Politike

Nga negociatat tek eurot e sekuestruara…

Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e premte me një takim me ambasadorët e Bashkimit Europian dhe strukturat e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ku u diskutua për nisjen e punës përgatitore për hapjen e negociatave.

I pari që mori fjalën në këtë aktivitet ishte ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ripërsëriti atë që tha në Parlament një ditë më parë, kur iu drejtua opozitës, që vendi ka një afat të qartë për nisjen e bisedimeve dhe vuri theksin tek rëndësia që ka puna përgatitore për to.

“Kalendari është i përcaktuar qartë nga ana e vendeve anëtare dhe puna përgatitore që pritet nga ne, në bashkëveprim me KE, nga momenti që flasim deri në qershorin e vitit tjetër dhe më tutje. Janë dy procese, thellimi i reformave bazuar tek detajimi që ka dhënë Këshilli për pesë prioritetet dhe të fuqizojmë dhe operacionalizojmë infrastrukturën njerëzore në funksion të përgatitjes së hapjes së bisedimeve për anëtarësim”, deklaroi ai.

Holanda, që së bashku me Francën dhe Danimarkën ishin tre vendet skeptike ka më shumë punë në luftën kundër krimit të organizuar. Bushati rrëfeu një detaj.

Ministri Ditmir Bushati në konferencën e organizuar këtë të premte

“Kam patur një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm holandez, ku kemi përcaktuar një kalendar për një bashkëpunim më të mirë më Holandën, për të fuqizuar kryesisht bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese”, u shpreh ministri.

Kryeministri nga ana tjetër falenderoi të gjitha vendet e BE-së, por dy më shumë, që i cilësoi aktoret kryesore që edhe nga mbledhja e së martës e Ministrave të Jashtëm të BE-së, shmangën mundësinë që Shqipëria të anashkalohej. Për skepticizmin fajëson situatën e brendshme të BE-së,

“Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të Greqisë dhe Italisë ne nuk munguam aty dhe ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për ne dhe për fqinjin tonë Maqedoninë e Veriut, sepse rrezikonim të mbeteshim në këtë moment pa tekst. Të gjthë e dini që dy orë para vendimarrjes nuk kishim tekst për shkak të dinamikës së brendshme të tryezës së bisedimeve, ku 25 vende u rreshtuan në mënyrë të vendosur për të mbështetur çeljen e menjëhershme të negociatave dhe tre vende ishin në një pozicion të ndryshëm”, tha Rama.

Ripërsëriti se vendimi i Këshillit është rezultat i reformave të ndërmarra dhe kujtoi sakrificat e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia.

“Ne rrezikuam koalicionin me reformën në drejtësi, ndërsa fqinjët tanë ndërruan emrin”, vijoi ai.

Kërkoi më shumë punë për të kapur ritmin dhe për të qenë në lartësinë e problematikave të procesit të bisedimeve dhe për të kundërshtuar zërat se Shqipërisë i janë vënë kushte shtesë solli një bisedë personale më Kryeministrin e Malit të Zi.

“Habitem me ata që thonë që jo Europa ka vënë 13 kushte, 12 apo 7 kushte. Europa nuk ka vënë asnjë kusht. Ka nënvizuar të gjitha kushtëzimet që ka procesi në këtë fazë dhe ne qeshëm më Kryeministrin e Malit të Zi se po diskutonim për pesë prioritete dhe tha: “Prit se ne jemi brenda negociatave dhe tani kemi 94 kushte dhe kur të mbarojnë këto do të dalin 124 të tjera”. Këtu nuk është çështje kushtesh speciale, por përputhshmërie në çdo aspekt të organizimit të shtetit tonë me organizimin e një shteti në parametrat e një vendi anëtar të BE. Është sinkronizim i elementëve për të bërë dy organizmat një”, deklaroi kreu i Qeverisë.

Flet edhe për skenarin më të keq. “Edhe sikur të mos kishim një datë ne do të vazhdonim rrugën e reformave. Do të bënim atë që bëjmë përditë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Këto nuk do të ndalonin nëse do të ishin hapur menjëherë negociatat apo jo. Negociatat nuk janë të rëndësishme vetëm për anëtarësimin, por ne thellojmë procesin e shtetbërjes europiane”, thotë ai.

Lulzim Basha në daljen për gazetarët para selisë së PD

Pak orë më vonë, gjatë një deklarate për gazetarët para selisë së Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ndan të njëjtin mendim, madje parashikimi i tij është shumë herë më i zymtë.

“Pa luftuar krimin dhe drogën, pa larguar politikanët e lidhur me krimin, pa larguar politikanët e korruptuar, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat as në vitin 2019. Aq sa iu hapën në vitin 2016, aq sa iu hapën në vitin 2018, aq do t’i hapen edhe vitin e ardhshëm në qoftë se kemi përsëri Sajmir Tahirin i cili nuk përballet me drejtësinë sepse e mbron Edi Rama, Fatmir Xhafën Ministër të Brendshëm më vëllain trafikant droge, Kryetarin e Grupit Parlamentar, sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste garantues i pastrimit të parave të pista dhe Edi Ramën që sundon mbi këtë perandori të krimit”, u shpreh ai.

Basha la të kuptohej se është asgjësuar qëllimisht Gjykata Kushtetuese dhe gishtin e drejtoi nga Rama.

"Pse është asgjësuar Gjykata Kushtetuese? Që të kemi zot dhe shkop Edi Ramën, Kryeministrin e lidhur me krimin”, vijoi më tej.

Strategjia e PD është përballja në të gjitha frontet me mazhorancën dhe një i tillë është edhe çështja e Teatrit Kombëtar, projektligji për të cilin pritet të kalojë në seancën e 5 korrikut në Parlament.

“Do ta kundërshtojmë në Komisionet Parlamentare dhe në seancë. Kjo është grabitje dhe bëhet që Edi Rama të marrë 50 për qind të milionave të drogës. Do t’i kërkojmë Presidentit t’i vërë veton këtij ligji dhe do t’i bëjmë presion faktorit ndërkombëtar që ka një përgjegjësi, sepse vendi është pa Gjykatë Kushtetuese”, deklaroi Basha.

Nga gazetarët u pyet për foton e publikuar një ditë më parë nga Taulant Balla. Nuk e mohoi, por ndan një interpretim krejt tjetër nga kreu i Grupit Parlamentar socialist.

“Fotoja vërteton vetëm që Taulant Balla e ka marrë atë nga banda e Elbasanit. Unë si politikan takoj me mijëra njerëz dhe nuk jam i sigurtë është apo jo ai. Nëse është ai ta marrin ta arrestojnë. Personi në fjalë nuk më thotë asgjë. Balla është garantuesi i kalimit të parave të bandës së Elbasanit”, deklaroi Basha.

Çështjen e makinës Toyota Yaris me 3.4 milionë euro të fshehura në të e denoncoi në Parlament tre ditë para se policia të kryente operacionin e ndalimit në Portin e Durrësit, por akuzoi edhe uniformat blu.

“Policia është njoftuar nga partnerët dhe ato janë para droge që pastrohen me bekimin dhe garancitë e kupolës së Partisë Socialiste. Normalisht, policia duhet ta kishte ndjekur se ku do të shkonin paratë, policia duhet të kishte ndjekur informacionin e plotë që kishte aty, por policia nuk është as për të arrestuar kokat e krimit, as për të vënë para përgjegjësisë Taulant Ballën që është garantuesi i marrëveshjes. Është aty për të ndjekur denoncuesit.”, u shpreh ai.

https://www.facebook.com/b.taulant/photos/a.289748271070781.67467.283447241700884/1775694725809454/?type=3&theater

Thuajse në të njëjtën kohë me këto deklarata të Bashës, Taulant Balla postonte në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale fotografinë ku shfaqet Lulzim Basha me disa persona. Është e njëjta fotografi që tregoi gjatë seancës parlamentare të së enjtes, ku tha se në krah të kreut të PD-së është vëllai i dy shtetasve të shpallur në kërkim si porositësit e eurove të sekuestruara. Ngre disa pyetje për Bashën.

“A ke njohje personale ti Lulëzim Basha edhe me personat e shpallur në kërkim? A kanë qenë ata financues të Partisë Demokratike në aktivitete politike të saj? A bëjnë pjesë këta persona në një anturazh të ngushtë të Lulëzim Bashës? Përpjekja e sotme e PD që shpifjen ta kthejë në qëndrim zyrtar të Partisë Demokratike, për ta përdorur si alibi në procesin gjyqësor, nuk e shpëton dot Lulëzim Bashën!”, thotë Balla.

Akuzat e ripërsëritura të Bashës ndaj Ballës e detyruan deputetin socialist që të reagojë sërish dhe paralajmëron dorëzimin e një padie të tretë ndaj kreut të demokratëve në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

“Pas shpifjeve dhe ofendimeve të reja të Lulzim Bashës, tanimë drejtuar gjithë grupit parlamentar, ndërkohë që jemi të bindur se afera e eurove të sekuestruara do të zbardhet plotësisht pasi të kapen autorët në kërkim (me të cilët lidhja e PD është antike ndërsa e Lulzim Bashës me ta është së paku fotografike), po vlerësojmë çuarjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda të një padie të tretë, në tre ditë për gojën e tij të përdale totalisht pas vendimit të Këshillit Europian për datën e negociatave”, deklaron Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë