Ne rrjet

Nga harqet tek armët bërthamore: Kontrolli i armëve në një botë të papërsosur

Nga John Erath - Rreth vitit 1096, Papa i atëhershëm nxori një dekret që ndalonte mbajtjen dhe përdorimin e harqeve si armë vrasëse dhe jo të krishtera. Edhe pse një Papë i mëvonshëm, e sqaroi se ishte ende e lejueshme që me këtë armë të vriteshin paganët (jo të krishterët), të gjitha kombet e krishtera duhej të mos përdornin pajisje të tilla në luftë, në të kundërt do të vuanin dënimin e përjetshëm në botën e përtejshme.

Çuditërisht, përpjekja e Papës për kontrollin mesjetar të armëve dështoi, dhe heroi kombëtar zviceran, Ëilhelm Tel, u bë një legjendë pikërisht për shënjestrën e tij të jashtëzakonshme me këtë armë. Në Evropën e shekullit XII, kërcënimi kryesor për sigurinë vinte nga luftëtarët e pajisur me një armaturë të fortë dhe me një hark, shigjeta e të cilëve mund të depërtonte në armaturat e zakonshme të kohës që mbanin veshur kalorësit apo ushtarët këmbësorë.

Nëse dikush do të donte të siguronte kështjellën e tij nga ndonjë sulm armik, vendosja e disa harkëtarëve në mure do të kishte qenë një pengesë shumë efektive. Gati 1 mijë vjet më vonë, ne ende po provojmë të mbajnë nën kontroll armët ekzistuese, njëlloj siç u veprua dikur me harqet.

Konventa e Otavës, e ndaloi përdorimin e minave tokësore kundër personelit. Megjithatë mbi 1 milion të tilla janë vendosur deri më sot në Ukrainë, dhe të tjera vazhdojnë të vendosen çdo ditë që kalon. Prandaj është pak ngushëllues për fshatarët sirianë apo disidentët rusë, fakti

që Konventa e Armëve Kimike e bëri të paligjshme përdorimin e gazin asfiksues Sarin dhe agjentit Novichok.

Madje ka pasur përpjekje qëllim-mira për t’i ndaluar armët bërthamore për arsye humanitare. Megjithatë, sot ekzistojnë mbi 12.000 armë të tilla nga më shkatërruese në botë dhe ato ndodhen në duart e 9 vendeve. Ashtu si me ndalimin e harkut dikur, përpjekjet e sotme për kontrollin e këtyre armëve kanë qenë të paefektshme.

Kjo sepse ato nuk adresojnë problemin e pasigurive që kanë nxitur blerjen e këtyre armëve shkatërrimtare. Padyshim, dikur pati evropianë që e dëgjuan apelin e Papës dhe hoqën dorë nga harqet e tyre, duke besuar se vendi i tyre në Parajsë ishte i sigurt.

Por ka të ngjarë që ata të mos jetonin në kështjella të kërcënuara nga armiq të mirë-armatosur. Ngjashëm, nga dhjetëra kombe që kanë arritur ekuivalentin diplomatik të Parajsës, duke rënë dakord për ndalimin e armëve bërthamore, asnjë prej tyre nuk është ndjerë i detyruar ta përvetësojë këtë teknologji të rrezikshme.

Kjo është një çështje e qëllimeve dhe mjeteve. Nëse synimi përfundimtar i atyre që përpiqen t’i ndalojnë armët, qofshin ato harqe apo armë bërthamore, është thjesht të përjashtojnë përdorimin e pajisjeve të tilla, kjo nuk ka kuptim. Përkundrazi, qëllimi i çdo përpjekjeje për kontrollin e armëve duhet të jetë ta bëjë botën më të sigurt.

Ndërsa dihet se bota do të ishte më e sigurt pa armë bërthamore, çarmatimi është vetëm një mjet për pasjen e një bote paqësore, por jo i vetmi. Kjo nuk do të thotë se një traktat i ndalimit bërthamor është një ide e keqe, por ai mund të jetë kundër-produktive nëse bëhet qëllimi në vetvete dhe jo një element i një procesi më të gjerë.

Nëse armët bërthamore do të zhdukeshin brenda natës, a do të zhdukeshin bashkë me to të gjitha shkaqet e konfliktit? Përkundrazi, do të mbeten ende fërkimet dhe rivalitetet që janë në origjinë të konflikteve ndërkombëtare, pra kushtet që i nxitën disa shtete të pajiseshin me armë bërthamore.

Ndalimi i harqeve, nuk funksionon në një mjedis të pasigurt. Po çfarë funksionon në këtë aspekt? Një kontrolli i armëve, që merr parasysh interesat kombëtare të kombeve të përfshira, dhe që arrin një marrëveshje me të cilën besojnë se janë më të sigurt të gjithë të përfshirët.

Si shembull marrim rastin e Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) të vitit 1987. Kjo marrëveshje, eliminoi një kategori të tërë armësh bërthamore në një mënyrë të verifikueshme. Pakti u arrit pas 7 vite negociatash të vështira. Armët me rreze të mesme veprimi ishin në thelb destabilizuese.

Koha e tyre relativisht e shkurtër e fluturimit dhe fuqia e madhe shkatërruese, ngritën shqetësimet se ato synonin të përdoreshin në goditjen e parë të një lufte bërthamore, duke e bërë edhe më të mundshme një katastrofë  të tillë.

Fatmirësisht, udhëheqjet e SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik e kuptuan këtë, dhe në fund arritën të gjenin gjuhën e përbashkët. Pra fuqitë bërthamore do të ndiheshin më të sigurta në mungesë të armëve të klasit INF. Konsensusi prodhoi traktatin në fjalë, dhe zbuti një nga situatat më të rrezikshme të Luftës së Ftohtë.

Pavarësisht ndalimit, harqet mbetën një tipar i luftës në Mesjetë, dhe ushtritë mësuan se si t'i përdorin dhe t’i kundërviheshin forcës së tyre. A do të thotë kjo se bota e shekullit XXI-të duhet të mësojë të bashkëjetojë me armët bërthamore? Jo domosdoshmërisht.

Ekzistojnë 2 dallime thelbësore. I pari ka të bëjë me nivelin e jashtëzakonshëm  shkatërrimtar të armëve bërthamore. Ato nuk janë thjesht vrasëse; ato janë shfarosëse. Çdo përdorim i tyre do të shkaktonte miliona të vdekur dhe një shkatërrim shumë të gjerë, së bashku me mundësinë e pasojave afatgjata.

Prandaj, është në interesin e të gjitha qeverive që të minimizojnë çdo mundësi për luftë bërthamore, duke e bërë të domosdoshme hartimin dhe miratimin e një strategjie konsensuale për reduktimin e armëve të tilla. Dallimi i dytë kyç, ka të bëjë me mungesën e dobisë së armëve bërthamore si armë lufte.

Që nga viti 1945, janë ndërtuar mijëra armë të tilla, por që nuk janë përdorur, pavarësisht nga konfliktet e vazhdueshme ushtarake. Gjatë 2 viteve të fundit, Rusia, fuqia më e madhe bërthamore në botë, ka zhvilluar një luftë agresioni në Ukrainë me një sukses të kufizuar, dhe pa një përdorim të drejtpërdrejtë të forcave të saj bërthamore.

Në vend të tyre, instrumentet e zgjedhur kane qenë armët e drejtuara me saktësi, si dronët por edhe trupat tokësore sipas stilit tradicionale. Vlera kryesore e armëve bërthamore, është të parandalojë sulmin bërthamor, dhe për ta bërë këtë mjaftojnë vetëm pak armë të tilla.

Për këtë arsye, sot sfida është gjetja e mënyrave për të kufizuar një garë të mundshme të armëve bërthamore, ndërsa duhet të analizohet se si dhe kur reduktimet e forcave bërthamore do të kontribuojnë në sigurinë e shteteve bërthamore. Dhe kjo do të kërkojë ndërtimin e një strategjie afatgjatë të bazuar në më shumë rregullore se ato për ndalimin e përdorimit të harqeve.

Ashtu si me Traktatin INF, qeveritë duhet  të reduktojnë numrin e armëve të tyre bërthamore, vetëm kur ta besojnë realisht se kjo do t'i bëjë ato më të sigurta, një kusht që nuk do të përmbushet për sa kohë që vazhdon përhapja e armëve bërthamore, apo kur të tjerët vazhdojnë të mashtrojnë mbi arsenalet e vërteta që zotërojnë.

Prandaj, një kontroll efektiv i armëve të tilla, do të kërkojë shumë më tepër sesa shpalljen e tyre si të paligjshme. Ai duhet të bazohet në një diplomaci të kujdesshme dhe tek një verifikim efektiv i fakteve në terren. Ndalimi i armëve mund të jetë një rrugë drejt Parajsës. Por në botën e papërsosur ku jetojmë, ky mision është shumë më i ndërlikuar.

Burimi: Geopolitical Monitor. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë