Gazeta Si – Është pagëzuar ‘muri i kampionëve’: bëhet fjalë për një pjesë të cirkuitit të Kanadasë, ku do të zhvillohet gara e radhës në Formula 1. Ajo është pjesa e murit që rrethon pistën e Montrealit në dalje të kthesës së fundit. Gjatë kohës ka pasur ‘vizita’ nga emra të mëdhenj pilotësh.
Çdo cirkuit ka një kthesë të famshme për parakalime apo incidente. Në rastin e atij të Montrealit është bërë i famshëm i ashtuquajturi ‘muri i kampionëve’. Është ajo pjesa mbrojtëse e përshtatur në dalje të ‘chicane’-s të fundit, ku janë përplasur shumë pilotë ekspertë, që nga Mikael Shumaker dhe Zhak Vilnëv e deri te Sebastian Fetel.

Zhak Vilnëv ka përjetuar gjithmonë emocione të mëdha në garën e Kanadasë, si nga atmosfera shtëpiake, ashtu edhe nga vullneti për të bërë më të mirën në pistën që mban emrin e babait të tij Zhil. Megjithatë, dy herë ka përfunduar në ‘murin e kampionëve’. Herën e parë në 1997-ën, në timonin e Uilliams-Reno, kur ndjekja e tij ndaj liderit Mikael Shumaker zgjati më pak se dy xhiro. Përplasja e dytë në edicionin 1999, në xhiron e 44-t, teksa përpiqej të çonte sa më lart Bar-in e tij.
As Mikael Shumaker nuk ka mundur t’i shpëtojë mallkimit të murit të Montrealit. Gjermani u përplas me Ferrarin e tij në xhiron e 29-të në vitin 1999. Makina doli jashtë trajektores dhe goditi murin me pjesën e jashtme. Një gabim nga dëshira për t’u distancuar nga rivali i madh Mika Hakinen. Në fund të garës Shumaker mori përgjegjësitë: “Ishte qartë një gabimi im, humba drejtimin dhe godita murin”.

Kurthi i ‘murit të kampionëve’ nuk ka kursyer as Demon Hill. Mbreti i F.1 në 1996-ën u përplas me këtë mur 3 vjet më pas në Kanada. Fatal një gabim në xhiron e 14-të, duke dashur të rikuperonte me Jordan-in e tij. Edhe Hill pranoi fajin: “Humba kontrollin dhe u përplasa. Nuk ka asgjë për të shtuar”.
Në 2005-ën ‘muri i kampionëve’ goditi sërish. Këtë herë ‘viktimë’ ishte Xhenson Baton. Piloti britanik nuk manovroi si duhet dhe goditi murin në xhiron e 46-të. Në atë rast Baton veniti ‘pole position’-in në timonin e Bar-Honda.
Mes viktimave të famshme të ‘murit të kampionëve’ është edhe Sebastian Fetel, në vitin 2011. Një linjë trajektoreje joperfekte dhe një shtim shpejtësie shumë agresiv bënë që Red Bull-i i tij të shkatërronte pjesën e djathtë. Goditja për fat ndodhi gjatë provave të lira dhe nuk kushtëzoi fundjavën e pilotit gjerman.

Maks Vershtapen bën pjesë gjithashtu në listën e atyre që e kanë goditur ‘murin e kampionëve’ në Montreal. Holandesi u përplas në provat e lira në 2019-ën, për shkak të një daljeje nga kthesa jo shumë të kontrolluar. Edhe pse pa dëme të mëdha, Vershtapen kuptoi se kishte probleme dhe uli shpejtësinë, duke iu drejtuar bokseve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



