Politike

Nga Erdogan tek Tsipras

Pas fitores në zgjedhjet e fundit, Presidenti turk, Recep Taip Erdogan u betua në postin e vjetër, por me kompetenca të reja për të.

Në bazë të ndryshimeve të Kushtetutës, sot Erdogan gëzon një pushtet shumë më të zgjeruar se para zgjedhjeve, presidenciale dhe parlamentare. Mes kompetencave që ka është ajo e emërimit dhe shkarkimit të ministrave të kabinetit qeveritar, por edhe ajo e emërimit të gjyqtarëve të lartë.

Ceremonia e betimit nuk kishte pompozitetin e propagandës së Erdogan, por ja doli mbanë të bëjë bashkë 22 presidentë dhe 28 kryeministra dhe kryetarë parlamentesh. Mes kryeministrave ishte edhe Edi Rama, ndërsa mes presidentëve edhe Hashim Thaçi.

Nga pamjet e shpërndara nga mediat turke, Kryeministri Edi Rama shfaqet i ulur në krah të Kryeministrit rus, Dmitry Medvedev. Por, a pati një takim mes tyre? Nga Kryeministria e mohojnë këtë, duke deklaruar se ulja krah për krah Rama-Medvedev ka qenë thjesht rastësi dhe e vendosur nga organizatorët turq. Vetë Kryeministri Rama nuk ka komentuar këtë, por në rrjetet sociale ka shpërndarë një foto me Recep Taip Erdogan.

Në këtë vizitë, Kryeministri Edi Rama shoqërohej nga ministri Energjisë, Damian Gjiknuri. Disa mediat në Tiranë e lidhin këtë vizitë Gjiknurit me dritë jeshile që i ka dhënë një kompanie që dyshohet si e lidhur me Gazpromin rus (Transoil Group AG) për marrjen me koncesion të tre fushave të naftës në jug të Shqipërisë, pas një tenderi të përndjekur nga akuzat për konflikt interesi dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve, një lajm i pasqyruar disa herë në mediat amerikane.

https://www.instagram.com/p/BlBSe0gBBft/?hl=en&taken-by=ediramaal

Pas kësaj ceremonie, Rama fluturoi drejt Londrës, ku këtë të martë pritet të takohet me kryeministrin grek, Alexis Tsipras. Takimi pritet të ketë një rol vetëm informues dhe qartësues mes dy kryeministrave për të kuptuar se ku ndodhen në bisedimet dypalëshe për kufirin detar, por edhe për ccështje të tjera që po diskutohen në tryezë mes grupeve negociatorëve të dy vendeve.

Mediat në Greqi thonë se Tsipras do të kërkojë më shumë kohë për të hedhur të zezën mbi të bardhë për marrëveshjet e dakordësuara deri më tani, të paktën deri kur të zbuten kritikat e ashpra nga opozita për marrëveshjen me Maqedoninë dhe për ato që përflitet se është arritur me Shqipërinë.

Takimi është interpretuar në Tiranë nga Sali Berisha. Akuzën e hedhur pak javë më parë për tradhti kombëtare ndaj Edi Ramës e përforcoi. Flet për një copëtim të dytë të trojeve shqiptare dhe faljen e detit tek grekët.

“Sot në Londër vendoset për copëtimin e ri të dytë pas vitit 1913 të trojeve shqiptare. Në këtë copëtim, të bazuar në një marrëveshje të përgatitur nga alfa tek omega në Athinë, Greqia i merr Shqipërisë 1200 km sipërfaqe deti dhe triliona fuçi nafte dhe metër kub gazi, pra fushat e gazit dhe te naftës më të mëdha të Mesdheut. Sipas kësaj marrëveshje, në një akt grabitqar ndaj Shqipërisë, Greqia zgjeron ujërat e saj territorialë nga 6 në 12 km, ndërkohë që me dy fqinjët e tjerë, Italinë dhe Turqinë, ajo ka firmosur për vetëm 6 km”, shkruan ai në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë