Ne rrjet

Nga emigrantët te vaksinat, Trump gati të nënshkruajë 100 urdhra ekzekutivë që ditën e parë si president

Dekretet do të synojnë anulimin e disa dispozitave të administratës demokrate ose rivendosjen e disa prej mandateve të para, siç është përfundimi i murit në kufirin me Meksikën

Gazeta Si – Donald Trump është gati të fillojë presidencën e tij të dytë në mënyrë agresive duke lëshuar njëqind urdhra ekzekutivë në ditën e parë.

Paraqitja e prioriteteve të të tij në inaugurimin e 20 janarit, është një procedurë mjaft e zakonshme për çdo president, por jo e këtyre përmasave: miliarderi dhe ekipi i tij, po planifikojnë një ofensivë të paparë në kohët moderne në Shtetet e Bashkuara, e cila përfshin një ushtrim të paprecedentë të pushtetit duke anashkaluar aparatin e Kongresit.

Presidenti i zgjedhur i ka diskutuar planet ambicioze të mërkurën e kaluar me senatorët republikanë në Capitol Hill së bashku me këshilltarin e tij më të afërt, atë për sigurinë e Brendshme, Stephen Miller, i cili përshkroi përmbajtjen e fushatës legjislative: emigrantët, taksat, vaksinat, politikat mjedisore dhe energjia.

Shumë prej urdhrave, sipas raportimeve të mediave amerikane, do të synojnë anulimin e disa masave të administratës demokrate ose rivendosjen e disa prej atyre të mandatit të parë, siç është përfundimi i murit në kufirin me Meksikën.

Nga ana tjetër, Joe Biden nënshkroi 42 urdhra ekzekutivë në 100 ditët e tij të para në detyrë, 21 prej të cilave ishin përmbysje të veprimeve të administratës Trump.

Në veçanti për emigracionin, miliarderi synon të nisë një sërë masash masive, që nga krijimi i qendrave të paraburgimit, ku do të qëndrojnë emigrantët pa dokumente deri në ditën e dëbimit e deri në shtrëngimin e të ashtuquajturit “Titulli 42”, kufizimet e hyrjes të vendosura gjatë pandemisë të Covid-it, të cilin presidenti demokrat nuk e eliminoi kurrë, por që skadoi në maj 2023.

Manjati gjithashtu ka të ngjarë të rivendosë ligjin që kërkon që emigrantët të aplikojnë për hyrje në vende të tjera ose në Meksikë në vend që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në total, paketa e emigracionit është një paketë prej 100 miliardë dollarësh që Kongresi duhet të gjejë një mënyrë për ta financuar, për të mos përmendur premtimet e tjera të shtrenjta të fushatës nga shpenzimet e reja të mbrojtjes, deri në zgjatjen e uljes së taksave 2017 me përfitime të reja për bizneset dhe individët e mëdhenj.

Gjatë takimit dy-orësh në Capitol Hill, Trump dhe senatorët republikanë diskutuan strategjinë më të mirë për të çuar përpara pikat kryesore të agjendës së presidentit të zgjedhur, si siguria kufitare dhe shkurtimet e taksave.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit, John Thune dhe Kryetari i Komitetit të Buxhetit, Lindsey Graham, kanë propozuar që të ndahen masat për të miratuar fillimisht politikat e kufirit, furnizimit me energji dhe mbrojtjes, ndërsa Trump këmbëngul të vendosë gjithçka në një ligj.

Midis një deklarate financiare dhe një tjetre, ka urdhra ekzekutivë që “The Donald” mund t’i nënshkruajë që në 20 janar, në një “tavolinë të vogël” në një nga dhomat në Capitol Hill, siç sugjeroi me ironi gjatë fushatës zgjedhore.

Tema tjetër e nxehtë që mund të jetë objekt i përshpejtimit legjislativ, janë vaksinat, për të cilat presidenti i zgjedhur nuk ka marrë ende një qëndrim të qartë, pavarësisht se i ka besuar udhëheqjen e kujdesit shëndetësor një anti-vakseri të njohur, si Robert Kennedy Jr.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë