Politike

Nga regjimi fiskal, te shtetëzimi i tokës djerrë, dy moratoriume dhe 27 propozimet e Erion Braçes për bujqësinë ‘majtas’

Erion Braçe këmbëngul te propozimi i bërë në Kongresin e Partisë Socialiste. Ai flet për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në 9 drejtime përmes 29 pikave, për ta rikthyer, sipas deputetit, politikën qeverisëse majtas sa i takon sektorit të bujqësisë.

Ndryshimet, thotë Braçe, duhet të fillojnë që nga regjimi i taksave. Këtu kërkon fiskalizim të plotë të të gjithë zinxhirit të prodhimit bujqësor.

“Nga bujku deri tek dyqanet e hapura e të mbyllura të perimeve kudo, regjim fature fiskale si kusht për funksionimin në treg; fiskalizim të plotë edhe për lëndët e para që përdoren në bujqësi”, shkruan deputetit.

Aktualisht, për inputet bujqësore aplikohet një TVSh e reduktuar prej 10 për qind. Braçe propozon që TVSh të bëhet zero dhe të hiqen edhe taksat e tjera për këto produkte, ashtu si për qumështin.

Te inputet propozon që për plehërat kimike të ndryshojë i gjithë legjislacioni dhe kuadri rregullator ekzistues, që sipas Erion Braçes ka krijuar ekskluzivitete dhe monopole në treg.

“Ndryshim të ligjit për produktet plehëruese, VKM-ve, urdhrave dhe udhëzimeve të dala në zbatim të tij. Heqje të ekskluziviteteve që shërbejnë si barriera që kufizojnë tregtimin e lirë e konkurrues të produkteve plehëruese me shumicë. Normimin e shitjeve te bujku jo vetëm të fiskalizuara me faturë, por edhe me kontrata përgjegjësie për çdo abuzim e dështim”, propozon Braçe.

Sa i takon tokës, Braçe kërkon vendosjen e një moratoriumi që të ndalojë ndryshimin e statusit të tokave bujqësore në tokë truall.

“Analizë të përbërjes së të gjithë sipërfaqes së punueshme, ndryshime ligjore për tokën e braktisur, të pakultivuar ndër vite për shkak të ikjes, largimit, për shkak të pamundësisë për ta kultivuar dhe për cilëndo arsye, kthim te shteti, qoftë edhe përmes qiramarrjes”, thotë ai.

Sa i takon ujit, Braçe kërkn moratorium për ndalimin e lejeve për ndërtim hidrocentralesh në lumenjtë dhe përrenjtë që shërbejnë për vaditje, rimarrje të rezervuareve të vogla, të mesëm e të mëdhenj, që shfrytëzohen sot për kultivim peshku dhe një plan kombëtar për skema vaditjeje.

Për prodhimin, Braçe propozon ngritjen e një fondi të posaçëm nga Qeveria, që do të mbështesë përmirësimin e farave, prodhimin e tyre në vend e deri në prodhimin e drithërave në sasi dhe cilësi.

Për grumbullimin dhe përpunimin, Braçe kërkon ngritjen e një burse kombëtare, ose një platforme të unifikuar të tregut të çmimeve të përditshme që të jetë online, transparente dhe e detyrueshme për zbatim. Kjo, sipas tij, shmang abuzimin e grumbulluesve.

Deputeti kërkon që të miratohet një ligj i ri për pagesat në bujqësi dhe blegtori, që do të korrigjojë, sipas tij, problematikën disavjeçare të vonesave për muaj me radhë të pagesave për bujqit nga ana e tregtarëve.

Ai propozon që afati për pagesat të mos jetë më shumë se 40 ditë, ndërsa kërkon edhe një analizë të thelluar të të gjitha detyrimeve që grumbulluesit dhe eksportuesit u kanë fermerëve ndër vite.

Për detyrimet që bujqit kanë ndaj shtetit, fondacioneve, apo bankave të nivelit të dytë për fondet që kanë marrë për zhvillimin e aktivitetit të tyre, Braçe propozon që të falen të gjitha detyrimet deri në fund të 2017-s.

Sa i takon mbështetjes buxhetore, Braçe propozon që skema e mbështetjes që jepet sot përmes kufizimeve në sasi të ndryshojë. Ai kërkon që mbështetja në pagesa të drejtpërdrejta për fermerin të bazohet për çdo kilogram prodhim, bujqësor e blegtoral pa përjashtuar askënd nga skema.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë