Gazeta Si - Fantazma e autogolave sillet prej 14 qershorit rreth kampionatit europian dhe pak para ndeshjeve të treta dhe të fundit të fazës së grupeve, ka “fituar” edhe “trofeun” e golashënuesit.
Akronimi më i keq që një futbollist mund të shohë pranë emrit të tij (“OG”, "autogol"), është shumë i shpeshtë në Gjermani dhe pothuajse dhjetë ditë pas fillimit të turneut, numërohen 7 autogola, të cilët ndëshkuan një kombëtare dhe favorizuan një tjetër.
Shtatë, thuajse sa gola shënuan gjithsej tre golashënuesit “realë” të kampionatit europian në prag të ditës së fundit: gjermani Jamal Musiala, sllovaku Ivan Schranz dhe gjeorgjiani Georges Mikautadze.
Një shifër e cila, duke pasur parasysh trendin, nuk mund të përjashtohet nga shndërrimi në një rekord të ri deri më 14 korrik: numri ose rekordi që duhet thyer, është 11 autogola në edicionin e 2021-it.
Italia e Luciano Spallettit, është mes kombëtareve që e pagoi shtrenjtë autogolin, sepse ai i Calafiorit kundër Spanjës ishte vendimtar për t'i dhënë ‘La Roja”-s një fitore shumë të vlefshme, që kualifikoi ekipin e De La Fuentes me një raund para kohë në grupin B në 1/8-at.
Më pas janë autogolat e parëndësishëm, si ai i Rudigerit, që erdhi në minutën e 87-të, Gjermani-Skoci dhe mbi të gjitha teksa kombëtarja e Nagelsmann-it po fitonte 4-0.
Aksion i paparashikueshëm, dinamikë shumë e shpejtë dhe koka e mbrojtësit gjerman kthehet në një fraksion sekonde në drejtimin e gabuar, që i bëri skocezët të gëzoheshin sikur të kishin fituar.
Ajo që ka përfituar më shumë nga fatkeqësia e të tjerëve deri më tani, ka qenë Portugalia. Në fakt, mes golashënuesve të skuadrës së Roberto Martinez nuk është Cristiano Ronaldo (zero gola), por dominon autogoli i aksionit që nisi nga këmbët e tij.
I pari që gëzoi tifozët portugezë, ishte ai i Hranac; vendimtar, sepse erdhi kur Portugalia po humbiste 1-0, sepse shkaktoi përmbysjen e rezultatit, ku në fund lusitanët fituan ndeshjen kundër një Çekie të goditur nga ai fat i keq.
Katër ditë më vonë i njëjti skenar u përsërit pothuajse identik, por konturet e autogolit të dytë pro Portugalisë ndaj Turqisë, ishin padyshim më "dramatike".
Akaydin dukej se kishte neutralizuar një kombinim – jo më i miri – mes Cancelos dhe Cristiano Ronaldos. Ai top ishte shumë i shkurtër për 39-vjeçarin, i cili menjëherë bëri që shoku i tij të gabonte, megjithatë, ndërsa dy portugezët po debatonin, Akaydin u fut në një ndërhyrje të pafat, e cila befasoi portierin e tij dhe e çoi Turqinë e Montella-s drejt njëfitoreje 2-0 për Portugalinë, e cila nuk mund të merrte një dhuratë kaq të mirë.
A kanë nevojë edhe të “fortët” për këtë ndihmë të pavullnetshme? Kështu mund të imagjinohet Wober i Austrisë, si pjesë e “partisë” tashmë të madhe të autogolave në Euro 2024.
Aq më tepër pas autogolit të asistuar nga Mbappé, i cili i dha Francës fitoren e parë në këtë kampionat europian.
Duke qëndruar te Grupi D, edhe skuadra e Holandës u përfshi një ditë më parë në valën e autogolave. Ndeshja kundër Austrisë u zhbllokua pikërisht nga një episod i tillë i pafat nga Malen. Skuadra e Koeman arriti të barazojë deri në 2-2, por austriakët të vendosur fituan me golin e 3 të Sabitzer.
Por ka edhe nga ata që vetëm me një autogol arritën të “mashtrojnë” kundërshtarët e tyre. Mesfushori i kombëtares shqiptare, Jurgen Gjasula i dha epërsinë Kroacisë në minutën e 76-të në ndeshjen e dytë të grupit B dhe në minutën e 95-të e kompensoi, duke shënuar një gol të rëndësishëm e mbi të gjitha duke mbyllur ndeshjen në një barazim 2-2, pasi i dha kuqezinjve shpresë për kualifikim.
Sepse autogolat nuk janë të gjithë njësoj, përkundrazi dhe nuk është e sigurt që të gjithë ata që shënojnë në portën e tyre gabimisht, të zhyten në dëshpërim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.