Ngjarje

Nga bileta elektronike tek çantat jo më të mëdha se një format A4, çfarë duhet të dini para se të futeni në “Air Albania”

Kush do të hyjë brenda stadiumit “Air Albania” për të ndjekur finalen e Conference League do t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë.

Për futjen brenda në stadium, duke nisur nga ora 18:00, ashtu si në të gjitha finalet e UEFAs, tifozët do të jenë të pajisur me një biletë elektronike.

Çdo person që ka biletën, e disponon atë në telefonin e tij inteligjent dhe kjo biletë është e pajisur me një “QR Code”, i cili aktivizohet në pjesën e jashtme të stadiumit dhe në pjesën e brendshme të stadiumit bëhet i vlefshëm.

Çdo tifoz, me këtë biletë është i sigurt që mund të hyjë. Duke qenë elektronike, kjo biletë as nuk mund të kopjohet dhe as nuk mund të falsifikohet.

Por çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet në stadium? Tifozët nuk duhet të kenë çanta më të mëdha se formati i një letre A4 dhe për këtë qëllim do të vendosen dy vende depozitimi çantash, ku njëra do të qëndrojë tek Universiteti Politeknik dhe tjetra te hotel “Rogner”, ku do të ketë vullnetarë që do të kujdesen për këtë pjesë dhe tifozët mund t’i rimarrin pas ndeshjes. Gjëra të tjera që tifozët nuk duhet të kenë me vete janë fishekzjarrët, dritat lazer, shishet e ujit ose pije të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë