Gazeta Si – Gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, i ekzekutuar në një sulm me bombë në makinë në Moskë, është figura e fundit e shquar ruse që është vrarë që kur shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, urdhëroi një pushtim të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Nga Darya Dugina, te Yaroslav Moskalik, kjo është seria e gjatë e sulmeve të profilit të lartë për të cilat Moska fajëson shërbimet e inteligjencës ukrainase.
20 gusht 2022, Darya Dugina – Më 20 gusht 2022, Darya Dugina, vajza e Alexander Dugin – një ideolog pro-luftës dhe nacionalist i afërt me presidentin rus Putin – u vra nga një makinë-bombë në rajonin e Moskës.
Siç raportohej nga agjencia e lajmeve Tass, shpërthimi ndodhi ndaj një “një Toyota Land Cruiser Prado, pranë fshatit Velyki Vyazomy, në periferi të Moskës”.
Pas shpërthimit, sipas dëshmitarëve, makina u përmbys dhe rrëshqiti nga rruga. Trupi i djegur (dhe i karbonizuar) i viktimës u gjet nga ekipet e shpëtimit që mbërritën në vendngjarje.
Në videot që qarkullonin në internet në atë kohë, babai i saj, Dugin, u pa në dëshpërim, me duart në flokë, vetëm pak metra larg makinës që po digjej. Sipas burimeve të inteligjencës, objektivi i sulmit mund të ketë qenë vetë Dugin.
2 prill 2023, Vladen Tatarsky – Blogeri ushtarak rus pro-luftës, Vladen Tatarsky, u vra më 2 prill 2023 nga një bombë e fshehur në një statujë që ia kishte dhënë një grua në një kafene në Shën Petersburg.
E dyshuara, 26-vjeçarja Darya Trepova, u ndalua nga shërbimet ruse të sigurisë dhe më vonë u dënua me 27 vjet burg.
Mbi 30 persona u plagosën nga bomba. Ministria e Jashtme ruse i bëri homazh blogerit, duke sulmuar qeveritë perëndimore për dështimin për t’iu përgjigjur sulmit. Njerëz si Tatarsky “janë mbrojtës të së vërtetës”, ishte reagimi i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në Telegram.
11 korrik 2023, Stanislav Rzhitsky – Më 11 korrik 2023, oficeri ushtarak rus, Stanislav Rzhitsky, i cili kishte komanduar një nëndetëse në Detin e Zi dhe ishte në listën e zezë të Ukrainës të kriminelëve të dyshuar të luftës, u qëllua për vdekje, pasi kishte dalë për një vrapim në mëngjes në qytetin jugor të Krasnodarit.
Ai besohej të ishte përgjegjës për lëshimin e raketës që vrau 27 persona në një sulm në Vinnitiya, Ukrainë, një vit më parë. Disa media të Kievit spekuluan se oficeri u qëllua në një sulm hakmarrjeje.
6 dhjetor 2023, Illia Kyva – Ish-deputeti ukrainas, Illia Kyva, i konsideruar tradhtar nga Kievi, u qëllua për vdekje pranë Moskës më 6 dhjetor 2023.
Kyva ishte shkarkuar nga posti i tij në Rada, parlamentin ukrainas, disa muaj më parë, në mars. Ai gjithmonë kishte mbështetur të ashtuquajturin “operacion ushtarak special rus” në Ukrainë dhe kishte kritikuar udhëheqjen në Kiev.
4 tetor 2024, Andrei Korotkiy – Një punonjës i centralit bërthamor Zaporizhia të kontrolluar nga Rusia, Andrei Korotkiy, vritet në një sulm me bombë në makinë.
Inteligjenca ushtarake ukrainase e quan atë “bashkëpunëtor” dhe “kriminel lufte”. Sipas Kievit, Korotkiy “bashkëpunoi me Moskën” duke ndarë informacione të ndjeshme.
13 nëntor 2024, Valery Trankovsky – Një bombë e vendosur nën një makinë vret një ushtar rus në Sevastopol, në Krimenë e aneksuar nga Rusia.
Një burim sigurie ukrainase e identifikoi atë si Valery Trankovsky, një kapiten i marinës ruse, të cilin Kievi e ka akuzuar për krime lufte për urdhërimin e sulmeve me raketa kundër objektivave civile.
17 dhjetor 2024, Igor Kirillov – Gjeneral-lejtnant Igor Kirillov, kreu i forcave të mbrojtjes bërthamore, biologjike dhe kimike të Rusisë, vritet së bashku me ndihmësin e tij jashtë një pallati në Moskë kur shpërthen një bombë e fshehur në një skuter elektrik.
Në prag të vrasjes së tij, SBU-ja ukrainase njoftoi se Kirillov ishte thirrur në mungesë në një gjyq penal për “përdorimin masiv” të armëve kimike të ndaluara në frontet lindore dhe jugore të vendit të pushtuar.
25 prill 2025, Yaroslav Moskalik – Gjeneral-lejtnant, Yaroslav Moskalik vritet nga një bombë në makinë pranë Moskës.
Moskalik ishte zëvendëskryetar i Drejtorisë Kryesore të Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm. Rusia arrestoi Ignat Kuzin, një vendas i rajonit Sumy, për sulmin; FSB beson se ai është një agjent i shërbimeve speciale ukrainase.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




