Ekspozite

Nga lindja te vdekja – Jorganët që na mbuluan dhe zeja që harruam

Ai vjen nga një familje jorganpunuesish. Katër breza zejtarësh ka gjurmuar, qysh prej gjyshit që nga Stambolli bashkë me osmanishten, solli edhe zejen që e kaloi më pas tek bijtë. Ermal Sela nuk e trashëgoi dhuntinë e familjes dhe vetë zeja nisi të zbehej e të harrohej pas viteve ’90, por i ka të gjalla kujtimet kur në shtëpinë e tij punoheshin porositë fshehurazi, edhe gjatë diktaturës. Sot i ka përmbledhur në një studim të vogël dhe me fotografitë e modeleve që arriti të mbledhë, afro dyqind syresh, çeli edhe një ekspozitë në mjediset e Kalasë së Tiranës.

Duke gjurmuar zejen e familjes së tij, që edhe i dha rrugës "Kongresi i Manastirit" në kryeqytet, emërtimin e ri si “Rruga e Jorganxhinjve”, Sela ngjall në kujtesën kolektive motivet e ndryshme të jorganëve të punuar me dorë nga esnafët dhe zbulon të gjithë procesin pas produkteve.

Ermal Sela me katalogun e punuar prej tij "Jorganët, zeja e harruar"

Motivet floreale, gjeometrike, simbolet kombëtare apo edhe pagane të qepura me pe mëndafshi mbi cohërat e atlasit, që ngjyroseshin me produkte bimore e metoda natyrale sipas sebepit që porositej, ndërsa jorganët sa intimë ku shërbenin si shtrojë, ishin edhe arsye mburrjeje për çdo shtëpi, që kujdesej ta linte derën e dhomës gjysmë të çelur, ku vizitorët mund të përvidheshin me vështrim. Artistët e popullit - mjeshtrit jorganxhinj, ne çdo periudhë kohore përmes punës së tyre kanë pasqyruar ndjenjat e tyre, duke prezantuar të mirën dhe të bukurën, ke i mishëruar ndjenjat me ambientin dhe gjësendet qe kanë shoqëruar dhomën e fjetjes.

Edhe motivet gjeometrike të qepura në jorgan, tregon Sela, shërbenin si hajmali dhe ndryshonin, nëse ishte jorgan fejese, martese, lindjeje, një martesë e  dytë apo jorgani i vdekjes.

Sikurse pjesët e tjera të  tekstileve, edhe jorgani ka përfaqësuar zejtarinë e veçantë, e cila ka funksionuar mbështetur në motivet dhe figurat që ka përdorur mjeshtri popullor për t'i plotësuar kërkesat dhe besimet e popullit.

E trëndafilta, e kuqja e ndezur, ngjyra vishnje përdoreshin kryesisht në jorganët e vajzave. E verdha, e florinjta, bluja ishin kryesisht për djemtë. Jorgani i vdekjes, kryesisht punohej në ngjyrë gri.

Nga ekspozita "Jorganët - Zeja e harruar", në Kalanë e Tiranës

Mbështetur në koleksionin e fotografive në këtë katalog të jorganëve, etnologu Nexhat Çoçaj thotë se jorganët përpos funksionit të mbrojtjes së trupit (mbulimi i trupit) një rëndësi te veçantë i kanë kushtuar funksionit informativ, funksion cili, siç shihet ka qenë mënyra e komunikimit me njerëzit. Tek jorganët e çifteve të martuara mbizotëronin  figurat që, kanë simbolizuar pjellorinë dhe dëshirën e shtimit të anëtarëve të familjes.

“Kështu që, nga momenti i martesës së një çifti, pastaj lindja e fëmijës,  jorganë për raste të synetisë, pagëzimit, shkuarja mysafir diku, e shumë veprime tjera kanë qenë pjesë e motiveve të jorganxhive. Gjithsesi duhet veçuar se motivet më të përhapura kanë qenë jorganët me figurat qiellore si dielli, hëna, yjet etj., Pastaj motivet mbrojtëse të shëndetit të njerëzve siç janë motivi me hajmali, motivi i jorganëve me figurën e gjarprit etj.”, shkruan Çoçaj në parathënien e katalogut, të përgatitur nga Ermal Sela.

Vetë Sela thotë se nuk ka informacion të saktë se kur ka nisur tradita e punimit të jorganëve në trojet shqiptare, por mendohet të jetë e lashtë.

Për shkak të specifikave të veçanta të kësaj zejtarie, mjeshtri i kësaj zeje kryesisht ka qenë i gjinisë mashkullore, e që ishte specialist i qepjes dhe i endjes së figurave që përfaqësonin botën shpirtërore dhe emocionale të njerëzve të të gjitha moshave dhe kategorive. Nga gjerësia e përdorimit të kësaj zeje, mund të thuhet se ka qenë e përhapur në gjithë hapësirën shqiptare dhe varësisht nga statusi i familjarëve, janë punuar jorganë me motive të ndryshme.

Jorgan i punuar me motive kombëtare

Zeja mendohet se ishte e përhapur në qytetet e mëdha si; Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Korça, Gjakova, Prizreni, Peja e Prishtina.“Familja ime punonte jorganë vetëm për qytetin”, rrëfen Sela për Gazeta Si, duke shtuar se familja e tij kishte dy dyqane, ku punoheshin dhe  shiteshin jorganë në Pazarin e Vjetër të kryeqytetit, sot zona ku është vendosur Pallati i Kulturës.

Pak ishin zejtarët jorganpunues në Tiranë dhe ata pak ishin të vendosur thuajse në të njëjtën rrugë. Patriarku i familjes Sela, Aliu, pas gjashtë fëmijëve dhe bashkëshortes, ua mësoi zejen edhe fqinjëve, duke bërë që e gjithë rruga të merrte famë më vonë si Rruga e Jorganxhinjve.

Edhe pse komunizmi e ndaloi biznesin privat, ata vazhduan të punojnë fshehurazi në shtëpi.“Edhe mamaje ime e ka qepur jorganin e martesës në këtë rrugë”, rrëfen bashkëshortja e Ermalit, Jonida, ndërsa thotë që sot e kësaj dite, kur e pyesin se ku banon, brezat që janë martuar në vitet ’70-’80, e njohin ende si Rruga e Jorganxhinjve.

Modelet e jorganëve, fillimisht vizatoheshin me dorë. Kështu nisnin ta mësonin zejen më të vegjlit e familjes dhe ngadalë, kur ishin gati, kalonin tek vizatimi në përmasa reale.  Motivi vizatohej mbi atlas, jorgani mbushej me pambukun që ishte krehur më parë dhe më pas qepej, në mënyrë shumë precize. Zeja nuk pranonte pasaktësi e aq më pak gabime, gjithçka duhet të ishte e përllogaritur mirë, në mënyrë që modeli të shpalosej i plotë.

Mjete të ndryshme pune, të jorgaxhinjve

“Thuhej se një gjilpërë jorganxhiu ishte e barasvlefshme me njëqind gjilpëra rrobaqepësi”, rrëfen Ermal Sela, ndërsa shton se ka trashëguar disa nga veglat e punës si makina qepëse, gërshërët e mëdha, rrotulla peri, metër ...Të gjitha të blera në Europë, përpara se të mbylleshin kufijtë.

Sela thotë se dy ishin rrugët nga ku orientoheshin jorganxhinjtë; tregu i Janinës dhe ai i Stambollit. Zejtarët lëviznin, merrnin materiale por edhe frymëzoheshin për modele.

Jo të gjithë mund të qepnin jorganë, ndaj edhe zeja ishte e lakmuar dhe duke qenë pak jorganpunues, kishte edhe përfitime.Edhe gjatë regjimit komunist, çmimi më i ulët për një jorgan ishte jo më pak se 2500 lekë.

Mjeshtri popullor, ka punuar jorganë sipas porosisë së konsumatorëve, të cilët në shumë raste edhe kanë kërkuar figura të veçanta për raste të veçanta si për grupin e parë, të dytin dhe të tretin. Figurat më të bukura të jorganëve, dalin përmes kombi nimit të ngjyrave dhe qepjeve në forma figurative. Në shumë jorganë dominojnë figurat simetrike, por nuk janë të pakta edhe rastet asimetrike, në disa zona industriale.

Pas viteve ’90, me hapjen e kufijve, Sela kujton se vinin njerëz nga Struga, Dibra e Madhe, Prizreni e Gjakova që kërkonin jorganë nga duart e gjyshit të tij.Prindërit apo gjyshërit e tyre ishin mbuluar me jorganët e punuar nga duart e familjes Sela dhe për nostalgji, edhe më të rinjtë kërkonin jorganë nga jorganxhiu me famë.

Gjyshi, kujton Sela, ka qenë edhe kryetari i jorganxhinjve të Tiranës, por ndonëse gjatë regjimit komunist zeja u industrializua, ishte e lehtë të dalloje një jorgan të punuar me dorë nga ai në seri, nga coha, nga qepja, nga motivet.

Në periudhën e bollëkut, ku ende nuk i ishte shpallur luftë klasave dhe familjeve të kamura, jorganët mbusheshin edhe me pupla të kushtueshme rosash.Sipas Selës kishte ferma që rritnin rosa, vetëm për t’u shitur puplat tek jorganxhinjtë.Në kohën e skamjes, pas kolektivizimit dhe kooperativizimit të gjithçkaje, kohë kur as pambuku nuk gjendej lehtë, zejtarët u drejtoheshin alternativave duke i mbushur jorganët edhe me lecka.

Në informacionet e mbledhura për studimin, të cilin synon ta zgjerojë duke gjurmuar zejen edhe në qytete të tjera, Sela thotë se përtej motiveve popullore të qepura në jorganë që shërbenin edhe si hajmali, brenda jorganëve vendoseshin edhe nuska për të larguar syrin e keq apo për mbarësi.

Motive jorganësh mbledhur nga Ermal Sela

Letra e kënduar dhe e shkruar nga një klerik fetar, sipas përkatësisë së familjes që e porosiste, futej brenda jorganit nga vetë i zoti i shtëpisë. Kishte edhe nga ato familje të pasura që e kërkonin jorganxhiut t’ia punonte jorganin në shtëpi dhe mjeshtri, me të gjithë stafin mësynte në derën e porositësit dhe ky i fundit kishte mundësinë ta shihte krejt procesin me sytë e tij. Sela ka gjurmuar edhe këngën e jorganxhinjve, ku për të larguar syrin e keq shahej kinse mjeshtri punues dhe jorgani. Kjo ndodhte veçanërisht, kur hapej paja e nuses.

Pas vitit 1994 zeja u zhduk. Sela kujton se me gjithë keqardhjen në familjen e tij pat edhe një frymëmarrje lehtësimi, ku anëtarët thanë se më në fund do të pushonin, pasi zeja ishte shumë e lodhshme dhe kërkonte veç fantazisë, precizonit në realizim dhe forcë fizike.

Ndryshimi i regjimeve dhe tranzicioni që prezantoi  ekonominë e tregut dhe konsumerizmin, solli me vete mbulojat industriale, të cilat nuk kryejnë funksion tjetër veç të ngrohtët që ofrojnë gjatë dimrit dhe jorganët me motive të qepura, që shtroheshin thuajse në çdo shtëpi shqiptari, qoftë  në zonat urbane ashtu edhe ato rurale, u harruan shpejt. Përmes punimit të jorganëve, mjeshtrit popullorë  kanë pasqyruar dëshirën dhe mundësitë e tyre për një jetë më të mirë.

Më shumë sesa shtroja, jorganët e atëhershëm shënjonin çdo stacion të jetës së njeriut, ku kishte një jorgan për lindje e një tjetër për vdekje, mbi të cilin jorganxhiu kishte derdhur të njëjtin përkushtim e mund.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë