Nga Gazeta ‘SI’- Në periudhën prill-qershor 2022, në vend u prodhua 1.647 GWh energji elektrike, rreth 40% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Gjatë kësaj periudhe, 61% e energjisë u prodhua nga HEC-et private (1.090 GWh ) dhe pjesa tjetër nga ato publike, (631 GWh).
Dominimi i prodhimit të energjisë nga privatët duket të jetë rezultat i mbylljes së përkoheshme të HEC Fierzës dhe përdorimi i vetëm dy burimeve në Kaskadën e Drinit, që po ashtu kanë qenë të kufizuara nga mungesa e reshjeve. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, përshkak të krizës energjitike, është rritur numri i bizneseve që licensohen në prodhimin e energjisë elektrike.
Importi i energjisë u trefishua nga një vit më parë, duke arritur në 664 gigavatorë energji të blerë, ndërsa eksporti ra me më shumë se 50%, duke u ulur në 415 gigavatorë të shitur. Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e dytë të vitit 2022 ka arritur vlerën negative prej 249 GWh krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021 ku kishte një vlerë pozitive prej 696 GWh.

Gjatë tremujorit të dytë, ka pësuar rënie dhe sasia e energjisë së humbur në rrjet dhe ajo e konsumuar. Humbjet në rrjet arritën vlerën 363 GWh nga 400 GWh duke shënuar kështu një rënie me 9.5%. Humbjet në transmetim kanë rënë me 8% ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 10%.
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e dytë të vitit 2022, u ul me 2% duke arritur vlerën 1.533 GWh nga 1.563 GWh që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rënie të konsumit të energjisë elektrike me 2%, përkundrejt rënies me 1.7% të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.
Vihet re se prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike ka pasur një progres të vogël, nga një vit më parë. Nga 13.106 MWh në tremujorin e dytë 2021, shkoi në 13.629 MW në tremujorin e dytë 2022, përkthyer në një rritje prej 3.8%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




