Futboll

Nga Rapidi i Vjenës te Kukësi, firmos për 2 vjet Albin Gashi

Edhe pse me merkato të bllokuar, Kukësi vazhdon punën për forcimin e skuadrës së sezonit të ri. Ndoshta drejtuesit e klubit verior janë të bindur se KAS-i do t’u japë të drejtë për çështjen “Zhderiç”, ndaj të cilit kanë një detyrim të pashlyer dhe pas gjyqit në FIFA, merkatoja e kuksianëve rezulton e bllokuar.

Lojtari më i ri i Kukësit është Albin Gashi, një lojtar i dalë nga akademia e Rapidit të Vjenës, një prej skuadrave më me emër të futbollit austriak. Bëhet fjalë për një mesfushor 23-vjeçar, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave tek Austria, që nga U-16-a e deri tek U-19-a. Gashi ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me Kukësin dhe të enjten pritet të jetë nën urdhrat e trajnerit Skënder Gega.

Njoftimi i klubit kuksian për afrimin e Albin Gashit. Gazeta Si, 4 gusht 2020

Lajmi bëhet i ditur nga klubi kuksian, që në faqen e tij zyrtare shkruan: “Albin Gashi është zyrtarisht futbollist i Kukësit. Mesfushori 23-vjeçar ka firmosur sot me skuadrën tonë kontratën dyvjeçare. Ai e ka nisur karrierën në kampionatin austriak, ka qenë pjesë e Rapidit të Vjenës, pasi është prodhim i akademisë së këtij ekipi. Së fundmi ka luajtur për Floridsdorfer po në Austri. Gashi ka kryer vizitat mjekësore dhe ka firmosur kontratën, duke u bërë kështu futbollisti më i ri i Kukësit. Në të kaluarën Gashi ka qenë pjesë e Austrisë U-16, U-17, U-18 dhe U-19. Lojtari do të bashkohet me ekipin ditën e enjte, kur do zhvillohet stërvitja e parë për sezonin e ri”.

Përveç kampionatit austriak, ku është huazuar vazhdimisht nga Rapidi i Vjenës, Gashi ka pasur një përvojë të shkurtër edhe në Holandë, me Den Bosh. Tani ai vjen në kampionatin shqiptar për llogari të Kukësit dhe për të gjetur veten pas lëvizjeve të shumta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë