Fitorja e Vllaznisë kundër Kukësit shpalli Tiranën kampione dy javë përpara mbylljes së kampionatit dhe presidenti Refik Halili foli gjatë pas konfirmimit të titullit kampion. Për “Supersport”, Halili deklaroi se nëse klubit nuk do t’i jepet leja për të organizuar festën e titullit kampionë në stadiumin e tij, Tirana do të organizojë një festë simbolike me dy mijë veta.
Festa- “Kënaqësia është shumë e madhe dhe kjo është një punë e bërë prej shumë kohësh. Nga punëtori i fushës te presidenti, të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre. Titullin kampion ia dedikojmë të gjithë skuadrës. Kam dhënë një kontribut shumë të madh në këtë ekip. Jam shumë i gëzuar që klubi jonë me stafin, lojtarët arritëm t’i shtonim dhe një trofe klubit tonë. U bënë me 25 tituj kampionë. Kemi shumë gjëra për të thënë sesi arritëm deri këtu, kemi pasur një menaxhim më të mirë në këtë sezon. Kemi pakësuar borxhet, që prej vitit 2015.

E dini të gjithë që punon një grup që merret me organizimin e festës. Pandemia na ka mbërthyer keq. I bëjmë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, që të na lejojë që të festojmë titullin në stadium kundrejt rregullave. Po shohim që po bëhen koncerte dhe organizime të tjera. Nëse nuk do të na e dëgjojnë kërkesën, atëherë do ta bëjmë një festë simbolike me 2.000 veta në një lokal të Tiranës, që do e bëjmë publike në këto kohë’’.
Trajneri- ‘’Egbo është trajneri i parë i huaj që arrin të marrë një titull kampion te Tirana. Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Gjej rastin t’i falënderoj Kostën dhe Xhafën, edhe drejtorin, zëdhënësin, drejtorin e stadiumit. Mbrapa ka qenë një ekip. Mbështetje të veçantë na ka dhënë tifozeria, që ka qenë një aset i çmuar. Do të ulemi me Egbo të bisedojmë se çfarë do të bëjmë për Ligën e Kampioneve. Nëse biem dakord vazhdojmë, nëse jo do të vazhdojmë me trajner tjetër’’.

Hetimi ndaj Bylisit?- ‘’ Po u them me saktësi dhe qetësi, falë Zotit, jam pranë stafit, bëmë një ndërhyrje. Nuk më pëlqeu skuadra. Ka shumë fjalë për t’u justifikuar. Ne kemi luajtur me formacion të tretë aty. Fola edhe me skuadrën, mund të ketë ndodhur ajo që: ‘Hajde se nuk na duhet kjo ndeshje’. Ky nuk është justifikim. Këto janë gjëra që kanë ndodhur në shumë skuadra. Mund të jetë ndonjëri që ka inat me mua. Do ta analizojmë këtë gjë. Brenda nesh, asnjë nuk ka futur asnjë lek, apo dollar, ndonjëri që ka qenë i pisët.

Ka nga ata që thonë se formacionin e bën presidenti. Unë po ju them vetëm kaq: djali im në 4-5 muajt e fundit është aktivizuar shumë rrallë. Edhe gruaja më thotë: çdo prind punon për të mirën e fëmijës së tij, por ti je nga të rrallët që nuk e kënaq“.
Merkato- ‘’ Ka futbollistë shumë të mirë që janë në çdo skuadër. Kemi punuar si klub. Ne shikojmë se çfarë trajneri pëlqen. Edhe drejtori shikon çfarë futbollistësh kanë vlerë. Shqipëria është vend i vogël. Brenda 10 ditësh do të kemi 2-3 futbollistë që mund të jenë të lirë në negociata, nëse janë të lirë do të jenë futbollistët tanë. Po ta kishim të saktë fare, nuk mund ta themi”.
Bonuset- ‘’ Me ortakët e mi, me bashkinë, kam biseduar për bonuset. Bashkia është e detyruar të japë bonus për ekipin. Këtë vit janë dhënë bonuse nga ana ime që nuk janë bërë kurrë që prej vitet 2004. Çdo lojtar ka marrë 15 milionë lekë. Nëse nuk shpërblen bashkia, do të gjejmë zgjidhje me kontratat e reja’’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




