Politike

Nga protesta e deputetëve të PD para PE-së, greva e urisë në Parlament deri te aksioni i javës që vjen / Skenarët që po diskutohen në selinë blu

Nga Gazeta ‘Si’- Një ditë pas protestës kombëtare, PD mblodhi drejtuesit e saj politikë dhe anëtarët e kryesisë ku në fokus të takimit ishte jo vetëm analiza e protestës por edhe strategjia në vazhdimin e mosbindjes civile.

Një protestë para Parlamentit Europian, një tjetër aksion në parlament dhe një zhvendosje e protestës në një nga qarqet më të mëdha të vendit; janë vetëm disa nga skenarët e mundshëm me të cilët opozita do të dalë sërish në protestë.

Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin Debat në A2 CNN, tregoi se po diskutohet mundësia e mbajtjes së një proteste në Parlamentin Europian nga deputetët e PD-së, më qëllim ndërgjegjësimin e PE-së për situatën ku ndodhet Shqipëria.

“Besoj brenda javës tjetër do të kemi protestën e radhës. Po diskutohen disa formate. Është hedhur ideja nga një grup deputetësh për të shkuar të protestojmë para Parlamentit Europian, ku të shkojnë jo vetëm 24 deputetët e përjashtuar, por të gjithë grupi parlamentar i deputetëve dhe shqiptarët që jetojnë në Bruksel për të ndërgjegjësuar PE-së për situatën që ndodhet Shqipëria. Kjo është një ide, por jo një vendim i marrë. Gjithsesi, unë mendoj se do të bënin gjënë e duhur nëse do ta merrnin këtë nismë”, deklaroi Belindi ndërsa foli edhe për një tjetër aksion në parlament.

Megjithatë, balancat nuk janë ato që duhet të ishin- deklaroi ai-, referuar faktit se janë të përjashtuar 24 deputetë nga Parlamenti (pas seancës së dy javëve më parë ku u dogjën karriget dhe u dëmtua foltorja e Kuvendit.)

Mandej Këlliçi elaboroi edhe mundësinë e zhvendosjes së protestës.

“Po diskutohet zhvendosja e protestës në një nga qarqet e rëndësishme të vendit, aty ku po ndodh një nga aferat më korruptive pas aferës së famshme të inceneratorëve. Brenda javës tjetër do të vazhdojë aksioni”, tha ai në Debat. 

Ditën e djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për media, deklaroi se PD ka edhe 77 mënyra të mosbindjes civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë