Politike

Nga rasti Ndoka, Rrajat e inceneratorët, Bardhi për Ramën: A besohet ky se lufton korrupsionin?! (abstenim për rezolutën)

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha nga Kuvendi  se deputetët e grupit do të abstenojnë projekt-rezolutën anti-korrupsion të Partisë Socialiste.

Sipas Bardhit, korrupsioni nuk luftohet me fjalë dhe rezoluta, por me akte, duke lënë një derë të hapur për komisionin e posaçem parlamentar qe pritet te ngrihet pas miratimit te rezolutes

“E vetmja gjë pozitive që mund të veçoj në këtë qeveri dhe nga ky kryeministër ditën e sotme, edhe pse iu deshën më shumë se 4000 ditë ta kuptonte, është pranimi prej tij se na u dashka më në fund një përpjekje e veçantë, ndryshe dhe e vendosur kundër korrupsionit të kësaj qeverie. Lufta ndaj korrupsionit të përhapur që është rrënjosur si asnjë herë më parë nën administratën e kryeministrit Edi Rama, duhet të trajtohet nga Kuvendi si prioritet kombëtar, sepse kjo është një çështje e një rëndësie kritike për të ardhmen e Shqipërisë:

Por një nismë e tillë do të ishte e besueshme, diçka pozitive për vendin, do të ishte serioze, vetëm nëse ata që e propozojnë, janë vetë seriozë dhe të gatshëm për ta luftuar korrupsionin.

Grupi Parlamentar i PD ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht luftën ndaj korrupsionit, mirëqeverisjen dhe shtetin ligjor. Jemi ne që kemi bërë 11 vite betejë për këtë, me qeverinë më të korruptuar të këtyre 34 viteve, më e korruptuara në Rajon e Europë.

Jemi ne që kemi denoncuar me fakte aferën korruptive të inceneratorëve. Edi Rama i doli në mbrojtje.

 Jemi ne që kemi denoncuar aferën me kontratat korruptive në sektorin e shëndetësisë. Edi Rama i doli në mbrojtje.

Jemi ne që kemi denoncuar korrupsionin në Bashkinë e Tiranës. Edi Rama i doli në mbrojtje.

Jemi ne që kemi denoncuar korrupsionin në Policinë e Shtetit që solli kanabizimin e vendit. Edi Rama i doli në mbrojtje.

Jemi ne që luftojmë për tolerancë zero ndaj korrupsionit zgjedhor. Edi Rama është arkitekti i tij.

Jemi ne që luftojmë kundër qeverisjes dhe fuqizimit nga qeverisja të krimit të organizuar, si mundësia e vetme që lejon mirëqeverisjen dhe respektin ndaj shtetit ligjor. Edi Rama është arkitekti i kriminalizimit të institucioneve, duke vënë në rrezik serioz funksionimim demokratik të institucioneve publike”, tha Bardhi për të dalë më pas tek qëndrimi konkret.

“Të luftosh korrupsionin nuk ka nevojë as për fjalë dhe as për rezoluta. Ka nevojë për akte, për veprime. Edi Rama kishte 11 vite kohë të na tregonte të paktën një akt, një veprim, që ka vullnet për të luftuar korrupsionin, ka vullnet për të mirëqeverisur, ka vullnet për të respektuar shtetin ligjor”, tha Bardhi

“A ka hipokrizi më të madhe sesa të thotë Edi Rama se ka vullnet për të bërë reforma që sigurojnë mirëqeverisjen e vendit. Po a nuk është ky i njëjti individ që për ‘mirëqeverisje’ i ofroi qytetarëve të Lezhës qeverisjen nga Arben Ndoka, qytetarëve të Krujës qeverisjen nga Rrahman Rrahja, e kështu me radhë në çdo qytet, të cilët pasi qeverisnin me delegim nga Edi Rama gjatë ditës, në darkë bënin planet sesi të vrisnin njëri- tjetrin apo qytetarët që qeverisnin. Dhe ky hesht, nuk thotë dot asnjë fjalë, asnjë ndjesë për qytetarët që në vend të përfaqësuesve të tyre u ofrojë përfaqësues të krimit të organizuar për ti qeverisur, madje ‘drejtues të grupeve të strukturuara kriminale’.

A nuk ishte propozuesi i kësaj Rezolute, që korruptoi një zyrtar të huaj, ish agjentin e FBI McGonigal, për llogari të pushtetit të tij? Po si mund të besohet Edi Rama kur thotë se do të përmirësojë procesin legjislativ për të parandaluar konfliktin e interesit dhe lobimin për interesa private gjatë ligjbërjes, ndërkohë që pasi ka depozituar draft rezolutën, ekzaktësisht një javë më parë, brenda 24 orëve propozoi ndryshimet në ligjin për privatizimin e pronave shtetërore, për llogari të klientëve të tij. A nuk është ky po i njëjti që shtyu 5 herë ligjin për investimet strategjike për llogari të Pëllumb Gjokës? Edhe ky ditën me firmë të Edi Ramës bëhej investitor strategjik, ndërkohë që natën porosite vrasje. E keni dëgjuar të thotë, gabova, me firmën time fuqizova një eksponent të krimit të organizuar.

Nuk e thotë dot, sepse me ta ka qeverisur, për shkak se me ta ka fituar zgjedhjet, sipas parimit ‘të vjedhim Shqipërinë për të vjedhur zgjedhjet, dhe të vjedhim zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë’. Duke minuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, Edi Rama ka gërryer themelin e demokracisë dhe ka përjetësuar një sistem ku korrupsioni nuk është thjesht i toleruar, por aktivisht i përdorur si një mjet politik”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë