Futboll

Nga Mesi te Mbape, dorëzimi i stafetës që shenjon ndryshimin në futbollin botëror

Gazeta Si – Nuk i shënon Realit, armikut të përhershëm, që nga maji i 2018-ës. Zgjidh ndeshjen me goditjen fituese në shtesë. Gabon një penallti, që mund të kushtonte shtrenjtë. Fiton penallti pas një aksioni të shpejtë klasik. Është 34 vjeç dhe ka pas krahëve shumë trofe. Është 23 vjeç, një e tashme prej ylli të futbollit botëror, si dhe një e ardhme e shkruar prej një lojtari të jashtëzakonshëm.

Leo Mesi dhe Kilian Mbape nuk mund të gjenin një mbrëmje më të mirë se ajo ndaj Realit të Madridit për të shenjuar një pikë ndryshimi në futbollin botëror.

Lionel Mesi dhe Kilian Mbape. Gazeta Si, 16 shkurt 2022

Nuk është një dorëzim stafete përfundimtar, duhet edhe fare pak. Sfida PSG-Real ka treguar shumë gjëra, jashtë parashikimeve, si për shembull, një Real në versionin provincial italian të viteve ’70, me autobusin të parkuar para zonës, me dy sulmuesit anësorë që u thirren për të markuar dy mbrojtësit anësorë kundërshtarë. Edhe ky mund të jetë një ndryshim, apo dorëzim stafete, me PSG-në që bën pjesën e preferuar të madrilenëve.

Mesi, në një pozicion hibrid, pak si “9” false dhe pak si organizator loje, nuk mund të dilte nga vetja. Disa depërtime, shërbime për shokun e sulmit dhe disa kombinime me ndonjë shok kanë kujtuar Mesin e kohëve të arta, por mungoi diçka që identifikon fenomenin që ndryshon ndeshjet.

Mesi pas penalltisë së humbur. Gazeta Si, 16 shkurt 2022

Mënyra si gjuajti një penallti aq të rëndësishme ishte manifestimi më i mirë i fazës aktuale të karrierës së argjentinasit. Opinioni publik francez ka kohë që nuk po bindet, ndërsa “Equipe” është e pamërshirshme në vlerësimin e saj: “Sipas llogarive, sezoni i Mesit deri këtu me PSG-në është i dështuar, vetëm 7 gola në 21 ndeshje”.

Me Nejmar jo në formë optimale, PSG ka fatin që refuzoi milionat që pikërisht Reali kishte ofruar për të marrë Mbape në Madrid. Edhe pse duket se kalimi vetëm sa është shtyrë, Kilian është ende në Paris dhe francezët mund të shijojnë ende shpejtësinë dhe golat e tij. Të martën në mbrëmje ai tregoi repertorin e tij të kompletuar, me shkëputje të papritura, me “vetëtima” që djegin kundërshtarët, të cilët duken të palëvizshëm para tij.

Kilian Mbape feston golin ndaj Realit. Gazeta Si, 16 shkurt 2022

Në minutën e fundit shtesë bën edhe dhuratën më të bukur, duke zgjidhur ndeshjen me lojën dhe fantazinë individuale. Kalon në mes të dy mbrojtësve të Realit dhe lë në vend Kurtuanë, i pathyeshëm deri në atë moment. Duartrokitje dhe ovacione për një yll që shkëlqen prej kohësh në futbollin botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë