Qeveria e Kosovës ka njoftuar sot se shtetasit e Shqipërisë mund të punojnë në Kosovë lirshëm dhe pa pengesa burokratike. Po ashtu edhe procedurat e lejes së qëndrimit për kategoritë e caktuara do të liberalizohen.
Marrëveshja ishte nënshkruar qysh më 2 tetor të vitit të kaluar gjatë mbledhjes së gjashtë e dy qeverive në Tiranë në përpjekje për të thelluar bashkëpunimin. Qeveritë patën premtuar heqjen e barrierave kufitare për tregtinë dhe për këtë nënshkruan 13 marrëveshje, memorandume e protokolle, mes tyre edhe atë të mobilitetit në punë, që mundëson lëvizjen e lirë të punonjësve dhe rritjen e përfitimeve për qytetarët.
Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin Punues ndërministror për bashkërendimin e punëve për zbatimin e marrëveshjes “Për Mobilitetin në Punë” e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar se zbatimi i kësaj marrëveshje garanton se shtetasit e Shqipërisë do të mund të punojnë në Kosovë lirshëm dhe pa pengesa burokratike.
Ai tha se, edhe procedurat e leje qëndrimit për kategoritë e caktuara do të liberalizohen.
“Sot në mbledhjen e Qeverisë kemi themeluar Grupin Punues ndërministror për bashkërendimin e punëve për zbatimin e marrëveshjes “Për Mobilitetin në Punë” e nënshkruar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja është bazuar edhe në reciprocitet, meqenëse shtetasit e Kosovës i gëzojnë këto të drejta në Shqipëri”.
Lajmi është konfirmuar në një postim në Facebook edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“ Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje garanton se shtetasit e Shqipërisë lirshëm dhe pa pengesa burokratike do të mund të punojnë në Kosovë, e po ashtu se procedurat e leje qëndrimit për kategoritë e caktuara do të liberalizohen. Kosovarët tashmë gëzojnë këto të drejta në Shqipëri”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




