“Do ta reformojmë Akademinë e Shkencave”. Këto ishin ndër fjalët e para të Skënder Gjinushit pasi u zgjodh kryetar i Akademisë pa asnjë rival në garë. Gjinushi ishte i fundit, por jo i vetmi në serinë e disa emrave, që pasi kanë ideuar, marrë pjesë si protagonistë për të reformuar institucione të rëndësishme, janë vendosur vetë në krye të tyre, duke hapur një debat më shumë moral sesa ligjor.
Një ndër të parët ka qenë Gent Ibrahimi, sot kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Para se të katapultohej në krye të këtij institucioni të krijuar rishtaz si pjesë e reformës në drejtësi, Ibrahimi ishte kryetar i Komisionit Këshillimor të Reformës në Drejtësi, që për publikun njihej si “ekspert i nivelit të lartë”.
Roli i Komisionit Këshillimor nuk ishte i pakët në këtë reformë dhe ky rol iu përforcua më shumë në mungesë të një marrëveshjeje mes palëve politike për të hartuar një draft final për reformën në fjalë. Mazhoranca në Komisionin e Reformës në Drejtësi nisi të konsultohej gjithnjë e më shumë me shoqërinë civile. Pjesë e shoqërisë civile cilësohej edhe Komisioni Këshillimor për Reformën në Drejtësi dhe si kryetar i këtij Komisioni, Gent Ibrahimi kishte një rol protagonist.

Ibrahimi paraqiste propozimet e shoqërisë civile si një ekspert i nivelit të lartë në Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe në Komisionin e Ligjeve. Pjesë e këtyre propozimeve kanë qenë edhe rregullat që i japin kompetenca dhe detyrime Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucion në krye të të cilit është sot.
Gent Ibrahimi u zgjodh me votat e anëtarëve të tjerë. Ligjërisht asgjë nuk e pengonte atë që të ishte pjesë e të drejtonte këtë institucion. Por, opozita e sulmoi edhe me emër të përveçëm për të ilustruar akuzat e saj se reforma në drejtësi po kapej nga mazhoranca.
“Emërimi i Gent Ibrahimit në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është prova e kapjes politike të organit të ri të qeverisjes së prokurorisë. Eksperti i qeverisë për reformën në drejtësi dhe kunati i ish ministres Kodheli nuk duhet ta kishte fare vendin në KLP. Por Genti Ibrahimi është aty si investimi politik i Edi Ramës për të kontrolluar sistemin e drejtësisë”, deklaronte Partia Demokratike.
Rasti tjetër mbërrin nga shkolla e cila përgatit brezin e nri për sistemin e drejtësisë. Sokol Sadushi ishte në krye të Shkollës së Magjistraturës, i votuar nga bordi drejtues për një mandat të dytë në krye të këtij institucioni, kur nisi të flitej për reformimin e kësaj shkolle për t’iu përshtatur reformës në drejtësi. Sadushi paralajmëronte se nëse nuk ndryshohej ligji, kjo shkollë do të futej në ngërç.

Përmes një letre drejtuar Kuvendit dhe institucioneve ndërkombëtare të përfshira drejtpërdrejtë dhe tërthorazi në reformën në drejtësi, Sokol Sadushi paralajmëronte në maj të 2018 se Shkolla e Magjistraturës nuk do të diplomonte dot asnjë magjistrat të ri në vitin 2021, për shkak të mosngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Shkolla e Magjistraturës nuk do të diplomojë asnjë magjistrat në vitin 2021. Kjo për shkak se ligjvënësit kanë dështuar të miratojnë draftligjin për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, që i hap rrugën shkollës së magjistraturës për të marrë 50 magjistratë të rinj”, deklaronte ai.
Në këtë rast nuk bëhej fjalë për një reformim të mirëfilltë të Shkollës së Magjistraturës, por për një ndryshim në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kërkonte 84 vota në Kuvend. Për shkak të shumicës së cilësuar që kërkonte, propozimi nuk kaloi dhe nuk ka kaluar ende në Kuvend, megjithëse qëndron prej kohës në agjendën e Kuvendit.
Helidon Bendo u propozua që në 2017 në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror. Ai pasonte Visho Ajazi Likën e dorëhequr dhe konsiderohej nga Kryeministri Edi Rama si njeriu i duhur për të reformuar këtë institucion, që pak vite më parë e kishte akuzuar se nuk i përcillte informacione policisë së shtetit mbi aktivitetin kriminal në vend.

Por, dekretimi i tij mbeti në sirtaret e Presidentit Ilir Meta deri në nëntor të vitit të kaluar, kur kreu i shtetit e shpluhurosi dosjen dhe vendosi firmosjen e propozimit të Kryeministrit. Për një vit me radhë, Bendo kishte drejtuar institucionin si zëvendësdrejtor. Reformimi në vetvete kishte nisur para dekretimit me disa lëvizje në strukturat dhe Aparatin Qendror të Shërbimit Informativ Shtetëror. Me të marrë dekretimin, ai u përshëndet nga Edi Rama.
“Bendo u dekretua drejtor i SHISH. Unë e përshëndes dekretin presidencial dhe e uroj drejtorin e ri të Shërbimit të vijojë me suksese punën e nisur dhe ta çojë me shpejtësi për reformimin e thellë të atij institucioni të rëndësishëm për sigurinë kombëtare”, deklaronte Rama.
Artan Lame është një tjetër emër, por që ndryshe nga emrat e mësipërm, reformimi i udhëhequr dhe mbrojtur prej tij në Kuvend preku dy institucione. Bëhej fjalë për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si produkt i shkrirjes së ALUIZNI-t me Zyrën e Hipotekës. Ligji i ri u prezantua si propozim dhe më pas mbrojt në Komisionet e Kuvendit nga Artan Lame.

Pas miratimit të këtij ligji, Artan Lame u prezantua nga zv.Kryeministri Erion Braçe si drejtori i ASHK së sapokrijuar. As Artan Lame nuk kishte ndonjë pengesë ligjore për t’u emëruar në krye të kësaj superagjencie të re, edhe pse më herët kishte mbajtur postin e anëtarit të bordit në Hipotekë dhe më pas atë të drejtorit të ALUIZNI-t.
Skënder Gjinushi është i fundit në këtë listë. Ligji i propozuar dhe mbrojtur prej deputetes Eglantina Gjermeni dhe prej Ministrisë së Arsimit për funksionimin e Akademisë së Shkencave mbështetej fort prej tij, edhe pse zërat kundër nuk munguan, që nga ai i Artan Fugës. Në fund, kritikat u shpërfillën dhe Gjinushi u zgjodh si kandidaturë e vetme në një proces të kritikuar publikisht.
Në të gjitha rastet nuk ka patur asnjë pengesë ligjore për personat në fjalë që nga reformatorë të institucioneve përkatëse të emërohen drejtorë, përveç mëdyshjes morale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





