Nga Gazeta 'SI' - Punonjësit e administratës dhe kompanive shtetërore nuk do të kenë shpërblime këtë fundvit.
Kështu u vendos në VKM-në e fundit të firmosur nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, ku përcaktohet se “Përjashtimisht, për vitin 2023, fondi i veçantë i institucioneve qendrore buxhetore dhe jobuxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve”.
VKM-ja vlen edhe për ndërmarrjet publike ku shteti mban më shumë se 50% të aksioneve, si ujësjellësat, AlbPetrol, Alb-Kontroll, Aviacioni Civil etj.
Sipas ekspertëve të fushës, ky vendim është reflektim i punës jo produktive të këtyre punonjësve. Gjithsesi nuk ka ende një qëndrim zyrtar.
Nuk është hera e parë që qeveria bllokon shpërblimet për administratën gjatë fundvitit, por ka pasur lidhje me rrethanat. Në vitin 2019, fondi i veçantë shkoi për pasojat e mëdha të tërmetit që ndodhi atë vit në Shqipëri. Vitet pasuese, për shkak të pandemisë, qeveria përgatiti disa paketa sociale ku prioritet ishin profesionet që po përballeshin me luftën e Covid-19, si mjekët dhe bonus përfitoi pothuajse çdo i punësuar.
Sipas dokumentit të buxhetit 2023, këtë vit fondi i veçantë u vendos rreth 300 mln lekë. Prej disa vitesh tashmë, ky fond është reduktuar ndjeshëm nga qeveria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.