Analize

Nga muzika në politikë/ Kush është Afrim Gashi i ‘Xhepave të Zbrazëta’, kreut të Kuvendit në Maqedoninë e Veriut

Nga Megi Iskurti – Me një shumicë prej 76 votash, Afrim Gashi, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut është shqiptari i parë që u mbështet nga një numër kaq i madh deputetësh në marrjen e kësaj detyre.

Megjithatë, nga radhët e shqiptarëve ai mbetet kryetari i dyti në të njëjtën detyrë pas Talat Xhaferit i cili përpara se të merrte rolin drejtues të qeverisë teknike si kryeministër në janar, ka shërbyer dy herë si kryetar i Parlamentit të RMV-së.

Pas debatit që zgjati rreth katër orë dhe aktit të votimit që u sabotua nga deputetët e Fronit Europian që drejtohet nga BDI-ja, tashmë në opozitë, Gashi premtoi gjatë betimit respektim të së drejtës së lirisë së shprehjes dhe përkushtim në realizimin e kësaj detyre. Por kush është Afrim Gashi dhe cila ka qenë trajektorja e tij në politikë?

Muzikë, publicistikë dhe…politikë/ ‘Ecejaket’ e Afrim Gashit ndër vite

Pakkush e di që ky “Afrim” i cili sot qëndron në krye të Parlamentit është i njëjti person që gjatë shkollës së tij të mesme ishte angazhuar me tërësej në muzikë.

Atëbotë në 1995-ën kur themeloi grupin “Xhepat e Zbrazëta” ai dhe anëtarët e tjerë ishin me të vërtetë trok nga xhepat. Afërmendsh, kjo ishte filozofia pas emrit të grupit. Të ndikuar nga valët e reja të hip-hopit dhe zhvillimit urban që kishte kapluar pjesën shqiptare të Shkupit, Afrim Gashi dhe muzikantët e tjerë kishin marrë guximin të shprehnin veten ndaj botës.

Majtas, Afrim Gashi duke kënduar në një koncert me grupin e tij “Xhepat e Zbrazëta” në vitin

Thelbi i teksteve të tyre ishte një formë e narracionit tranzitor ku rinia shqiptare, mbase edhe të ndikuar nga seriali Beverly Hills kishin “zbuluar” dhe ndjerë nevojën për të shprehur dashurinë dhe bërë atë të përbotshme përmes instrumenteve elektronike në formën e Alphaville, por megjithatë me motive të sublimuara të dashurisë idilike dhe realitetit kulturor shqiptar të viteve ’90 në Shkup.

Megjithatë, rruga e tij me muzikën u nda kur ai mbaroi Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës në 2007-n, asokohe kur nisi të mendonte për një ecejake akademike dhe sakaq, edhe politike.

Përpara se të themelonte Lëvizjen Besa, Gashi punoi për do kohë në revistën “Shenja”.

Për ata që sot përpiqen të njohin identitetin politik të Afrim Gashit, mund ta kuptojnë kollaj nëse hulumtojnë në tematikat e punuara dhe editorialet që ai ka lëvruar për sa kohë ishte kryeredaktor i revistës.

Po t’u hedhësh një sy, kupton që Revista Shenja, për gjithë ato vite sa ka qenë nën menaxhimin e tij, ka prodhuar një ligjërim të fuqishëm patriotik, me tone të theksuara kritike për shtresën e tanishme politike, por gjithmonë në përpjekje të konservimit të traditës shekullore bosht i së cilës ishte vatra – familja shqiptare. 

Themelimi i Lëvizjes Besa (sot Alternativa)

Aktivizimi i tij në politikë filloi qysh në 2014-n kur u themelua partia politike e qendrës së djathtë në Maqedoninë e Veriut, e njohur me emrin Lëvizja Besa në të cilën ai u angazhua jo pak duke qenë një nga themeluesit.

Gashi u bë kryetar i saj katër vite më vonë, në 2018-ën.

Në fjalimin e parë si kryetar, asokohe Gashi hapi dyert e bashkëpunimit me të gjitha partitë shqiptare dhe potencoi se do të angazhohej që veçanërisht me opozitën shqiptare të kishte bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira.

Megjithatë, pas disa përplasjeve të mëvonshme që ndodhen në parti, Gashi në mars të vitit 2019 me disa bashkëpunëtorë të tij formoi partinë Alternativa.

Përpara se të bëhej kryetar Kuvendi i RMV-së, Afrim Gashi u zgjodh deputet si në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2016 ashtu edhe në zgjedhjet e 2020-s.

Gashi dha dorëheqjen si kreu i Alternativës para se të zgjidhej kryetar kuvendi i RMV-së

Përplasjet dhe replikat me BDI-në

Si një ndër drejtuesit e koalicionit të partive opozitare VLEN që në zgjedhjet e 8 majit fitoi 14 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Gashi ka shëmbyer jo pak herë replika me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe frontin e saj.

Raporti jo i mirë mes tyre u vu re edhe ditën e djeshme kur deputetët e BDI-së u larguan nga salla.

Në një reagim në web-in e Alternativës, theksohet se “BDI-ja ashtu siç e braktisi garën elektorale shqiptare, iku edhe nga mundësia që të dëshmojë se është për kandidat shqiptar, ashtu siç kanë pretenduar për vite të tëra se angazhohen për përfaqësim të lartë të shqiptarëve në institucionet më të larta të shtetit.”

Reagimi i Alternativës theksoi se BDI-ja dhe fronti i saj nuk arritën të dalin nga interesat e ngushta partiake, duke dëshmuar sipas tyre se ata nuk kujdesen për shqiptarët, por kujdesen vetëm për pushtetin e tyre të ndërtuar me korrupsion.

Përveç kësaj, qëndrimin e tyre Alternativa e sheh si një shenjë të keqe se “ata duke dashur të shkaktojnë destabilizim të institucioneve, po e rrezikojnë edhe agjendën europiane, për të cilat gjoja janë angazhuar në vitet e tyre të politikës.”

“Të mos lejojmë që të ‘kosovarizohet’ sërish Kuvendi”

Kundër kandidaturës së Afrim Gashit ka dalë partia E Majta duke akuzuar VMRO DPMNE-në se po e “kosovarizon” Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

“Mickovski do të ketë mbështetje të plotë nëse nuk pranon që kryetari i ardhshëm i Kuvendit të jetë shqiptar. Mbështetja jonë do të jetë pa kushte, vetëm e vetëm të mos lejojë që të kosovarizohet sërish Kuvendi i Maqedonisë. Është antikushtuese që të flitet në Kuvend në gjuhë të huaj, aq më tepër seancat e Kuvendit të udhëhiqen në gjuhën shqipe”, deklaroi Dimitar Apasiev, kryetar i partisë E Majta.

Tashmë, pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit, në afat prej dhjetë ditëve presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova pritet të dekretojë kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski si mandatar për formimin e Qeverisë së re.

Bazuar në paralajmërimet e VMRO DPMNE-së, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë