Treg

Nga kompostoja te lulet. Tregu me “aromën”e 1 mld lekëve

Nga Sabina Veizaj-Shqiptarët kanë kultivuar lule ndër shekuj. Shumëkush që ka vizituar Shkodrën, Korçën, Beratin etj, mban mend oborret e shtëpive përdhese të pasura me lule të mbjella, ballkonet e apartamenteve plot hijeshi që ua jepnin vazot me lule të shumëllojshme, por edhe lulishtet publike ku kryesonin lule pancet, lule borët dhe mëllagat. Por përdorimi i tyre ka qenë shumë i ngushtë përpara viteve ’90. Me ndryshimin e sistemit, shqiptarët mësuan në perëndim ta zgjerojnë përdorimin e luleve; në vend të kompostove, rrobave e lodrave nisën të dhurojnë lule për lindje, ditëlindje, sëmundje, festa si Dita e Gruas, Shën Valentini, etj; ti integrojnë në dekorim shtëpie, sallash, ti përdorin për terapi mjekësore, etj.

Majlinda Çeli me profesion financiare e ka çelur biznesin e saj të luleve në vitin 1999 në një nga rrugicat e Tiranës së vjetër.

Majlinda Celi

E gjej në dyqan duke kompozuar një vazo me orkide për një kliente që porosinë e ka bërë përmes Instagramit.

Dyqani është relativisht i vogël, por i pasur me lule të shumëllojshme. Arredimi është i gjithi në dru dhe me shumë shije.

“Mos i hidh sytë vëradallë se jemi shumë varfër dhe rrëmujë sepse do të nisemi me pushime” – thotë Majlinda duke shpjeguar se muaji gusht, ashtu sikurse janari janë më të vaktit për biznesin e luleve. Ky biznes sipas Majlindës lulëzon në tetor, për festat e fundvitit, në Shën Valentin e kulmi arrihet në festat e 7-8 marsit.

Dyqani i Majlindes

Por Majlinda punon kryesisht me klientelë. “Në fakt edhe në gusht ka vite që edhe punojmë për shkak të dasmave, por njerëzit vitet e fundit i kanë shkurtuar shpenzimet për dasmat”

Gjatë bisedës, ndërsa telefoni dhe instagrami i tërheqin shpesh vëmendjen dhe Majlinda shumë e gatshme tu përgjigjet menjëherë klientëve të saj, kujton fillimet e biznesit.

Periudha më e artë, kujton ajo për fitimet, kanë qenë fillimet pasi njerëzit po shijonin ende paratë e fituara nga Firmat Piramidale.

“Në atë kohë shpenzonin shumë edhe pse çmimi ishte tre fish më i lartë se sot për arsye se ne nuk dinim shumë gjëra dhe shpenzonim shumë sidomos për transport. Të shkoje në Holandë që është 2000 km prej këtu, me traget, kur një pjesë e luleve nuk mbijetonin dhe ato që mbeteshin në dyqan vidsnin…Ka pasur njerëz që kishin ndërtuar shtëpi të bukura, bashkëkohore, kishin bërë investim të madh, dhe kur ne kemi vendosur lulet e lulëzuara apo dekorative, kanë thënë “nuk e dinim që shtëpia jonë paska qenë kaq e bukur. Tani na mori jetë shtëpia”. – rrëfen Majlinda.

Ajo furnizohet në Hollandë dhe shkon gati çdo nëntor atje në panairin e përvitshëm të luleve për të mësuar të rejat e fushës që të jetë në avangardë për klientët e saj, pasi Majlinda kryesisht punon me klientelë, një pjesë të vogël zënë klientët rastësorë.

Dyqani i Majlindes

“Mentaliteti i njerëzve në raport me lulen ka ndryshuar. Njerëzit tani për çdo festë a sëmundje preferojnë kompozim lulesh në krahasim me rrobat apo kompostot. Kompozimet e luleve jetojnë gjatë e pëlqehen. Ka edhe nga ata që e marrin për modë, por kryesisht lulen e duan njerëzit.

Një pjesë e luleve janë edhe shëndetësore dhe njerëzit kanë filluar të kërkojnë edhe këto lloj lulesh; Spafilliumi që ka fituar çmimin për lëshimin e oksigjenit në mjedise. Vendet e ulta, nordike e përdorin nëpër zyra dhe mjediset e shtëpisë për të pastruar sa më shumë ajrin. Ose siç është Nollina, siç thonë italianët mangia fumo që thith pluhurat, ose siç janë kaktuset që vendosen përpara kompjuterave për të thithur rrezet. Është e vërtetë që teknologjia evolon dhe kompjuterat paisen me mbrojtëse nga rrezet, por kaktusi i thith ato në mënyrë natyrale.”- shpjegon Majlinda.

Ajo shpjegon se punon më shumë me individë se sa me biznese, pasi pagesa me bizneset është bërë shumë e vështirë. “Ata të japin më shumë lekë, por ke më shumë kokëçarje, andralla. Kurse individët e bëjnë pagesën on line dhe ne u shërbejmë në vendin që e duan produktin”

Klientët e Majlindës shpenzojnë deri në 1 mln lekë në vit për gjelbërimin e oborreve, ballkoneve, dekorimin e mjediseve të brendshme të shtëpisë.

Produktet që ofrohen në dyqanin e Majlindës janë; lulet dekorative, të lulëzuara, për mjedise të jashtme, për mjedise të brendshme. Lulet që kompozohen në buqeta, shporta, në kuti, buqeta dore. Çmimet variojnë nga kaktuset e vegjël 200 lekë në çmimin më të lartë të pemëve për arredim zyrash a salla konferencash 18 mijë lekë.

Ndërsa Garden  klasifikohet në biznes të madh të luleve dhe kryesisht punon me biznese më shumë se sa me individë.

Erald Ceku, Drejtor në Departamentin e Projektim & Zbatim Gjelbërimi në kompaninë Garden Line, tregon se biznesi i luleve çdo vit që kalon vjen në rritje, për shkak edhe të rritjes së ndërgjegjësimit të të gjithë shtresave për të qenë sa më pranë natyrës. “Ka ndryshuar si mendësia e popullatës, ashtu edhe mendësia e profesionistëve të kësaj fushe. Për shembull tashmë në raste vizitash për ditëlindje, në vend të rrobave apo sendeve të tjera, dhurohen kompozime në vazo që janë më jetëgjata se tufat me lule që jetojnë vetëm 7/10 ditë. Po kështu edhe në raste vizitash për sëmundje është hequr dorë nga dërgimi i frutave apo kompostove.”- thotë Eraldi.

Kompania Garden Line e vendosur në Marikaj në bashkinë Vorë ka një sipërfaqe rreth 44.000 m2 ku rreth 6.000 m2 janë sipërfaqe serash të mbuluara për prodhim lulesh të çelura sezonale si edhe për shkurre zbukuruese. Pjesa tjetër e siperfaqes është e përbërë nga hapësira ku janë të vendosura të gjitha llojet e bimësisë dhe materialet e tjera që kompania tregton si psh; vazo, terren mbjellës i paketuar në sasi të ndryshme për klientët, vegla kopshtarie etj.

Eraldi thotë se per momentin kompania nuk eksporton lule apo bimë jashtë vendit, por është një nga synimet për të cilin kompania   po punon për ta arritur.

Ai ka nisur punë pranë Garden Line në vitin 2002  kur sapo kishte  përfunduar studimet në degën Hortikulturë dhe Mbrojtje Bimësh në UBT.

“Çdo vit që kalon ndihet ndryshimi si edhe kërkesat e bizneseve, por edhe të personave familjarë duke u drejtuar përherë e më tepër në kompani si e jona dhe në kompani të tjera konkurrente që sigurojnë çdo nevojë të klientëve në lidhje me gjelbërimin.”  Shprehet Eraldi duke shtuar se “tashmë bizneset dhe klientët përfundimtarë kërkojnë, që për një nevojë të tyre për gjelbërim të ambienteve të punës, të lulishteve të ndërmarrjeve apo edhe personale nëpër banesa, të kenë një shërbim të plotë.”

Sipas Eraldit, klientët tanimë kanë më tepër njohuri për bimësinë ndaj edhe kërkesat e pritshmëritë janë më të larta.

Tregu

Biznesi i luleve në Shqipëri vlerësohet me mbi 1 mld lekë në vitin 2017.  Në pesë vitet e fundit ky biznes ka njohur rritje të konsiderueshme dhe kulmi shënohet në 2017 me mbi 8 mln e gjysmë kg lule të importuara.

Sipas doganave në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin në biznesin e luleve 2508 subjekte në 2017-ën, të cilët kanë importuar 18,7 % lule në kg më shumë se vitin paraardhës.

Vendet nga ku bizneset shqiptare të luleve importojnë janë Italia, Greqia, Hollanda, SHBA-të, Polonia, etj. Vetëm nga Italia në 6 mujorin e parë të 2018-ës u importuan rreth 3,7 mln kg lule, që është edhe vendi nga ku importojmë volumin më të madh të këtij produkti.

 Ndër lulet që importojmë dhe tregtohen në Shqipëri janë; Tulipani, Gladiola, Fidani, Kalema Luleshtrydheje, bimë dekorative për ambiente, gonxhe Karaifili, etj.

 

Tregu global i luleve

 

Kultivimi i luleve është një industri shumë e zhvilluar si në vendet me ekonomi të zhvilluar, po ashtu edhe në ato me eknomi në zhvillim. Volumi tregtar global i kësaj industrie vlerësohet  të jetë më shumë se 100 miliard dollar amerikan në vit. Lojtarët kryesorë mes të cilëve ndahet torta e kësaj industrie ndahen në prodhues (në vendet në zhvillim) dhe konsumatorët (në vendet e zhvilluara, duke përfshirë kryesisht Afrikën). Tregjet që konsumojnë më shumë këtë produkt janë Gjermania (22%), SHBA-të (15%), Franca (10%), Britania e Madhe (10%), Hollanda (9%), Japonia (6%), Zvicra (5%) dhe Italia (5%).

Duke patur parasysh natyrën e brishtë të luleve, prodhuesit më të mëdhenj kanë qenë historikisht pranë konsumatorëve më të mëdhenj. Kjo është arsyeja pse Holanda ishte në gjendje e para të mbante një pozicion si një qendër kryesore e prodhimit të luleve; nga pozita e saj qëndrore në Europë, ajo ishte e aftë të furnizonte fqinjët e saj me lule.

Duke ekuilibruar portofolin e saj të prodhimit me një lëvizje në shitje dhe shpërndarjen e zinxhirit të vlerave të florikulturës, Holanda ka ruajtur pozitën e saj si prodhuesi më i rëndësishëm i luleve në Europë, si dhe një furnizues i rëndësishëm në kontinentet e tjera. Ankandi i luleve të saj në qytetin verior të Aalsmeer është tregu më i madh i luleve në botë i të gjitha kohërave.

Megjithatë, Hollanda është një përjashtim i dukshëm nga tendenca e përgjithshme ku qendrat e prodhimit janë zhvendosur nga vendet afër tregjeve tek vendet me klimë më të favorshme për kultivimin e luleve dhe kostot më të ulëta të punës.

Qendrat e reja të prodhimit shtrihen nga Afrika në Azi. Vendet e Afrikës Lindore, si Etiopia, Kenia dhe Tanzania, janë industri të rëndësishme pritëse të luleve. Në Amerikën Latine, kultivuesit kryesorë të luleve përfshijnë Kolumbinë, eksportuesin e dytë më të madh të luleve në botë dhe Ekuadorin. India, Izraeli, Tajlanda dhe Malajzia janë eksportues të njohur të luleve në Azi. Australia dhe Zelanda e Re, për shkak të vendndodhjes së tyre brenda hemisferës jugore, furnizojnë lule sezonale të cilat nuk janë të arritshme në Amerikën e Veriut dhe në Europë.

Tregtia e luleve është përgjithësisht rajonale. Për shembull, lulet latino amerikane eksportohen në SHBA, vendet afrikane fokusohen kryesisht në tregjet në Europë dhe vendet aziatike eksportojnë në Japoni dhe Hong Kong. Prandaj, konkurrenca brenda industrisë ka tendencë të jetë rajonale dhe jo globale.

Industria është karakterizuar nga rritja e konkurrencës në vitet e fundit në aspektin e prodhimit dhe shpërndarjes. Për shembull, në Azi, rritja e shpejtë e industrisë së luleve tek prodhuesit e rinj si India dhe Kina është shqetësuese për prodhuesit e luleve në rajon, si Malajzia dhe Tajlanda. Në Afrikë, Kenia ka shprehur shqetësime të ngjashme rreth konkurrentëve si Etiopia.

Lulja më e vjetër që është zbuluar deri më sot është lulja ujore 130- milion vjeçare Montsechia vidalii zbuluar në Spanjë në 2015. Megjithatë, mendohet se bimët e lulëzuara fillimisht janë shfaqur shumë më herët se kjo, diku midis 250 dhe 140 milion vjetëve më parë.

Burimet: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, African Business, Rabobank, Financial Tribune, World’s top exports.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë