Politike

Nga minimumi jetik 200 euro tek rritja e pensioneve / Berisha prezanton listën e amendamenteve të PD për pr.buxhetin 2025

Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha ka prezantuar listën e amendamenteve të Partisë Demokratike për projekt-buxhetin 2025.

Në një konferencë për shtyp, kreu i PD-së parashtroi 17 pikat për buxhetin e radhës.

“1. Minimumi jetik 200 euro (20mijë lekë).

2. Rritja e pensioneve dhe pesëfishimin e fondit për rritjen e tyre, pra nga 16 mln euro në 80 mln euro.

3. Trefishimi i fondeve për të përndjekurit politikë, (nga 1.2 miliardë leke në 4.2 miliardë lekë).

4. Rritja me 1% të PBB-se të buxhetit të arsimit (dhe rritje graduale me 1% çdo vit derisa të arrijë në shifrën 5 përqind).

5. Rritja me 1% te PBB-se të buxhetit të shëndetësisë (rritje graduale me 1% çdo vit gjer në shifrën 5 përqind).

6. Rritje me 50% të fondeve për barnat e rimbursueshme (60 mln euro shtesë). Kanë hequr nga rimbursimi ilaçet jetike, sidomos për pensionistët dhe të tjerë.

7. Pezullimi i menjëhershëm i të gjitha pagesave buxhetore për PPP-të në shëndetësi (përveç dializës).

8. Rritja me 10% e pagave të gjithë administrates publike (përveç pagave të larta).

9. Rritje me 20% të pagave të mësuesve dhe pedagogëve, mjekëve dhe infermierëve.

10. Fondi për kërkimin shkencor rritet në 20 milionë euro.

11. Rritja e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë me një shtesë prej 130 milionë euro.

12. Mbështetje e prodhimit vendas me 50 mln euro.

13. Katërfishim i subvencionit për fermerët, blegtorët dhe agroindustrinë, nga 30 në 120 mln euro.

14. Rritja jo më pak se 15 mln euro shtesë fondeve për Spitalin Onkologjik duke vendosur 10 përqind të akcizës.

15. Përgjysmimi i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore dhe vendore (pa cenuar shpenzimet jetike, të sigurisë dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë).

16. Trefishimi i fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve”, deklaroi Berisha.

Ai tha se kjo është fytyra e buxhetit që paraqet sot PD në parlament.

“Me këtë buxhet, të dashur qytetarë, nuk kemi lënë asnjë vepër publike pa vazhduar punën, por së pari kemi barazuar apo kemi përparësuar investimin në radhë tek njeriu dhe pastaj te kapitali fizik.

Së dyti, pjesëtohet me 10 çmimi i ndërtimit të rrugëve dhe punëve të tjera publike dhe parashikohet çmimi mesatar i ndërtimit si në vendet e BE”, tha Berisha në konferencën për shtyp.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë