Futboll

Nga Lampard te Bufon e Feliks, sa shumë lëvizje në 48 orë

Merkato është më e nxehtë se kurrë në këto ditë të para të korrikut. Janë të shumta lëvizjet që janë prezantuar në kampionatet kryesore europiane. Trajnerë dhe lojtarë kanë hedhur firmat në kontrata, duke zyrtarizuar aventurat e reja në karrierë.

Më i bujshmi ishte kalimi i talentit portugez, apo siç ndryshe quhet, “Ronaldo i ri”, Zhoao Feliks te Atletiko Madrid. Klubi madrilen pagoi 120 milionë euro për ta marrë portugezin nga Benfika dhe prezantimi i tij ka qenë më shumë se sa sensacional.

Por nuk është vetëm Feliks, pasi Atletiko ka bërë edhe tre goditje zyrtare brenda 48 orëve. Mbrojtësin brazilian Felipe që vjen nga Porto për 20 milionë euro dhe mesfushorin meksikan Herrera.

Një lëvizje që ka shkaktuar shumë bujë ka qenë edhe rikthimi i Bufon në shtëpi. 41-vjeçari pas një viti te PSG ku nuk la gjurmë, është rikthyer te Juventus, duke firmosur një kontratë me afat 1 vit. Gardiani legjendar në këtë rikthim të tij në Torino do të jetë portieri i dytë në radhë pas Sheznit. Mëngjesin e kësaj te enjte ai ka kaluar vizitat mjekësore, duke u pritur nga një numër i madh tifozësh që janë lumturuar me këtë lëvizje të gardianit legjendar të Juventus.

Blerje me peshë ka bërë edhe Totenham, që ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit francez, Tanguy Ndombele. Për ta marrë nga Lioni 22-vjeçarin, nënkampionët e Europës paguan plot 63 milionë paund.

Por kjo ditë nuk ka qenë dita e prezantimit vetëm për futbollistët, pasi një tjetër lëvizje ka shkaktuar shumë zhurmë ishte edhe ajo e Lampard. Në rolin e trajnerit tashmë, anglezi është rikthyer te Çelsi, ekipi ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës si futbollist. Lampard shkon në Londër pasi më herët ka drejtuar me sukses Derbi Kantri në Ligën e dytë të futbollit anglez.

Lampard ka firmosur një kontratë me afat 2-vjeçar te Çelsi, duke marrë në vit një rrogë prej 6 milionë paundësh. Prezantimi i tij është bërë nga drejtorja sportive, Marina Granovskaia me fjalë që kanë ngrohur të gjithë tifozët, “Ai është në shtëpi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë