Nga kjo çështje u ndamë me pak fjalë, por edhe me një lloj premtimi: “Do të flasim sërish nëse vendosim të provojmë të investojmë në Itali”. Personi në fjalë është Al Ardhi, numri një i InvestCorp, fondit arab që vetëm dy muaj më parë tentoi, pa sukses, të ngjitej në Milano, i cili më pas përfundoi në duart e RedBird dhe Gerry Cardinale. Atëherë, si sot, horizonti i tyre është ai në Serinë A dhe objektivi, s’ka nevojë të thuhet, mbetet Milano, qendra e gravitetit të një ekonomie që sado e çalë, di të mbetet e gjallë. Por kësaj radhe diçka ndryshon: është ngjyra e fanellës: nga kuqezinjtë te zikaltrit. A thua sikur të ishte gjë e vogël. Nga Milani te Inter, shkruan La Repubblica, gjithnjë në kërkim të një sipërmarrjeje të suksesshme nën hijen e Madonnina-s.
Por le të fillojmë me faktet. Muajt e fundit, Suning gjithmonë ose pothuajse gjithmonë e ka mohuar se dëshiron të kalojë stafetën. Ndërkohë, megjithatë, shpeshherë nga Kina kanë mbërritur zëra që shkonin në një drejtim tjetër. Nga njëra anë për shkak të disa problemeve financiare të gjigantit Zhang, nga ana tjetër për shkak të kufizimeve që qeveria kineze po u vendos sipërmarrësve të saj, të cilëve u ka kërkuar të investojnë në atdheun e tyre dhe mundësisht në sektorë më shumë strategjikë sesa futbolli.
Lajmi i rilançuar nga Repubblica, me pak fjalë, nga ky këndvështrim nuk është befasues edhe sepse, përveç InvestCorp, në plan do të ishte edhe Holdingu amerikan Ares Capital, i lidhur tashmë me Fondin e Barhainit si një investitor i mundshëm në blerjen e dështuar të Milanit. Ndër të tjera, burimi i informacionit është në SHBA, në mesin e financave të larta amerikane dhe duket se përkon me një udhëtim të drejtorit ekzekutiv të zikaltërve Alessandro Antonello dhe një delegacioni të madh dhe të rëndësishëm të Interit, majin e kaluar, me rastin e Mbrëmjes Gala të Serisë A, mbajtur në Muzeun Metropolitan. Mund të ketë ndodhur që mes një shtrëngimi duarsh dhe një vizite në “Little Italy”, të ketë pasur edhe një një bisedë për të ardhmen e Itnerit. Por ajo që dimë me siguri është se interesi i InvestCorp për futbollin milanez dhe të gjithë rrethinat e tij është real, duke filluar nga stadiumi dhe deri qyteza luksoze përreth.
Nëse në ditët në vijim sondazhet kthehen në fakte – fondi arab tashmë është treguar jashtëzakonisht konkret – nuk do të habiteshim aspak. Se marrëveshja mund të realizohet në të vërtetë, mbetet ende për t’u parë. Koha do ta tregojë. Por ëndrra milaneze e InvestCorp nuk u ndal te Milani. E mbani mend premtimin? “Ne do të flasim sërish për këtë nëse vendosim të përpiqemi të investojmë në Itali”. Ja, ndoshta ka ardhur ajo ditë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




