Ka ndodhur

Nga Shqipëria në Itali për të vjedhur, kapet banda e hajdutëve në qendrat tregtare. Mes tyre dhe femra

Dy gra dhe tre burra, të gjithë me kombësi shqiptare, u arrestuan pasi akuzohen si përgjegjës për dhjetëra vjedhje në qendrat tregtare në të gjithë Italinë.

Banda vinte here pas here nga Shqipëria, merrte makina me qira, kryente një sërë vjedhjesh dhe më pas kthehej në vendlindje. Sipas mediave italiane, malli i sekuestruar varion për një vlerë rreth 8 mijë euro.

Policia po vijon hetimet për identifikimin e kanaleve të vjedhjes së mallit që mund të kishte destinacion vendet jashtë Italisë.

Të pestë shqiptarët, u arrestuan në flagrancë në qendrën tregtare “l’Adriatico 2” në Portogruaro pikërisht gjatë një vjedhjeje.

Hetimet nisën në muajin shtator, pas denoncimit të avokatit të rrjetit të kompanisë së veshjeve të njohura, “H&M” për një seri vjedhjesh të veshjeve në pikën e shitjes gjatë orarit të punës së qendrës tregtare në Gran Fiume (Pordenone).

Prokuroria Publike e Pordenones, pas një hetimi të gjerë, ka kryer edhe analiza të përgjimeve telefonike, që identifikuan bandën e shqiptarëve, si “grup kriminal”.

Vetëm midis shtatorit dhe dhjetorit dhe vetëm në rajonin e Friuli Venezia Giulia e Veneto, banda do të kishte kryer të paktën 14 vjedhje.

Sipas asaj që cituan burime nga policia e Pordenones, dy femrat hynin në dyqane dhe pasi i kishin hequr rrobat nga varëset, i fshihnin mes rafteve ku i merrnin dy burra, duke i fshehur në karrocat e pazarit të pajisur me anti-alarm për vjedhjet.

Anëtari i pestë i bandës, shërbente si mbështetje nga jashtë. Mediat italiane raportojnë se grupi i shqiptarëve kryente disa vjedhje brenda një dite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë