Ngjarje

Nga Qafë-Murrizi tek zonat rurale, rrugët që janë bllokuar nga dëbora

Nga Gazeta Si – Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile deri në këto momente, për shkak të reshjeve të dëborës, janë bllokuar disa rrugë dytësore, kryesisht në Burrel dhe Dibër.

Ministria e Mbrojtjes, në një njoftim për shtyp tregon se në qarkun e Dibrës, Rruga e Arbrit është e pakalueshme në Qafë Murriz, prej reshjeve të dendura të borës ndërkohë që firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.

Në Bashkinë e Dibrës janë bllokuar disa qendra administrative me akset kryesore si; Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë.

Në Bashkinë e Bulqizës janë të bllokuara njësitë administrative Ostren, Trebisht, ndërsa në Bashkinë e Klosit janë bllokuar rrugët dytësore të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër.

Në Bashkinë e Matit janë bllokuar disa rrugë të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Macukull, Lis, Derjan dhe Komsi.

Rrugët rurale që lidhin Bashkinë e Fushë-Arrëzit me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.

Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur Kthesat e Murrashit ka pasur prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë-Thanë pati reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Gjatë natës dhe në orët e mëngjesit të ditës së sotme ka vijuar puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugës në aksin Qafë Thanë – Pogradec. Qarkullimi këshillohet të kryhet me goma dimri.

Edhe në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në dalje të tunelit, pati probleme me qarkullimin pasi terreni ishte shumë i lagësht dhe me ngrica. Qarkullimi u krye vetëm në një sens lëvizje. Gjatë natës dhe ditën e sotme është bërë shpërndarja e kripës dhe qarkullimi bëhet me goma dimri.

Në Bashkinë e Krujës, aksi rrugor Cudhi Kamp – Qafështamë është i bllokuar nga reshjet e dëborës.

Gjithashtu, rruga për në Shëngjergj, në Bashkinë e Tiranës, është e vështirë për t’u kaluar nga sasia e reshjeve të dëborës, në Lanabregas si pasojë e bllokimit të kolektorit ka pasur prezencë të ujit duke rrezikuar përmbytjen e një banese.

Në segmentin Fresk – Trau Dajt, në km 5 pati rrëshqitje të skarpatës duke bllokuar njërën prej korsive. Po punohet për pastrimin e rrugës.

Ndërsa në Bashkinë e Vlorës, situata është e qetë. Nuk ka prezencë uji në qytet ndërkohë që gjatë ditës së sotme po punohet me borëpastrueset për të mbajtur të hapura rrugët e qarkullueshme dhe për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora.

Lumenjtë dhe rezervuarët

Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik, përveç se në fshatin Murqinë, njësia administrative Bubq, Bashkia e Krujës, ku lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur një sipërfaqe prej 20 Ha tokë bujqësore. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë