Nga Liridon Mulaj – Artizanati është kthyer tashmë të jetë mirëfilli një ‘industri’ që vlen të konsiderohet. Të tejmbushur me veshje apo aksesorë arredues për shtëpinë të importuara nga Europa dhe Azia, shqiptarët si duket po i kthejnë sytë nga tradicionalja. Qilimat e thurur në tezgjah, mbulesat e tavolinave të qëndisura apo perdet e punuara me dorë, janë disa nga produktet që kërkohen në mënyrë të vazhdueshme. Duke bërë kështu që tradita e artizanatit, të mos humbasë. Së paku këtë na e konfirmon një nga artizanet më të njohura në veri të vendit, konkretisht në Vaun e Dejës, Meliha Zyberaj, e cila e ushtron këtë zanat prej 25 vitesh. Zyberaj gjithashtu është presidente e Dhomës Kombëtare të Zejtarisë dhe mban titullin “Mjeshtre e Zejtarisë”.
Melihaja rrëfën për Gazeta “Si” se traditën e punimeve artizanale e ka të trashëguar nga e ëma. Ishte kjo traditë që e shtyu atë t’ia niste fillimisht me pak produkte e më pas ta zgjeronte biznesin e saj.

“Punët e dorës i kam trashëgimi nga nëna. Ajo ka qenë personi e cila ma ngjizi dhe mua dëshirën për punëdoren siç i themi ne. Mandej duke parë dhe vështirësitë e punësimit në një zonë të harruar si Vau Dejës, nisa të merrem me punëdore si nevojë për të ndihmuar familjen”, thotë ajo.
Fillimet e saj ka qenë të vështira pasi siç thotë Melihaja, të gjitha punimet bëheshin me dorë pasi makineritë mungonin.
“E kam nisur duke qepur fustane dhe duke thurur triko me dorë. Mandej mora përsipër të qepja edhe jorganë me ndihmën e një makinete të kohës por edhe me dorë sepse qëndisjet duan finesë dhe stil për të dalë sa më mirë. E kam nisur duke përgatitur paja nusesh deri në vitin 2004 kur unë mendova ta zgjeroja duke parë se edhe kërkesat po vinin e shtoheshin”, thotë ajo.

Në fillimet e saj, Zyberi punonte nga shtëpia, deri sa me fitimet që mblodhi, hapi dhe një dyqan përpara shtëpisë, duke i dhënë një tjetër hapësirë dhe seriozitet procesit të artizanatit.
“Në vitet e para punoja nga shtëpia, pastaj me fitimet e kursyera hapa një dyqan të vogël ngjitur me shtëpinë. Bëja pajat e vajzave të zonës dhe njëkohësisht pranoja porosi nga klientët. Për t’i dhënë një shtysë punës dhe për të mësuar më shumë mbi profesionin, ndoqa një kurs qëndistarie i cili më ndihmoi të përsosja më shumë varietet e qëndisjeve të jorganëve dhe jastëkeve.

Në 2004, bleva një makinë qëndisjeje dhe pak më vonë edhe një tjetër e cila punonte me kompjuter çka më lehtësoi por dhe edhe shpejtoi punën që e kryeja më parë me dorë. Kam prodhuar paja vajzash në masë pastaj duke pasë parasysh që Shkodra e ka traditë pajën e vajzave”, thotë për Gazeta “Si”, Zyberaj.

Me shtimin e kapacitetit prodhues ajo shpjegon se u shtua edhe dëshira për ta zgjeruar gamën e produkteve të prodhuara. Nga ato pak produkte që prodhonte kryesisht me dorë, kaloi në një proces të automatzuar më me shumë volum pune.

“Produktet kryesore që prodhonim ishin çarçafë dhe mbulesat e tavolinave. Me kalimin e kohës e shtuam gamën dhe numrin e produkteve të prodhuara si qilima, mbulesa tavolinash, tapete, veshje popullore. Njerëzit na zgjedhin ne sepse e kemi ruajtur njëqind përqind tradicionalen në prodhim dhe vizualitet, duke i qëndruar besnik asaj mënyre sesi kanë qenë prodhuar dikur. Si tek punimet e tezgjahut dhe si tek qilimat, cilësia është maksimale”, thotë ajo.

“Në zonën tonë gjenden katër kala, e për rrjedhojë edhe katër lloje të ndryshme veshjesh popullore si veshja e Mirditës, Zadrimës, e Malësisë edhe veshjet qytetare. Kjo larmishmëri na obligon të ruajmë traditën dhe cilësinë, por dhe t’u përgjigjemi në kohë klientëve të shumtë të cilët na kërkojnë veshjet popullore”, shprehet Zyberi.
Një tjetër proces i rrallë që ajo e kryen në punishten e saj në Vaun e Dejës është edhe kultivimi i fshikëzës së mëndafshit, edhe kjo një traditë e hershme familjare.


“Nëna ime e kishte traditë kultivimin e fshikëzes së mëndafshit, dhe unë desha t’i plotësoj një dëshirë nënës sime. Prej tre vitesh e kultivoj fshikëzën e mëndafshit e cila prodhon mëndafsh dhe që e përdorim për produktet tona. Sigurisht kemi pasur dhe mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit duke na dhënë një dorë për ta çuar përpara këtë traditë sa të bukur po aq dhe burimore. Vullneti dhe dëshira janë që ta vazhdojmë dhe ta trashëgojmë”, mbyll rrëfimin Meliha Zyberaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.