Edhe Formula 1 ka merkaton e saj. Nëse Ljuis Hemilton vendos të tërhiqet, pasi ka një hipotezë të tillë, Mercedesi duhet të marrë seriozisht në konsideratë të ashtuquajturin plan B. Me siguri në mendjen e Toto Volf ka disa kandidatë për pilotin që do t’i bashkohej Xhorxh Rasellit, nëse “e pamundura“ bëhet realitet.
Të marrësh në krah të Rasëll një pilot pa shumë eksperiencë, është e rrezikshme, por Valteri Botas mund të jetë një kandidat, edhe pse ai tashmë është një pilot i Alfa Romeos. Drejtuesit e dy skuderive janë miq në fakt dhe një rikthim i bujshëm i finlandezit nuk është për t’u përjashtuar.
Janë edhe dy pilotë të rinj nga Formula E, pjesë e skuadrës zyrtare Mercedes EQ, Stofel Vandorne dhe Nik De Vries. Ky i fundit, holandez, si Vershtapen, ka dalë para këtij të fundit në fitimin e titullit në Formula E dhe muajt e fundit ka hyrë në listën e kandidatëve për të marrë vendin e Rasell tek Uilliams.

Toto Volf, duke u kthyer te pilotët e Botërorit, me siguri nuk do të hiqte dorë nga një prej pilotëve të dalë nga akademia e Mercedesit, Esteban Okon. Këtë vit ai është një nga katër pilotët, bashkë me Perez, Riçardo dhe Botas, që kanë fituar një garë, duke përjashtuar dyshen Vershtapen-Hemilton. Okon ia doli në Hungaroring, në një nga garat më anormale të Botërorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




