Sociale

Nga e marta devijohet qarkullimi i automjeteve pranë Astirit

Duke nisur nga mbrëmja e të martës, 19 tetor, do të ketë një devijim të trafikut të qarkullimit të automjeteve për shkak të vijimit të punimeve në Unazën e Re. Më konkretisht, të gjithë ata që vijnë nga zona e Astirit, do të devijojnë në rrugicat paralele në zonën e Yzberishtit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar hartën se si do të ndryshojë qarkullimi i automjeteve nga Unaza e Re dhe Yzberishti. Për të ndihmuar drejtuesit është vendosur edhe sinjalistika përkatëse.

Aty ku ndahen rrymat e trafikut për Unazë të Re dhe Yzberisht, automjetet që kanë për destinacion zonën e pallateve, do të devijojnë djathtas në rrugën paralele, me të cilën janë lidhur të gjitha rrugicat ekzistuese, si rruga “Mikel Maruli”, rruga “Aleksandri i Madh” dhe “Bulevardi Migjeni”.

Për shkak të punimeve që do të kryhen në këtë aks do të jetë i ndaluar parkimi i automjeteve.

Një pjesë e konsiderueshme e aksit nga sheshi “Shqiponja” drejt Pallatit me Shigjeta, është asfaltuar dhe sistemuar prej disa kohësh.

Me hapjen e qarkullimit të të gjitha daljeve në këtë zonë, pritet të lehtësohet lëvizja e automjeteve në hyrje të Tiranës. Ndërkohë, punimet në sheshin “Shqiponja”, deri në hapjen e plotë të tuneleve të tjera, pritet të përfundojë në mars të vitit 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë