Motosport

Nga flakët në muze, ekspozohet në Madrid makina e incidentit të frikshëm të Grosjean

Gazeta Si – Formula 1 po bëhet gati për startin e Botërorit 2023 në Bahrein, në cirkuitin ku të dielën e 29 nëntorit 2020 përfundoi karriera e Romain Grosjean.

Ai shpëtoi mrekullisht, pasi doli nga flakët e Has-Ferrarit, pas incidentit të frikshëm që u shkaktua nga kontakti me Alpha Taurin e Danil Kvyat, pak kthesa pas nisjes së garës së parafundit të sezonit.

Makina e Grosjean e djegur dhe copetuar. Gazeta Si, 21 shkurt 2023

Mbetjet e asaj makine, që u nda në copa pas përplasjes së fuqishme, për herë të parë do të ekspozohen për publikun. Do të ndodhë pas një muaji, të premten e 24 marsit, në kuadrin e ‘Formula 1 Exhibition’ në Madrid.

Reliket e Has VF-20 të djegur të pilotit francez, që aktualisht garon në Indycar, do të jenë pjesë e një instalacioni multimedial. Në një ekran të madh ndërkohë do të shfaqen sekuencat e incidentit (për disa thuhet se nuk janë publikuar më parë), si dhe dëshmia e vetë protagonistit Romain Grosjean për momentet dramatike që përjetoi në 30 sekonda mes flakëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë