Duke filluar prej datës 27 prill do të ketë një zbutje të ndjeshme të masave kufizuese, të cilat fillojnë që me zgjatjan e orarit të lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta që është aktualisht në 2 orë e 30 minuta. Bashkë me këtë lehtësim të liridaljes për qytetarët do të zgjerohet edhe lista e bizneseve që mund të rifillojnë aktivitetin.
“Nëse treguesit do të jenë të qëndrueshëm, nga java e ardhshme, do të rrisim në 2 orë e 30 minuta fashën orare për individët. Do të hapim një kategori biznesesh, që nga tregtimi i veshjeve, këpucëve, tekstileve, mobiljeve, ndriçimit, pajisjeve elektronike, dyqaneve të luleve etj, për të lehtësuar ekonomitë familjare. Do të lejojmë transportin taksi nga qyteti në qytet me vetëm një person pasagjer, sipas masave të përcaktuara në protokollin specifik për udhëtimin me taksi”, bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Ushtrimi i aktivitetit do të lejohet kundrejt ndjekjes së protokolleve të sigurisë, që nga distancimi fizik e deri tek masat e tjera mbrojtëse kundër përhapjes së virusit. Respektimi i këtyre masave do të mbikëqyret nga task forca që do të ngrihet brenda kësaj jave.
“Çdo biznes i hapur dhe që do të hapet në vijim do të ketë detyrim ligjor zbatimin e protokolleve për sigurinë e punonjësve dhe qytetarëve, ndryshe, do të penalizohet nga struktura e re e Task-Forcës ndërinstitucionale që po ngrihet për garantimin e zbatimit të rregullave të reja”, sqaroi ajo.
Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen monitorues nga Ministria e Shëndetësisë.
Paketa e masave shoqëruese përcakton hapjen graduale, duke marrë një minimum 2-javor nga njëra fazë tek tjetra. Në vendimmarjen për të kaluar nga njëra fazë e planit të hapjes tek tjetra, do të vlerësohen nëse do të ketë rënie të qëndrueshme gjatë dy javëve sa i takon 3 indikatorëve: Rastet ditore të konfirmuara me COVID19, numri i qytetarëve të shtruar në spital dhe rastet në terapinë intensive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




