Kryqi i bardhë vendosur në një fushë blu dhe në mes të tij një shqiponjë e zezë dykrenore me një tjetër kryq mbi të, po me ngjyrë të zezë poshtë të cilës shënohet viti 1914. Ky është simboli me të cilin paraqitet organizata ekstremiste greke, e ashtuquajtur “Fronti Çlirimtar i Vorio-Epirit”, njohur me akronime si MAVI.
Flamuri “frymëzohet” nga ngjarjet e ndodhura para Luftës së Parë Botërore, atëherë kur Shqipëria sapo kishte shpallur Pavarësinë dhe po ecte mes peripecish në rrugën e konsolidimit si shtet. Rruga ishte tejet e vështirë dhe si të mos mjaftonin armiqtë e jashtëm e orekset e tyre territoriale, përçarja e shqiptarëve bëri të veten.
Në të tilla kushte dhe në përpjekje për të gjetur një balancë mes fuqive të mëdha në rajon, Shqipëria vendoset nën protektoratin ndërkombëtar me udhëheqës Princ Vidin. Ky i fundit mbërrin në vendin tonë në mars të 1914, në kulmin e lëvizjeve dhe ndërhyrjeve të Greqisë në jug të vendit.
Përpjekjet për të vendosur autoritetin shtetëror minoheshin njëra pas tjetrës dhe “fjala” e Princ Vidit mezi dëgjohej në Durrës dhe rrethinat e tij, e jo më në jug të vendit ku vepronin ekstremistët e minoritetit grek të mbështetur nga Athina. Në këto kushte, Princ Vidi pranoi që të bisedonte me drejtuesit e të ashtuquajturit Vorio-Epir.
Të vetëdijshëm se kërkesa që jugu i Shqipërisë t’i bashkohej Greqisë do të refuzohej automatikisht nga Greqia, udhëheqësit vorio-epiriotë paraqitën në tryezë kërkesën për autonomi. Kërkesat e tyre u miratuan plotësisht më 17 maj të vitit 1914 në atë që njihet si “Protokolli i Korfuzit”, i firmosur në emër të Princ Vidit nga një Komision Ndërkombëtar Kontrolli, i ngritur për të zgjidhur këtë çështje.
Në vetvete, marrëveshja ishte një lëshim që iu bë palës greke, e cila synonte të pengonte zhvendosjen e trupave të saj në zonat jugore të Shqipërisë. Protokolli vendoste në një pozitë të veçantë krahinat e jugut, duke u njohur atyre një autonomi që përfshinte në pikat kryesore një administratë më vete, një xhandarmëri lokale, që vepronte vetëm në krahin jugore, njihej greqishtja si gjuhë e vetme zyrtare e komuniteteve ortodokse, ndërsa në shkolla e institucione të tjera, greqishtja do të ishte e barabartë me gjuhën shqipe.
Autonomia përfshinte Korçën dhe Gjirokastrën, por me këto terma, fati i këtij protokolli ishte dështimi. Zgjidhja e gjetur cenonte rëndë sovranitetin e popullit shqiptar në jug dhe më shumë sesa zgjidhje për kërkesat e minoritetit grek, kishte në sfond një pakt mes fuqive të mëdha.
Por, në terren nisja e Luftës së Parë Botërore dhe rezistenca e popullit shqiptar e bënë të pamundur zbatimin e këtyre pikave. 11 vite më vonë, Greqia pranon të nënshkruajë marrëveshjen e njohjes së kufijve aktualë dhe ideja e autonomisë së Vorio-Epirit zbehet.
Ideja u zbeh, por nuk u shua krejtësisht. Duke shfrytëzuar Luftën e Dytë Botërore, në skenë shfaqet për herë të parë Fronti Çlirimtar i Vorio-Epirit, MAVI me udhëheqës Vasil Shahinin. Nën maskën e luftës kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë, ky front u kujdes që të punojë edhe për arritjen e objektivave të vendosur nga Athina në atë kohë.
MAVI refuzoi bashkëpunimin me komunistët shqiptarë, pavarësisht thirrjeve të britanikëve për të krijuar një front më të fortë kundrejt pushtuesve. Veç kësaj, kjo organizatë ndoqi edhe një politikë ndëshkuese të ashpër, herë duke u djegur banesa e herë duke i vrarë pjesëtarët e tjerë të minoritetit që u bashkoheshin, apo ndihmonin partizanët.
Organizata pati mbështetjen e vazhdueshme të qeverive greke gjatë viteve të luftës, por për Athinën ajo zyrtarisht u shpërbë në fund të Luftës së Dytë Botërore, e cila në Shqipëri u pasua nga vendosja e regjimit komunist, ndërsa në Greqi nga një luftë civile mes forcave demokratike dhe atyre komuniste.
Të parat, me mbështetjen e madhe të britanikëve dhe amerikanëve ja dolën mbanë që të sprapsin komunistët dhe e shfrytëzuan revanshin ndaj tyre edhe për të shkaktuar ato që njihen si provokimet e gushtit të 1949 përgjatë vijës kufitare me Shqipërinë.
Nga gushti deri në shtator pati disa përballje mes dy vendeve nga Kapshtica deri në Qafë-Botë. Më i rëndi ishte sulmi në pikën kufitare të Vidohovës, në zonën e Devollit. Këtu pati përleshje të ashpra, që përfunduan me të vrarë nga të dyja palët. Nisur nga rezistenca e hasur, ushtria greke u tërhoq. Zyrtarisht në 1949 u quajtën provokime, e po ashtu e trajtoi edhe historia më vonë, por për disa historianë nuk bëhet fjalë për provokime, por për një mësymje të dështuar të ushtrisë greke në jug të Shqipërisë.
Ky ishte incidenti madhor pas Luftës së Dytë Botërore. Vitet e mëvonshme do të shoqëroheshin me tensione në kufi, por përplasjet ishin minimale.
Operacioni “Fshesa” dhe masakra e Peshkëpisë
Pas “provokimeve” të 1949 tensioni shqiptaro-grek në kufi “u ngri”. Vitet kaluan dhe bashkë me to ndryshuan edhe qëndrimet. Çuditërisht, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve do të vendoseshin vetëm në vitin 1971, kur në pushtet erdhën kolonelët me anë të grushtit të shtetit.
Më pas bashkëpunimi do të shtohej gradualisht. U rivendosën kontaktet, ndërsa në Greqi arvanitasit promovonin miqësinë mes dy popujve dhe Kryeministri grek në atë kohë, Andrea Papandreu deklaronte se Greqia nuk kishte pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, por i kërkonte Tiranës respektimin e minoritetit grek. Në Shqipëri, një vit pas vdekjes publikohet vepra e Enver Hoxhës me titull “Dy popuj miq”, që i kushtohej marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Këto kohë u hap edhe pika e parë doganore mes dy vendeve dhe përplasjet e pretendimet territoriale duket se i takonin të shkuarës. Por, me rënien e komunizmit gjërat ndryshuan. Shqiptarët panë se në ç’sistem kishin jetuar për gjysmëshekulli dhe ca iu drejtuan Perëndimit për shpëtim, të tjerë gjetën strehë në Greqi.
Fillimisht, pritja që iu rezervua një populli të izoluar dhe të rraskapitur nga një regjim brutal ishte bujare dhe “miqësore”, por me kalimin e kohës “bujaria” dhe “miqësia” nisi të venitej dhe u bënë më të shpeshta rastet e vdekjeve “misterioze” të shqiptarëve në duart e policia greke dhe denoncimet për shkelje të të drejtave të njeriut.
Nëse shqiptarët e jugut iu drejtuan Greqisë, në jug të Shqipërisë nga Greqia mbërrinin klerikë ortodoksë për të ringjallur besimin e një populli që deri në atë periudhë ishte ateist. U ngritën gjithashtu organizata për mbrojtjen e minoritetit grek në Shqipëri, e po ashtu edhe një parti politike.
Por, miqësia do të prishej shpejt. Në vitin 1993, Shqipëria akuzon priftin grek, Krisostomos Maidonis për propagandë kundër Shqipërisë dhe shkëputje të jugut të jugut për t’u bashkuar me Greqinë. Pas këtyre akuzave, autoritetet shqiptare vendosin ta dëbojnë.
Ky akt ngjalli reagimin e qeverisë greke, që anuloi të gjitha vizitat e delegacionet e parashikuara për t’u ndalur në Tiranë dhe më vonë edhe nisjen e operacionit famëkeq “Fshesa” për riatdhesimin e mijëra shqiptarëve pa letra në Greqi. Brenda pak ditësh u riatdhesuan mijëra shqiptarë. Nën kujdesin e qeverisë greke për të përçuar një mesazh të qartë, ata shfaqeshin publikisht të prangosur dhe autokolonat me autobusë për në Kakavijë dhe Kapshticë pushtuan faqet edhe të gazetave greke.
Qeveria greke deklaronte se operacioni nuk kishte lidhje me dëbimin e priftit grek nga pala shqiptare, por mediat greke zbuluan të kundërtën.
“Në zonën e Halkidhës u arrestuan me qindra shqiptarë, ndërkohë që egjiptianë, pakistanezë e të tjerë, edhe pse pa letra nuk u prekën”, risjell në kujtesë shkrimin e Eleftherotipias, gazetari Robert Goro.
“Operacioni Fshesa na turpëron në sy të botës”, shkruante “Kathimerini”.
Tensionet vazhduan për muaj me radhë dhe ato kulmuan në 1994. Në 10 prill të këtij viti, një grup prej 7 personash të armatosur kalojnë kufirin dhe hyjnë në territorin shqiptar. Misionin e kishin të qartë dhe në orët e natës; sulmin ndaj postës kufitare të Peshkëpisë në Gjirokastër. Në këtë post ndodheshin rreth 130 ushtarë shqiptarë, kryesisht rekrutë.
Pasi vrasin ushtarin në vendroje, Arsen Gjini, 20 vjeç dhe më pas edhe kapitenin Fatmir Shehu, 34 vjeç hyjnë në brendësi të repartit, ku plagosën 3 ushtarë të tjerë dhe mbajtën nën kërcënimin e armëve ushtarët në repart për 20 minuta. Sipas dëshmive të mëvonshme, njëri prej anëtarëve të këtij grupi fliste mirë shqip, ndërsa një tjetër fliste shqip me theks grek. “Këtë e keni për Vorio-Epirin. Ne nuk harrojmë!”, ishin deklaratat e grupit terrorist.
Grupi u largua duke marrë me vetë 15 automatikë Kallashnikovë, prodhim kinez dhe dy arka me fishekë. Nga hetimet e mëvonshme u mësua se të gjithë ushtarët mbanin armët me karikatorët bosh, megjithëse fishekët nuk u mungonin. Zyrtarisht u tha se arsyeja ishte se në bazë të ligjit ushtarak, pa bërë betimin asnjë ushtar nuk mund të mbante armën e mbushur, ndërsa jozyrtarisht përflitet për një “burim informator” nga brenda repartit që ka ndihmuar grupin në fjalë.
Gazeta “Stoho” ishte e para që publikoi sulmin në fjalë. Deklaronte se sulmi kishte për autorësi organizatën MAVI dhe në shkrim autorët i quante heronj. Gazeta solli edhe një pjesë të deklaratës së kësaj organizate.
"Organizata patriotike MAVI i dha urdhër njërës prej skuadrave të saj të armatosura që të godiste një repart ushtarak shqiptar, pranë vijës kufitare. Në orët e para të datës 10 prill, ditë e diel, në bazë të informatave të dhëna nga skuadra PIRRO-l, e përbërë nga një grusht luftëtarësh, filloi sulmin me kapjen e rojes dhe brenda dy minutash, godina dykatëshe e stërvitjes në Peshkëpi ishte në duart e luftëtarëve tanë. Skuadra e mbajti repartin për 20 minuta. Duke ikur, mori me vete 15 automatikë tip Kallashnikov të prodhimit kinez, dy arka me municion, si dhe oficerin e SHIK-ut, të cilin pak më vonë dhe të lidhur me pranga e la të lirë. Sulmi ynë, si dhe të tjerët që do të pasojnë, ishte një veprim luftarak", thuhet në deklaratë.
Oficeri i SHIK-ut ishte shtetasi shqiptar, Qemal Stroka, që rrëfeu së fundmi tek “Gjurmë Shqiptare” dilemën e terroristëve për ta vrarë, apo për ta lënë të lirë në momentin që hynë sërish në kufirin grek.
Autorët e sulmit u arrestuan në 1996, kur Shqipëria dhe Greqia kishin nënshkruar një traktat mmiqësie. Ata u identifikuan si Jorgo Anastasulis, oficer i ushtrisë greke, Apostolos Karvelas, punonjës i policisë greke, Mario Kutullas, qytetar shqiptar, banues në Athinë, Fredi Beleri, qytetar shqiptar, banues në Athinë, Jordi Kristo, qytetar shqiptar banues në Athinë, Harallamb Papa, qytetar shqiptar banues në Athinë dhe Jorgo Papa, qytetar shqiptar.
Ata u kapën gjatë përpjekjes për të organizuar një tjetër sulm të ngjashëm në territorin shqiptar. Gjatë aksionit iu sekuestruan edhe 15 automatikët kallashnikov prodhim kinez, që më vonë u provuan se ishin të marra gjatë sulmit në repartin e Peshkëpisë. Por, megjithatë, në 1996, Gjykata e Athinës i shpalli të pafajshëm me arsyetimin e çuditshëm “për mungesë provash”.
Që të gjithë këta persona vazhduan e vazhdojnë jetën e tyre të pashqetësuar, madje Fredi Beleri kandidoi edhe për kryetar bashkie në Himarë në zgjedhjet për pushtetin vendor në 2015.
Qeveria shqiptare: Greqia mbështet terrorizmin
Qeveria shqiptare dënoi menjëherë sulmin dhe akuzoi drejtpërdrejtë qeverinë greke se qëndronte pas këtij akti.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë shpreh indinjatën e saj të thellë për këtë akt madhor armiqësor, i cili është një sulm direkt ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë. Politika e akteve terroriste dhe e masakrave është në përputhje me politikën e re greke të mbrojtjes, që siç është deklaruar shtrihet nga Qiproja e deri në të ashtuquajturin ‘Vorio-Epir’, siç e quan Athina Shqipërinë e Jugut”, thuhet në deklaratën e qeverisë shqiptare.
Shteti shqiptar shpalli më 13 prill 1994, tre ditë pas sulmit, si person të padëshiruar konsullin e përgjithshëm grek në Gjirokastër Kristos Jakovu, të cilin e urdhëroi të linte territorin shqiptar brenda 48 orëve. Si veprim reciprok, shteti grek bëri të njëjtën gjë me sekretarin e parë të ambasadës shqiptare në Athinë, Kastriot Robo.
Një ditë më vonë, qeveria shqiptare i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të dënonte ashpër qeverinë greke dhe ta rreshtonte atë në vendet që përkrahin terrorizmin. Po ashtu u arrestuan mjaft elementë të përzier në veprimtari antishqiptare dhe drejtues të organizatës OMONIA.
Qeveria shqiptare akuzonte palën greke për mungesë vullneti për të kapur autorët e masakrës dhe bëri thirrje për ngritjen e një komisioni ndërkombëtar nga Bashkimit Europian.
Përveç retorikës politike, qeveria greke në atë kohë hidhte poshtë akuzat dhe përballë ndërkombëtarizimit të incidentit nga pala shqiptare ndoqi strategjinë e minimizimit të rëndësisë së saj.
Rëndësia e kësaj dhe të tjera përplasjeve pasqyrohet edhe në një raport të CIA-s në ato vite. Raporti, pasi bën një rezyme të shkurtër të ambicies historike greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë, ngre shqetësimin se këto incidente mund të hapinin një tjetër konflikt në Ballkan, në një kohë kur ishte ende i hapur fronti në Bosnje-Hercegovinë.
Sot, simbolet e MAVI-t janë marrë nga "Agimi i Artë", që e përdor këtë kartë edhe për përfitime elektorale, ndërsa hera-herës shfaqen edhe tek minoriteti grek në Shqipëri, siç ishte edhe në rastin e ekstremistit Konstantinos Kaçifas së fundmi.
Në të gjitha rastet, këto simbole nuk ndihmojnë në tejkalimin e pengesave në dialogun mes dy vendeve, aq më tepër kur në tryezë janë tema të nxehta, që nga kufiri detar e deri tek ligji i luftës, që vazhdon të ruhet ende nga pala greke.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.