Politike

Nga porti i thatë i Strugës, hekurudha Shkup-Durrës deri tek kthimi i ikonave, 21 marrëveshjet Shqipëri-Maqedoni e Veriut

Nga Gazeta ‘SI’ – Në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut fokusi kryesor ishte plani për një port të thatë që lidh Strugën me Durrësin.

Propozimi i ardhur fillimisht nga kryeministri shqiptar Edi Rama, synon lidhjen e dy porteve në Porto Romano, njësoj si me atë të planifikuar në Prishtinë, duke i siguruar të dyja vendeve fqinje, një dalje në det për operim.   

Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi propozoi gjithashtu një vendkalim të ri kufitar midis dy vendeve, pjesë e korridorit tetë dhe ndërtimin e një linje hekurudhore Shkup- Durrës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se për portin e thatë të Strugës do të kontraktojë kompaninë që po merret me “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, për të bërë një studim pa fonde ekstra, brenda tre muajve të ardhshëm. Ajo shtoi se për vendkalimin e ri, përderisa do të përfshihet në korridorin e tetë, të dy qeveritë do të lobojnë në BE.

“Kosto e ndërtimit të hekurudhës apo autostradës, nëse financohen nga buxhetet e shteteve do të jenë kosto të rënda, sidomos pas pandemisë dhe krizës energjetike. Do të vazhdojmë lobimin që përderisa përfshihet në korridorin e tetë, të financohet nga BE”, -tha Balluku nga Shkupi.

Ajo përmendi dhe projektin e termocentralit të Vlorës, si një zhvillim në benefite të të gjthë Rajonit dhe në përputhje me Agjendën e Gjelbër të BE-së.

Më tej, ndër marrëveshjet që u nënshkruhen janë ato të lidhura me lekturën, redaktimin dhe zbatimin e shenjave gjuhësore të shqipes në Maqedoni, përkthimit të objekteve dhe rikthimin e ikonave të trafikuara ne vendin e tyre të origjinës. Po ashtu edhe memorandumet e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit për çështjen e integrimit në BE, ndarjes së eksperiencës, trajnime, digjitalizim të shërbimeve konsullore, ekipe të përbashkëta të sigurisë.

Protokoll për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë, për njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomik të autorizuar – autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS), marrëveshje për vendosjen e transportit ndërshtetëror ndërmjet Liqenit të Ohrit si edhe marrëveshje për delegimin e trafikut ajror.

Dy qeveritë nënshkruan edhe memorandume mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me ministritë e Financave, Energjisë, Shëndetësisë, Arsimit, Sipërmarrjes, Politikave Sociale dhe Informatikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë