Ana e errët

Nga rrëmbimi, celulari i viktimës, te taksisti dhe roli i vëllait të autorit. Si u zbulua vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha

Hetimet për ekzekutimin e biznesmenit Ruzhdi Hoxha kanë arritur thuajse në fazat e fundit, ku dy vëllezërit Fredi dhe Pajtim Rrushi, del e janë autorët e dyshuar të krimit.

Falë disa detajeve dhe zbulimeve të rëndësishme, duket se grupi hetimor ka prova të pakundërshtueshme ndaj dy vëllezërve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, akuzohen se kanë ekzekutuar me 2 plumba Hoxhën dhe mbuluar më pas me zhavorr trupin e pajetë në malet e Qafë Mollës në Dajt, rreth dy javë pasi ishte denoncuar i zhdukur nga familja.

Rrëmbimi dhe vrasja

Pasditen e 20 tetorit, Fredi Rrushi ka telefonuar mikun e tij Ruzhdi Hoxha 4 herë, por ky i fundit nuk iu përgjigj. Më pas, ai telefonoi një prej personave që ndodhej në tavolinë me Hoxhën dhe kontaktoi me të. Në orën 23:00 dyshohet se Rrushi e mori në makinë viktimën, ku ishin edhe dy persona të tjerë, të cilët zbritën nga mjeti, ndërsa autori dhe viktima vazhduan rrugën drejt Dajtit, aty ku ai e dhunoi, qëlloi dhe hodhi në greminë mikun e tij.

Celulari i viktimës dhe taksisti

Pas krimit të rëndë, autori i dyshuar zbriti nga Qafa e Mollës në orën 03:00 të mëngjesit dhe rrugës hodhi edhe telefonin e viktimës, pranë zonës së Shkollës së Bashkuar. Celulari i viktimës është gjetur nga një taksist, i cili e ka shitur në një pikë servisi celularësh aparatin. Pronari i dyqanit e ka ndezur dhe e ka përdorur për ta rishitur të riparuar.

Mirëpo telefoni është gjurmuar nga policia, duke shkuar fillimisht tek vendi ku gjendej dhe më pas tek taksisti që e gjeti atë. Ky i fundit ka treguar se telefonin e kishte gjetur në rrugë dhe e kishte shituar për 10 mijë lekë të vjetra, pasi nuk punonte plotësisht. Dëshmia e taksistit përkon me pamjet filmike dhe qelizat e celularëve të autorit dhe viktimës.

Si u gjet trupi i viktimës

Kamerat e sigurisë përgjatë zonës kishin fiksuar lëvizjen e Fredi Rrushit drejt Dajtit me mjetin “Passat”. Pas kërkimeve dy ditore me qen policor gjurmues, në Qafë Mollë, fillimisht u zbulua xhupi me njolla gjaku, këpuca e viktimës dhe më pas trupi i pajetë i biznesmenit.

Një qen gjurmues i përdorur nga policia për raste të tilla ka zbuluar në kohë rekord trupin e pajetë të Ruzhdi Hoxhës në zonën e ashtuquajtur të Malit me Gropa.

Qeni ka ndaluar në një pjesë të ngritur me zhavorr dhe inerte, më pas agjentët kanë gërmuar dhe kanë gjetur të varrosur kufomën e 43-vjeçarit që kishte filluar të dekompozohej.

Roli i Pajtim Rrushit dhe heshtja para provave

Të dielën policia arrestoi edhe Pajtim Rrushin, vëllain e Fredi Rrushit, i cili dyshohet se është personi që ka fshehur makinën e të vëllait që mund të shërbente si provë. Megjithatë, para grupit hetimor, 42-vjeçari ka mohuar të ketë pasur dijeni për vrasjen. Po ashtu, ai ka mohuar që të kishte lidhje me zhdukjen e makinës. Por i vënë përballë pamjeve filmike, Pajtim Rrushi mësohet se nuk ka pranuar më të flasë.

Pistat e hetimit

Pistat kryesore të vrasjes, sipas policisë janë konfliktet për një borxh të mundshëm dhe ndarja e parcelave me kanabis. Nëse e para është mohuar nga djali i viktimës, pista e dytë është më e qëndrueshme, duke parë se policia gjeti një parcelë me 300 rrënjë kanabis në Dajt që i përkisnin Fredi Rrushit. Aty u kap edhe një roje, i cili në dëshminë tij tha se Fredi Rrushi e kishte punësuar të ruante drogën.

Fredi Rrushi ishte shpallur madje në kërkim nga autoritetet italiane me akuzën e trafikut të drogës, por ekstradimi i tij nuk mund të kryhet përderisa akuzohet për vrasje në Shqipëri.

Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” për vëllezërit Rrushi, të cilët pritet të dalin para gjykatës ditën e martë, 9 nëntor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë