Politike

Nga Bardhi, Gjekmarkaj te Tabaku / Kush ishin deputetët e PD që munguan në protestën për Berishën para SPAK (video)

Nga Gazeta ‘Si’- Në protestën e organizuar para SPAK për kreun e PD Sali Berisha, i cili shkoi për të zbatuar masën “detyrim paraqitje”, pasi është nën akuzë për aferën e privatizimit të klubit “Partizani”, ishin një numër i vogël simpatizantësh.

Megjithatë, ajo që u vu re është se kësaj proteste nuk iu bashkua kreu i grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi por edhe një pjesë tjetër e eksponentëve të PD.

Ndër deputetët që munguan në protestën e organizuar para SPAK ishin Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Saimir Korreshi, Dhurata Çupi, Flamur Hoxha, Helidon Bushati, Andia Ulliri etj.

Të pranishëm krah Berishës ishin sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka si dhe Oerd Bylykbashi.

Gjithashtu mes deputetëve të tjerë të pranishëm në mbështetje të tij u vunë re Luan Baçi, Dash Sula, Asllan Dogjani, Ina Zhupa, Edi Paloka, Elda Hoti si edhe ish deputetët dhe anëtarët e Kryesisë Belind Këlliçi e Enno Bozdo.

PD u dërgoi më herët strukturave një njoftim përmes mesazheve në celular, ku iu kërkohej pjesëmarrja në protestë.

“Të dashur miq. Ditën e Hënë, në orën 9:30, të mobilizojmë të gjithë strukturat e degëve për të protestuar përpara SKAP- it, si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politik. Do jemi aty në mbështetje të të drejtës, të ligjit dhe të vërtetës, që është në anën e kryetarit të PD, Prof. Dr. Sali Berisha. Në orën 9:30 përpara selisë së SKAP-it. Faleminderit!”, thuhej në njoftimin e PD drejtuar strukturave.

Në fjalën e tij Berisha sulmoi sërish SPAK-un ndërsa shtoi se prokurorët kërkuan rikthimin e tij me “arrest shtëpie”, pasi “kanë frikë nga e vërteta”.

Ai tha se kreu i SPAK Altin Dumani “fle mbi dosjet e krimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë