Futboll

Nga De Liht te Ikardi e Higuain, të gjitha lëvizjet e merkatos në Serinë A

Java e dytë e korrikut pritet të jetë akoma dhe më shumë intensive për klubet italiane në merkato. Janë shumë tratativat që sipas medieve përtej Adriatikut janë futur në faza të avancuara. Pothuaj të gjithë ekipet po lëvizin për të forcuar ekipet e tij. Juventus, Inter, Napoli, Milan, Roma dhe gjithë të tjerat po nxitojnë t’i mbyllin brënda 15 korrikut afrimet që të kenë kohën e duhur për tu përshtatur me grupin e lojtarëve.

Mauro Ikardi, Matiaj De Liht, Gonzalo Higuain, Edin Xheko, Romelo Lukaku, Nikolo Barela, Zaniolo, Pogba, Rodriges janë vetëm disa nga emrat më të përfolur për tu bashkuar ekipeve të sipërpërmendura.

Telenovela Ikardi këtë të shtunë ka marrë një tjetër dimension. Pas Juventusit në garë për shërbimet e argjentinasit që është i padëshiruar te Inter, është futur edhe Napoli. Nënkampionët italian kanë ofruar 60 milionë euro, plus kartonin e Insinje dhe një trajtim mbretëror për Ikardin, pikërisht atë status që ai tashmë e ka humbur në Milano. Me lirimin nga Ikardi, Inter do të nisë operacioni për dy objektiva shumë të rëndësishme. Nikolo Barela dhe Romelu Lukaku janë dy kërkesa të padiskutueshme të trajnerit Konte dhe drejtuesit zikaltër janë të vendosur për t’i marrë në Milano.

Një tjetër emër që del çdo ditë thuajse në gazetat italiane është ai holandezit Matijas De Liht. Shumë pranë Juventusit, talenti i Ajakasit, nëse çdo gjë shkon siç duhet brenda javës që vjen mund të shohim zbarkimin e tij në Torino me fanellën bardhezi. Kampionët italian janë në garë të ethshme edhe për një tjetër emër të talentuar, pikërisht për Zaniolon. Ai shpërtheu edicionin e fundit te Roma dhe Juventus është e gatshme të bëjë çdo sakrificë për të. Paratici ka ofruar Higuain në këmbim të Zaniolo, tashmë pritet përgjigja nga drejtuesit roman.

Napoli nga ana tjetër pasi blindoi mbrojtjen me Manolas dhe Kulibali po kërkon një goditje të madhe në sulm. Preferenca e parë e Ancelotit është Xhejms Rodrigez, por kolumbiani kushton shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë