Futboll

Nga Novara në “Old Trafford”, Junajtid blen Bruno Fernandes për 55 mln euro

Blerje e rëndësishme në merkaton e dimrit nga Mançester Junajtid. “Djajtë e kuq” kanë zyrtarizuar afrimin e portugezit Bruno Fernandes, i cili vjen nga Sportingu i Lisbonës dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë një ndër lojtarët më të kërkuar në treg.

Një rritje e pabesueshme në karrierën e këtij futbollisti, i cili më parë ka luajtur në Itali me Novarën, Sampdorian dhe Udinezen. Me Sportingun ka shfaqur një formë shumë të mirë, duke qenë goleadori i skuadrës, edhe pse është një mesfushor. “Mançester Junajtid ka kënaqësinë të bëjë me dije arritjen e akordit me Sportingun e Lisbonës për transferimin e Bruno Fernandes”, – shkruan faqja e Mançester Junajtid në Tuiter për blerjen e re.

Bruno Fernnades me fanellën e Sporting Lisbonës. Gazeta Si, 30 janar 2020

Këtë sezon, mesfushori 25-vjeçar ka luajtur 17 ndeshje në kampionatin portugez, ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 7 asiste. Bruno Fernandes është pjesë e kombëtares së Portugalisë prej viti 2017. Për të nis një aventurë e re tashmë në Premier League, ku Mançester Junajtid e konsideron si një nga lojtarët që mund të nxjerrë ekipin nga kriza që po përjeton prej kohësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë