Futboll

Nga Milan e Lacio te Këlcyra, nga Tare te Matiç: Gjuha unike e futbollit

Tragjedia që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës, ku një tërmet i fuqishëm mori dhejtra jetë njerëzish dhe rrënoi shumë banesa në Durrës e Thumanë, ka solidarizuar gjithë botën e futbollit në vendin tonë dhe jo vetëm. Pas përhapjes së lajmit, mesazhet solidarizuese të shumë personaliteve të futbollit në rrjetet sociale ishin të shumta, por njerëzit e futbollit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata janë bërë të gjithë bashkë për të mbështetur familjet e prekura nga tragjedia.

Surprizuese ishte mbështetja e klubeve të mëdhenj si Milan dhe Lacio. Madje, klubi ku drejtor sportiv është Igli Tare dhe ku luajnë Tomas Strakosha, Valon Berisha dhe Riza Durmishi, kanë marrë një nismë për mbështetje financiare për zonat e prekura nga tërmeti. Klubi i Lacios ka publikuar një numër llogarie, ku të gjithë mund të kontribuojnë për të ndihmuar familjet në Durrës dhe Thumanë. Igli Tare, duke folur për tragjedinë, u shpreh se do të bënte gjithçka për të ndihmuar vendin e tij. Po aq domethënësë është edhe nisma e klubit të Kategtorisë së Dytë në vendin tonë, Këlcyrës, që pavarësisht financave modeste, vendosi të japë 6 milionë lekë për familjet e prekura nga tërmeti.

Nisma e Lacios për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti. Gazeta Si, 27 nëntor 2019

Vëmendje të veçantë ka marrë edhe postimi i mesfushorit serb të Mançester Junajtid, Nemanja Matiç, i cili në rrjetet sociale shkruante: “Le të lutemi për Shqipërinë!” Një gjest domethënës që vërteton se gjuha e futbollit është unike dhe se ndjeshmëria ndaj tragjedive të tilla njerëzore sensibilizon edhe atë që mund të konsiderohet “armik”. Mesazhe sensibilizuese kanë ardhur nga shumë klube të huaja dhe jo vetëm nga ata që kanë futbollistë shqiptarë në radhët e tyre.

Postimi i Nemanja Matiç. Gazeta Si, 27 nëntor 2019

FSHF-ja ndërkohë ka vendosur të pezullojë gjithë aktivitetin futbollistik të fundjavës. “Sytë dhe zemrat tona janë pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre dhe solidarizohemi me të lënduarit nga kjo ditë e vështirë”, - shkruhej në njoftimi zyrtar të FSHF-së për ndërprerjen e kampionateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë