Politike

Nga shitja e arit te koncesionet, Kuvendi do rrëzojë në bllok 8 dekretet e Metës

Parlamenti do t’i rrëzojë në bllok tetë dekretet e presidentit Ilir Meta, ligje të ndryshme dhe propozime për emërim drejtuesish në institucionet kushtetuese. Pas thirrjes për të dëshmuar në komisionin hetimor të presidentit Meta, mazhoranca ka renditur në bllok të gjitha dekretet për t’i rrëzuar, duke i cilësuar si jo të drejta kërkesat për rishikimin e ligjeve.
I pari dekret në rendin e ditës të enjten është ai “Për rezervat materiale të shtetit”, në këtë parashikohet që mallrat e kategorisë A të nxirren për shitje vetëm me urdhër të kryeministrit, e jo më sipas praktikës me vendim qeverie. Në këtë kategori përfshihen prodhime ari, argjendi, platini që mund të shitet vetëm me firmën e kryeministrit Rama.
Këto ndryshime presidenti Meta ka kërkuar që Parlamenti t’i rishikojë me argumentin se “dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimmarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet”. Por dekretet që kanë shkaktuar më tepër debat janë edhe ato të dhënies me koncesion të dy rrugëve të Milot-Balldren gjithsej 17,263 km rrugë me vlerën 213,665,040 euro dhe “Porti i jahteve - By-Pass Orikum – Dukat me 14,7 km me vlerën 67 359 926 euro plus TVSH-ne.
Të dy dekretet në vlerën e 280 milionë eurove janë rrëzuar nga ana e presidentit dhe janë kthyer për rishqyrtim në Parlament, pasi ka rezultuar shkelje që me mos pasjen e projekti apo dhe planifikimin në buxhet e shtetit të këtij koncesioni, apo dhe vlera e kontaktuar është me lartë se kostoja e projektit.
Dekretet e tjera të kthyera kanë të bëjnë “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”; “Për vetëqeverisjen vendore”;
“Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar” dhe si për ironi ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” që parashikon ndalimin e dhënies së koncesioneve apo dhe PPP-ve.

Presidentit Meta do t’i rrëzohet nga mazhoranca edhe propozimi i tretë për caktimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të kandidaturës së Petraq Milos. Argumenti i rrëzimit është se Milo cilësohet nga mazhoranca si politik dhe se nuk i plotëson kriteret. Milo ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së në një kohë që ishte edhe anëtar i Këshillit të Bankës së Shqipërisë.
Mazhoranca i ka rrëzuar më parë edhe emrat e Vitore Tushës dhe të Bahri Shaqirit si kandidatura të Metës për kreun e KLSH-së, duke i cilësuar si politike, por që kanë qenë të ndikuar nga lufta politike mes dy institucioneve presidentit dhe mazhorancës.
Të gjitha dekretet e Metës të kthyera janë pikërisht në këtë sesion kuvendor ku lufta mes tyre arritur kulmi pas vendimit për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit, pas dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Për kthimin e ligjeve ka pasur edhe një debat për faktin se pse Meta nuk i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Këshilltar ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj nuk e ka përjashtuar këtë mundësi që presidenti t’i drejtohet Kushtetueses, duke theksuar se është brenda afatit të paktën për këto 7 ligje që janë kthyer. Deri më tani presidenti ka dërguar në Kushtetuese vetëm ligjin që parashikon prishjen dhe ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Dekretet e Metës për Parlamentin

“Për rezervat materiale të shtetit”

“Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”.

“Për vetëqeverisjen vendore”

“Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar”

“Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar””

“Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, shpk, si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum - Llogara”, shpk, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve - By-Pass Orikum - Dukat (ura e Shën Elizës)”

“Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, shpk, si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, shpk, si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren”

“Për propozimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë