekspozohet para drejtësisë si përfitues, faji është i tij, por turpi është i gjithëve ne nëse nuk vendosim vijën e kuqe duke mos harruar për asnjë çast dhe duke bërë me dije menjëherë kur është nevoja se kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha, as mburoja e askujt. Kjo familje nuk mban përgjegjësi pse një individ shkel mbi flamurin e saj, por mban përgjegjësi për sa drejt reagon ndaj individit në fjalë duke u distancuar prej aktit të tij dhe atij vetë kur në mes hyn vetë drejtësia”, tha ai.

Këtu, Kryeministri paralajmëroi ndërmarrjen e një nisme ligjore në Kuvendin e ri, që sipas atyre pak detajeve që zbuloi në fjalim synon që të luftojë korrupsionin në administratë.

“Mandati i tretë do të jetë fazë përcaktuese për zhvillimin e vendit. Nuk do presim që SPAK të merret me çdo gjë, por të jemi hulumtues faktesh e provash duke i veshur një armaturë edhe me ligj të veçantë platformës bashkë qeverisëse dhe të ndërveprimit digjital brenda sistemit të institucioneve, agjencive dhe drejtorive të ekzekutivit, ne mund të nxjerrim në pah dhe në kohë reale të gjitha pikat ku ngecin, bllokohen”, vijoi Rama.

Duke u ndalur të opozita, Partinë Demokratike e cilësoi të pavotueshme, përsa kohë siç tha ka një dhëmballë të prishur që e shpërfytyron. Dhëmballa e prishur, sipas tij, është Sali Berisha dhe Lulzim Bashën e shënjestroi si të paaftë për ta shkulur këtë dhëmballë.

”PD do të vijë me dhëmballë të prishur, as nuk ka kurajo ta shkulë, as vullnet ta shqetësojë. Nuk është arsye për tu marrë me dhëmballën e saj, as për të gëzuar për shpërfytyrimin e PD. Sa kohë dhëmballa do të jetë aty, fytyra e PD do të jetë e pavotueshme. Ne nuk e kemi pasur prej kohësh, edhe pse kemi lënë përshtypje, nuk duhet të kemi në fokus luftën me PD”, u shpreh ai.

Megjithatë, në mandatin e tretë tha se duhen shmangur përplasjet me opozitën.

“Nuk do të vlerësohemi për çfarë thamë e çfarë i bëmë PD-së, do të gjykohemi për sa më lart do ta ngjisim Shqipërinë. Luftën tonë ne e kemi me problemet e vendit dhe hallet e shqiptarëve, me opozitën kemi betejën politike, patjetër do e bëjmë, por me një qasje e cilësi të ri”, u shpreh Rama.

Në fund, Rama konfirmoi në detyrat që mbajnë aktualisht vetëm dy emra nga socialistët. Elisa Spiropali u vlerësua për rolin e saj në përfaqësimin e qeverisë në debatet parlamentare, sipas tij, ndërsa Taulant Balla në rolin e kreut të grupit parlamentar.

“Sot është dita për të falenderuar të gjithë deputetet dhe deputetët, anëtarët e kryesisë së Grupit Parlamentar, drejtuesin Taulant Balla dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropalin. Taulanti ka drejtuar grupin me këmbëngulje të spikatur dhe Elisa ka qenë e përkushtuar duke përfaqësuar qeverinë me aftësi në debate parlamentare. Të dy kanë konfirmimin e tyre në detyrë në mandatin e tretë për ta çuar në një nivel tjetër performancën e PS-së në qeverisje”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë