Nga Gazeta ‘Si’ – Edhe dikush që nuk e njeh fare operën, mund të dallojë kollaj estetikën e pastër vokale të Juana Shtrepit.
Në sallat e Liceut Artistik të Tiranës, sopranoja shqiptare 27-vjeçare që tashmë këndon në teatrot italiane, kuptoi që kantoja ishte rruga që duhej të ndiqte në jetë. Dashuria për lirikën ishte emëruesi i përbashkët i gjithë pikëpyetjeve të saj nëse duhej ta zgjidhte si profesion.
Në një intervistë për Gazetasi.al ajo rrëfen se ndonëse e pati shumë të vështirë të procesonte shokun kulturor kur u largua për të studiuar drejt Trentos në Itali në moshën 19-vjeçare, ishte magjia e skenës ajo që mbajti gjallë grindin e saj.
“Jam angazhuar që e vogël me muzikën. Dalja ime e parë në skenë ishte tek ‘Gjeniu i Vogël kur isha 6 vjeç. Mësova pianon por tek kantoja erdha hallkë pas hallke sepse më pëlqente lirika. Vendosa të studioja në Itali por ndihesha disi e humbur në një botë aq të madhe sepse është një treg shumë specifik dhe i egër dhe numri i studentëve ishte goxha i lartë. Por duke provuar audicione dhe konkurse e gjeta dalëngadalë rrugën time”, rrëfen Shtrepi për Gazetasi.al hapat e saj të parë si soprano.
Teksa flet, ndërmend një shprehje të Pavarotit: “Pesë minutat pëpara se të dalësh në skenë nuk ia uroj as armikut”. Por sakaq shton se “adrenalina që të japin duartrokitjet në fund justifikon çdo lloj tensioni”.
Ndonëse numëron një sërë debutimesh në role të ndryshme ku ka mishëruar plotësisht personazhet që i është dashur të interpretojë dhe ka fituar mjaft çmime të huaja, ajo thotë se çdo ditë ndihet studente. Pasi çdo ditë i duhet të studiojë.
“Ky profesion është thikë me dy presa por këmbëngulja është një ndër tiparet kryesore të artit. Pjesë e pandarë e rutinës time është studimi përpos ndonjë pauze vokale të nevojshme. Dëgjoj ariet e mia gjithë kohës, shikoj çfarë mund të rregulloj, madje ndihem keq nëse një ditë nuk studioj. Për të qenë një soprano, të duhet çdo ditë coaching. E vetmja monotoni që kam është studimi”, thotë ajo për Gazetasi.al.
“Shtëpia ime e parë është treni sepse jam e angazhuar në shumë konkurse, audicione ose kam provat e operës në shumë skena që janë larg apartamentit tim. Tani jetoj në Verona dhe jo më në Trento aty ku jam edhe diplomuar në Konservator.
Kam ditë kur e humb sensin e kohës për shkak të orareve të gjata në prova. Më ka ndodhur me disa projekte të ngjeshura që të futesha në teatër në mëngjes dhe të dilja dy muaj më vonë”, thotë ajo ndërsa qesh për Gazetasi.al.
Një ndër debutimet që ka shënjuar karrierën e saj është roli i Violetta Valery te “Traviata”.
“Ka arie të caktuara që të prekin aq shumë sa gati nuk i këndon dot dhe shpesh pyes veten nëse do mundem ta interpretoj. Sigurisht, kuptohet që është e gjithë forca e kësaj vepre ajo që të shenjon dhe të përfshin. Të gjitha eksperiencat janë të ve֛çanta por kujtoj edhe rolin e Donna Anna në Teatro Sociale në Trento sepse rikthehesha në qytetin ku unë jam diplomuar dhe opera aty po vinte për herë të parë pas 15 vitesh. Ishte shumë emocionuese”, vijon ajo, ndërsa shton se ndonëse jeton në Itali, përpiqet që të jetë prezente edhe në Shqipëri.
“E shoh gjithmonë të ardhmen mes Italisë dhe Shqipërisë pavarësisht se ky profesion të nxjerr jashtë kuadrove të asaj që ke rezervuar. Këtë vit kam ardhur shpesh pasi kisha shumë projekte. Mora pjesë në konkursin Marie Kraja në opera në mars ku isha e angazhuar rreth 10 ditë me prova. Gjithashtu kam qenë edhe dy herë pjesë e akademisë teatrale kur erdhi Ermonela Jaho për masterclassin”, vijon mandej ndërsa shton se së fundmi është në Tiranë pasi u vlerësua edhe me çmimin MUSA, ku interpretoi e shoqëruar në piano nga pianistja Kristina Petrollari Laço.
Ndryshe nga Shqipëria, ajo tregon se Italia nuk funksionon me kontrata të përhershme.
“Në Itali je freelancer. Agjenda të krijohet hap pas hapi ndryshe nga Shqipëria, ndaj dhe duhet të udhëtoj në skena të ndryshme të botës”, thotë për Gazetasi.al. Ajo shprehet se në një moment të dytë, mund ta marrë në konsideratë edhe mësimdhënien.
“Dashurinë për mësimdhënien e kam të mbrujtur nga pedagogia ime Ema Kançi, që nuk më shkëputet kurrë në asnjë moment. Gjithmonë më ndjek, gjithmonë më jep këshilla. Regjistrimet e para janë për të që t’i marr kritika ose përshtypje. Dhe pavarësisht se kam pedagogë të ndryshëm në Itali, ajo ende më ndjek hap pas hapi. Si në Lice. Kur kisha dyshime të thella, ishte ajo që më shtyu të vazhdoj”, tregon Shtrepi për Gazetasi.al tek shton se i pëlqen të mësojë të tjerët për teknikat e zërit apo qëndrimin e trupit.
“Është një profesion me dritë dhe në fakt në Itali shumë e kanë kthyer në profesion të dytë për shkak se sidomos kur nuk je shumë i afirmuar në treg, nuk je as edhe shumë i paguar. Sipas disa statistikave në Amerikë, vetëm 3% e të intervestuarve arrinin të jetonin si solistë. 97% e kishin profesion dytësor për shkak të të ardhurave jo shumë të mira”, thotë ajo.
Një brengë që e shqetëson është mosinteresi i të rinjve ndaj operës.
“Zakonisht të rinjtë nuk janë shumë të interesuar. Përgjithësisht operën e duan më shumë njerëzit mbi të dyzetat. Shoh që ka një interes në rënie edhe në Itali ndonëse kantoja lirike italiane është shpallur trashëgimi botërore që u ka mbijetuar pesë shekujve”, vëren ajo ndërsa shton se shtysa më e madhe duhet të vijë nga prindërit që t’i shtyjnë fëmijët të duan dhe të vlerësojnë artin që në vegjëli.
Thotë që i pëlqen të mos zhurmojë shumë dhe të jetë kokëulur. Megjithatë, në operat e botës ajo ka zhurmuar tashmë. Çmimet dhe interpretimet e saj flasin shumë për Juanën, si “Një soprano në ngjitje të karrierës në teatrot italiane”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.