Analize

Nga mbrojtja e shtresës së mesme te liria e grave. Ç’tha tjetër Obama veç mbështetjes për Kamala Harrisin

Nga Gazeta ‘Si’ – Nderime për ish zëvendëspresidentin Joe Biden, mbështetje e pasionuar për Kamala Harris, akuzat ndaj Donald Trump dhe thirrjet për të mbrojtur klasën e mesme dhe lirinë e grave.

Këta ishin disa ndër fragmentet kryesore që ravijëzuan fjalimin e ish presidentit të Amerikës Barack Obama gjatë Konventës Kombëtare Demokratike në Çikago, ku aftësitë oratorike të 63-vjeçarit bënë që fjalimi i tij të zinte titujt kryesorë të gazetave teksa Amerika është në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Ndërsa vlerësoi Joe Biden për heqjen dorë nga kulti i individit dhe lënien mënjanë të ambicies për hir të vendit, ai e mbajti më tepër fokusin e vlerësimit ndaj tij tek pagat më të larta, kostot më të ulëta të kujdesit shëndetësor dhe hapjen e 15 milionë vendeve të reja pune.

Dhe ndërsa mblidhemi këtu, njerëzit që do të vendosin për këto zgjedhje po bëjnë një pyetje shumë të thjeshtë: Kush do të luftojë për mua? Kush po mendon për të ardhmen time, për të ardhmen e fëmijëve të mi, për të ardhmen tonë së bashku? 

Ish-presidenti Barack Obama flet në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago më 21 gusht 2024

Një gjë është e sigurt: Donald Trump nuk po rri pa gjumë për këtë pyetje. Ja një miliarder 78-vjeçar, i cili nuk ka pushuar së ankuari për problemet e tij që kur zbriti në shkallët lëvizëse të artë nëntë vjet më parë. Ka qenë një rrjedhë e vazhdueshme grindjesh dhe ankesash që në fakt po përkeqësohen tani që ai ka frikë të humbasë nga Kamala. Janë pseudonimet fëminore, teoritë e çmendura të konspiracionit, ky obsesion i çuditshëm me përmasat e turmës

Thirrjet për të mbrojtur klasën e mesme dhe lirinë e grave

Në vazhdën e akuzave ndaj Trump, Obama u ndal edhe tek klasa e mesme e cila rrezikon të paguajë çmimin për një ulje tjetër të madhe të taksave që vetëm sa do varfëronte më tej të varfrit dhe do pasuronte akoma më shumë miliarderët.

“E vërteta është se Donald Trump e sheh pushtetin si asgjë më shumë se një mjet për qëllimet e tij. Ai dëshiron që klasa e mesme të paguajë çmimin për një ulje tjetër të madhe të taksave që do ta ndihmonte më së shumti atë dhe miqtë e tij të pasur. Ai vrau një marrëveshje dypartiake imigracioni të shkruar pjesërisht nga një prej republikanëve më konservatorë në Kongres, që do të ndihmonte në sigurimin e kufirit tonë jugor, sepse ai mendonte se përpjekja për të zgjidhur problemin do të dëmtonte fushatën e tij.

Atij duket se nuk i intereson nëse më shumë gra humbasin lirinë e tyre riprodhuese, pasi kjo nuk do të ndikojë në jetën e tij. Dhe mbi të gjitha, Donald Trump do që ne të mendojmë se ky vend është i ndarë në mënyrë të pashpresë: mes nesh dhe atyre, mes amerikanëve të vërtetë që – sigurisht – e mbështesin atë dhe të huajve që nuk e bëjnë këtë. Dhe ai dëshiron që ju të mendoni se do të bëheni më të pasur dhe më të sigurt nëse i jepni atij fuqinë për t’i kthyer ata njerëz të tjerë në vendin e tyre. Është një nga truket më të vjetra në politikë, nga një djalë, akti i të cilit – le ta pranojmë – është bërë goxha bajat”, tha Obama.

Ai shtoi se tashmë Amerika është gati për një kapitull të ri dhe nuk ka nevojë për katër vite të tjera rrëmuje dhe kaosi.

“E kemi parë atë film më parë, dhe të gjithë e dimë se vazhdimi është zakonisht më i keq. 

Të pranishmit shikojnë ish-presidentin Obama duke folur në DNC më 20 gusht. 

Kamala Harris mundet!

Obama u premtoi demokratëve se Harris do të “përqendrohet në problemet tuaja” dhe “nuk do të kujdeset vetëm për votuesit e saj”. Ai thekson historinë e saj si prokurore që ndjek bankat e mëdha dhe abuzuesit seksualë të fëmijëve.

“Amerika është gati për një kapitull të ri. Amerika është gati për një histori më të mirë. Ne jemi gati për një Presidente Kamala Harris. 

Dhe Kamala Harris është gati për këtë punë. Ajo është një person që e ka kaluar jetën duke luftuar në emër të njerëzve që kanë nevojë për një zë dhe një kampion. Siç keni dëgjuar nga Michelle, Kamala nuk ka lindur në privilegj. Ajo duhej të punonte për atë që ka. Dhe ajo në fakt kujdeset për atë që njerëzit e tjerë po kalojnë. Ajo është fqinja që nxiton për të ndihmuar kur të duhet një dorë. 

Përsa i përket kujdesit shëndetësor, ne të gjithë duhet të jemi krenarë për përparimin e madh që kemi bërë nëpërmjet Aktit të Kujdesit të Përballueshëm, duke u ofruar miliona njerëzve akses në mbulim të përballueshëm, duke mbrojtur miliona të tjerë nga praktikat e paskrupullta të sigurimit.

Por Kamala e di se ne nuk mund të ndalemi këtu, prandaj ajo do të vazhdojë të punojë për të kufizuar kostot e xhepit. Kamala e di se nëse duam t’i ndihmojmë njerëzit të ecin përpara, ne duhet të vendosim një diplomë kolegji në dispozicion të më shumë amerikanëve. Por ajo gjithashtu e di se kolegji nuk duhet të jetë bileta e vetme për klasën e mesme. Ne duhet të ndjekim drejtimin e guvernatorëve si Tim Walz, i cili tha, nëse keni aftësi dhe dëshirë, nuk duhet të keni nevojë për një diplomë për të punuar për qeverinë e shtetit. 

Dhe në këtë ekonomi të re, ne kemi nevojë për një President që në fakt kujdeset për miliona njerëz anembanë këtij vendi, të cilët zgjohen çdo ditë për të bërë punën thelbësore, shpesh pa falënderim: të kujdeset për të sëmurët tanë, të pastrojë rrugët tona.

 Ne kemi nevojë për një President që do të mbrojë të drejtën e tyre për të bërë pazare për paga dhe kushte më të mira pune. Dhe Kamala do të jetë.

Po, ajo mundet!”

Turma brohorit: “Po, ajo mundet!” )

Marrë nga The Time/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë