Shendet

Nga origjina te zhdukja e pandemisë, kreu i OBSH-së: Vaksinat do lejojnë rihapjen

“Të gjitha hipotezat” në lidhje me origjinën e pandemisë koronavirus “duhet të vazhdojnë të shqyrtohen, nga transmetimi i kafshëve deri në rrjedhjen nga laboratori, i cili ende nuk është përjashtuar kategorikisht si mundësi”. Kjo është ajo që pohon drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Numri një i OBSH-së, thekson se “që nga fillimi, OBSH ka bërë vazhdimisht thirrje për një proces shkencor plotësisht të hapur dhe transparent për të kuptuar ditët e para të pandemisë. Është e rëndësishme të kujtohet se studimet mbi origjinën e virusit janë çështje për shkencën; ato janë të vështira për t’u ndërmarrë dhe kërkojnë kohë. Por ne kemi parë faktorë të tjerë, përfshirë ata politikë, që ndikojnë në përpjekjet dhe pengojnë aftësinë tonë për të bërë përparim dhe për të marrë përgjigje.

I Intervistuar nga gazeta “Corriere della Sera”, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, tha: “Vendet e pasura nuk kanë bërë sa duhet për të vaksinuar botën në mënyrë të drejtë. Ka pasur disa zhvillime pozitive, por është e qartë se ata duhet të bëjnë më shumë”.

OBSH ka kërkuar që programet përforcuese, doza e tretë, të pezullohen të paktën deri në fund të vitit. “Para se të vaksinojmë ata që janë tashmë të vaksinuar, ne duhet të vaksinojmë ata që kanë rrezikun më të lartë”, theksoi ai.

Për më tepër, “vendet e G20 mund të mbështesin objektivat që OBSH ka përcaktuar për pandeminë”. Sipas Ghebreyesus, synimet janë “vaksinimi i 40% të popullsisë së të gjitha vendeve deri në fund të vitit 2021 dhe 70% deri në mes të vitit të ardhshëm. Për të arritur qëllimin e këtij viti, na duhen dy milionë doza për vendet me të ardhura të ulëta dhe shumë të ulëta tani”.

Shefi i OBSH-së, i fton të gjitha vendet me doza të tepërta “t’i dhurojnë ato tani dhe të shkëmbejnë kohën e furnizimit me Covax dhe Avat (koalicioni që merret me fushatën globale dhe fondin afrikan për vaksinimin)”.

Disa shkencëtarë, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, parashikojnë që Covid-19 do të shndërrohet në një ftohje të thjeshtë në të ardhmen e afërt, por Ghebreyesus qëndron me këmbë në tokë.

“Është e vështirë të thuhet, duke marrë parasysh atë që kemi vërejtur gjatë dy viteve të fundit. Por një gjë për të cilën jemi të sigurt, është se ky virus do të qëndrojë me ne për të ardhmen e parashikueshme dhe do të ketë fuqi për të vazhduar të evoluojë. Ne jemi gjithashtu të pasigurt për fuqinë e varianteve të ardhshme tani. Në të njëjtën kohë, ne kemi vaksina që janë treguar se parandalojnë sëmundje serioze dhe vdekje, duke zvogëluar kështu kostot njerëzore dhe socio-ekonomike me të cilat jemi përballur që nga shfaqja e Covd-19. Premtimi i ofruar nga vaksinat po lejon që bota të fillojë rihapjen. Por mund të rihapet plotësisht kur mbulimi është i lartë”, – tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë