Politike

Nga non grata në Serbi tek dëbimet për emigrim dhe evazioni fiskal/ Kush janë 16 kandidatët për deputetë në verifikim nga Prokuroria

Nga Gazeta ‘Si’- Kur po bëhet gati një dekadë nga miratimi i ligjit të shumëdebatuar të dekriminalizimit për të mbajtur larg zyrave të shtetit persona me të kaluar kriminale, mund të thuhet se ligji në përgjithësi ka funksionuar.

Në zgjedhjet e pritshme të majit partitë politike kanë përfshirë në zgjedhje një junër shumë të kufizuar kandidatësh për deputetë që deklarojnë se kanë patur probleme me ligjin. Të paktën kjo ka rezultuar deri tani! Nga 2079 kandidatë për deputetë vetëm 16 prej tyre kanë deklaruar probleme në formularët e dekriminalizimit të plotësuar prej tyre.

Asnjë nga keta kandidatë nuk i përket partive të mëdha, siç ka ndodhur në të kaluarën, kur u është hequr mandati apo kanë dhënë dorëheqjen pas zgjedhjeve disa deputetë dhe kryetarë bashkish të PS-së për fshehjen e problemeve që kanë patur me drejtësinë në të shkuarën.

Kandidatë me probleme

Nga analizimi i të dhënave të detajuara prej Gazetasi.al të formularëve të dekriminalizimit, problematika kryesore e pjesës më të madhe të këtyre kandidatëve është dëbimi apo largimi nga një shtet i huaj për shkak të shkeljes së afateve të qendrimit. 9 kandidatë e kanë deklaruar një masë të tillë, pjesa më e madhe nga Franca, Gjermania dhe Greqia.

Disa të tjerë deklarojnë hetim për evazion fiskal apo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ka edhe një kandidat që 3 muaj më parë është shpallir non grata nga Serbia. Nga dokumentat e paraqitura dhe nga ligji “Për të Huajt” nuk kuptohet arsyeja e ndalimit  1 vjeçar për të hyrë në Serbi. Vetëm për tre prej tyre mungojnë të dhënat në sistemin e KQZ-së. Ata janë Geront Stefo, kandidat në Qarkun Korçë për Aleancën Demokracia e Re, Kreshnik Gjonaj, kandidat në Qarkun Lezhë për Partinë Socialdemokrate” dhe po një tjetër i Partisë Socialdemokratë, kandidat në Qarkun Dibër, Florjan Tomçini.

KQZ tha për Gazetasi.al se po verifikonte problemet në sistemin e ri që kanë ngritur, pasi të gjitha të dhënat janë pasqyruar në kohë rekord, pavarësisht punës voluminoze. Deri në botimin e këtij shkrimi, asgjë nuk ka ndryshuar në faqen online të KQZ-së dhe formularët e dekriminalizimit për këta tre kandidatë nuk hapen online.

Dekriminalizimi, lista e “problematikëve”

Më poshtë, lista me kandidatët për deputetë dhe problemin që ata kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit. 

-Gramos Ismailaj, Partia “Aleanca Demokracia e Re”, Qarku Vlorë. Pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë në hetim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale, i është përgjigjur me “po”. Ai ka qenë në hetim në Athinë, Greqi, për vjedhje, në mars 1997, por deklaron se ka marrë pafajësi. 

-Ndriçim Kamberaj, “Aleanca Kombëtare Shqipëtare”, Qarku Vlorë, ka deklaruar se është dëbuar nga Franca në vitin 2023 për tejkalim afat qendrimi. 

-Arjel Rragami, i “Djathtas Për Zhvillim”, Qarku Shkodër, ka deklaruar se ka qenë nën hetim në Duisburg, Gjermani, në dhjetor 2024. Hetimi është kryer për veprën penale “largim nga aksidenti” dhe deklaron se masa e marrë kundër tij është gjoba. 

-Desard Muzhaqi, “Koalicioni Euroatlantik”, Qarku Elbasan, ka deklaruar se në mars 2010 ka qenë nën hetim për leje qendrimi jo të rregullt në Kastoria të Greqisë. Masa e dëinimit është 60 ditë burg, por ai deklaron se ekzekutimi i masës është pezulluar. 

-Dritan Tafhasaj, “Partia Lëvizja Bashkë”, Qarku Kukës, deklaron se është dënuar në Kukës në 2014-ën me 2 muaj burgim për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt. Ka qenë, gjithashtu, nën hetim në Prizren në dhjetor 2023 për vjedhje, por deklaron se hetimi ka rezultuar keqkuptim dhe nuk është proceduar.

-Adela Qemali, Partia “Mundësia”, Qarku Tiranë, ka dekalruar masë dëbimi nga Franca për mosrespektim të rregullave për azil në vitin 2023. 

-Altin  Muceku, Partia “Mundësia”, Qarku Tiranë, ka deklaruar dëbim  nga Franca në vitin 2018 dhe dëbim nga Austria në 2019-ën. Në të dyja rastet, arsyeja e dëbimit është deklaruar emigracioni i paligjshëm

-Entela Sula, “Nisma Shqipëria Bëhet-Adriatik Lapaj”, Qarku Tiranë, ka deklaruar masën e dëbimit nga Franca në dhjetor 1999, ku i është refuzuar kërkesa për rezidencë. 

-Erjon Selmani, Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet – Adriatik Lapaj”, Qarku Lezhë, ka deklaruar se është hetuar në Itali dhe është në pritje të gjykimit për evazion fiskal në Ravena, hetim që ka nisur në vitin 2021. 

-Euglen Gjini, Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet – Adriatik Lapaj”, Qarku Fier ka deklaruar se është dëbuar nga Gjermania në vitin 2022 dhe arsyen e debimit e përshkruan si “periudha e Covid”.

-Gazmir Memaj, Koalicioni “Nisma- Shqipëria Bëhet – Adriatik Lapaj”, Qarku Shkodër, ka deklaruar masën e dëbimit nga Beogradi për një vit, nga janari 2025 – janar 2026, por për arsyen shkruan “e pajustofikuar nga autoritetet”. Në dokumentin e përkthyer që e ka bashkëngjitur me deklarimin thuhet se “organi shtetëror për mbrojtjen e sigurisë së Serbisë ka konstatuar se qendrimi i shtetaasit shqiptar paraqet rrezik të papranueshëm për sigurinë e Republikës së Serbisë”

-Klaudio Zotaj,“Partia Socialdemokrate”, Qarku Vlorë, i është përgjigjur me “po”, pyetjes nëse është ndaluar apo arrestuar nga policia. Ai ka deklaruar se kjo ka ndodhur në Oslo të Norvegjisë në 2018-ën, ku është ndaluar/arrestuar nga polciia e Oslos për tejkalim të ditëve të qendrimit dhe më pas është kthyer. 

-Lisman Pëllumaj, Partia “Socialdemokrate”, Qarku Shkodër, ka deklaruar se është hetuar në Gieben në Gjermani për vjedhje në 2015-ën, por ka fituar pafajësinë me vendim të formës së prerë.

    Hetim dhe mosbesim 

    Për personat që deklarojnë probleme në formularin e dekriminalizimit, KQZ nuk ka kompetencë të kryejë verifikime të hollësishme, përveçse te marrë informacion nga Drejtoria shqiptare e Burgjeve për gjendjen penale të kandidatëve.

    Për këtë arsye, KQZ ka vendosur t’i kalojë rastet për verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, si institucioni i vetëm kompetent që kryen veriifikimin e deklarimeve të bëra. “Deklarimet nga kandidatët, në formën siç i kanë paraqitur, nuk përbëjnë shkak për ndalimin e kandidimit të tyre, por, sipas ligjit të dekriminalizimit, janë shkak për të kryer procedurën e hetimit të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme.”- tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

    Prokuroria e Përgjithshme është institucioni i vetëm që ka kompetencë të kontaktojë me organet ligjzbatuese të vendeve të huaja të përfshira dhe të konfirmojë deklarimet e kandidatëve për deputetë. Pervoja ka treguar se procesi kërkon kohë për t’u finalizuar, megjithatë, ajo që ka rendësi është se ligji i dekriminalizimit ka ndryshuar sjelljen elektorale të partive politike, në raport me institucionet, duke i detyruar ato të mos përfshijnë në politikë persona me të kaluar kriminale.

    Të paktën jo drejtpërsëdrejti. Sipas një studimi të vitit 2024 të Institutit të Studimeve Politike ende ka një perceptim të lartë negativ mes shqiptarëve për integritetin e përsonave të zgjedhur apo të zyrtarëve të lartë shtetërorë. 76.3% e të pyeturve në një anketim vitin e kaluar besojnë se “persona të inkriminuar ose të fortë di të vazhdojnë të ndikojnë në emërimin e zyrtarëve publikë gjatë periudhës 2025-2030. 


    Copyright © Gazeta “Si”


    Më Shumë