Keshilla

Nga frutat e ngrira te ambientet e mbyllura: Si të kujdesemi për kafshët shtëpiake gjatë verës

Nga Gazeta Si – Vala e të nxehtit nuk është e dëmshme vetëm për njerëzit. Edhe kafshët shtëpiake kanë shumë nevojë për kujdes tani që temperaturat janë të larta pasi ato mund të pësojnë djegje putrash apo edhe mund të marrin goditje nga dielli.

Për t’i mbajtur kafshët shtëpiake të sigurta gjatë verës, veterinerja Silvana Bajrami thotë për Gazetasi.al se kanë nevojë të pinë ujë të freskët vazhdimisht.

“Njerëzit mund të vendosin kuba akulli në tasin e ujit ose të fusin fruta në ngrirje që kafshët shtëpiake i konsumojnë ashtu”, thotë Bajrami.

Gjëja më e rëndësishme është që pronarët të përpiqen që mos t’i nxjerrin kafshët shtëpiake gjatë pikut.

“Kur është vapë, duhet të kufizoni kohën e aktivitetit që bëjnë kafshët shtëpiake ose kur e bëjnë atë. Mundohuni ti nxirrni ose në mëngjes herët ose në darkë. Temperatura e tokës, sidomos e asfaltit djeg putrat e kafshëve shtëpiake pa e kuptuar ju”, thotë veterinerja, e cila shton se në rast të tillë, duhet patjetër t’i drejtojnë kafshët e tyre tek veterineri që të trajtohen.

Nëse e nxirrni kafshën tuaj jashtë për një periudhë të shkurtër kohe, përdorni krem dielli për kafshët shtëpiake në pjesët e ekspozuara të lëkurës së kafshës suaj, veçanërisht në majat e veshëve dhe hundës.

Ashtu si njerëzit, kafshët mund të vuajnë nga goditja e diellit. Është e rëndësishme të siguroheni që kafshët të qëndrojnë në hije kur temperaturat janë të larta.

Bajrami thotë se kafshët shtëpiake nuk duhet të lihen kurrë në makina, dhoma ose ambiente të ngrohta, edhe nëse është vetëm për një kohë të shkurtër.

“Qëndrimi i një qeni apo maceje në makinë në një ditë të nxehtë mund të ketë pasoja shkatërruese, pasi temperatura brenda makinës mund të rritet në nivele ekstreme shumë shpejtë, prandaj nuk duhet ti lini kurrë kafshët në makinë në ditë të nxehta”.

Bajrami sqaron se lloje të ndryshme macesh digjen më shpejt nga dielli se kafshët tjera.

Janë macet me ngjyrë të zbehtë të cilat janë më delikate dhe mund të digjen veçanërisht në vesh, hundë dhe zonat ku kanë më pak qime. Macet duhet të qëndrojnë brenda nga ora 11:00 deri të paktën në orën 15:00.

Veterinerja thotë se edhe kafshët shtëpiake mund të digjen nga dielli aq sa të vuajnë më pas nga kanceri i lëkurës.

Vera gjithashtu kërkon një ndryshim në dietën e kafshëve. Bajrami thotë mos t’u jepni atyre ushqime që kanë disa orë të përgatitura apo edhe ushqime të rënda si mishi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë