Ngjarje

Nga azili politik, strehimi dhe arsimimi, çfarë i pret refugjatët afganë në Shqipëri

E vetmja gjë e sigurt deri më tani është se Shqipëria është rreshtuar në listën e 12 vendeve që kanë pranuar të strehojnë përkohësisht afganistanët, bashkëpunëtor të SHBA dhe NATO-s, që ndihen të rrezikuar nga sundimi i i ri talebanëve.

Ende nuk dihet sesa afganë do të mbërrijnë në Shqipëri ndërsa po bëhen gati disa qendra në Tiranë, Durrës, Berat e deri Lezhë.

Pas takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka foli për strehimin e mijëra afganëve, ndërsa Rama ka rrumbullakosur tre mijë në një intervistë së fundmi për mediat e huaja.

Pyetja e dytë që shtrohet është se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm, që do te ndiqen për akomodimin e tyre.

A kanë të drejtë të dalin jashtë qendrave që u caktohet për banim të përkohshëm, çfarë statusi gëzojnë, sa kohë duhet të qëndrojnë, kush paguan për qëndrimin e tyre, e deri tek pikëpyetja nëse ata mund të kërkojnë azil në Shqipëri nëse SHBA nuk i jep viston përfundimtare për t’i kaluar në anën tjetër të Atlantikut.

Shumica e pyetjeve marrin përgjigje nga ligji për Azilin i miratuar në muajin shkurt të këtij viti, edhe pse nuk dihet se çfarë është bërë për nxjerrjen e akteve nënligjore që detyron zbatimi i tij.

Sipas ligjit, sapo shkel në tokën e Republikës së Shqipërisë, azilkërkuesi duhet të deklarojë qëllimin për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare.

Më pas, transferohet në Qendrën e Pritjes për Azil, ku ka të drejtë të qëndrojë deri në momentin kur merret vendimi përfundimtar.

Kërkuesi në këtë rast mund të akomodohet në Qendrën e Pritjes për Azil, në vendin e përcaktuar nga ministria ose në një vend tjetër sipas dëshirës së tij.

Ai informohet menjëherë, por jo më vonë se 15 ditë nga akomodimi për të drejtat dhe detyrimet të cilat duhet t’i përmbushë në lidhje me kushtet e pritjes.

Atij i sigurohet informacion për organizatat ose personat që ofrojnë ndihmë të specializuar ligjore, si dhe këshillim për kushtet e pritjes, duke përfshirë edhe kujdesin shëndetësor.

Gjatë qëndrimit në Qendër azilkërkuesi mund të bëjë  kërkesë për të qëndruar jashtë saj me shpenzimet e tij, duke dorëzuar paraprakisht adresën e re të banimit, si dhe numrin e kontaktit.

Pas akomodimit në Qendër, kërkuesi fillimisht duhet t’i nënshtrohet vizitës së nevojshme mjekësore.

Vendi apo qendra ku ata do të qëndrojnë përkohësisht duhet të sigurojë kushtet minimale të jetesës, përfshirë: a) akomodimin; b) ushqimin; c) sigurimin shëndetësor; ç) kushtet minimale të higjienës.

Kërkuesi deri në përfundimin e procedurave për përcaktimin e statusit të tij ka të drejtë: a) të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë; b) të përfitojë kushtet minimale të jetesës; c) të ketë kujdesin shëndetësor; ç) të përfitojë shërbimet e kujdesit shoqëror; d) të përfitojë ndihmën juridike të garantuar nga shteti; dh) të ketë akses për arsimim për fëmijët; e) të ushtrojë lirinë e mendimit dhe të besimit fetar; ë) të drejtën për punësim dhe për trajnime profesionale.

Të gjithë përsonave azilantë do tu mundësohen kushtet themelore të jetesës dhe të strehimit, në përputhje me mundësitë ekonomike të vendit.

Secili prej tyre do të pajiset me një dokument për leje të përkohshme qëndrimi, lëshuar nga autoriteti përgjegjës, sipas procedurave të parashikuara nga ligji për të huajt.

Ata gëzojnë gjithashtu të drejtën e posedimit të pasurisë së luajtshme dhe/ose të pasurisë së paluajtshme në kushte të njëjta me personat e huaj. Ndërsa të drejtën për shërbime të kujdesit shëndetësor, për strehim, kujdes shoqëror, për arsim parauniversitar dhe arsim të lartë e kanë në kushte të njëjta si me shtetasit shqiptarë

Në bazë të ligjit për Azilin, atyre u sigurohet strehim për një periudhë deri 2 (dy) vjet, afat i cili fillon nga data e vendimit për njohjen e statusit të refugjatit.

Cdo azilkërkues është i detyruar të bashkëpunojë me autoritetin përgjegjës për azilin dhe refugjatët dhe me autoritetet e tjera shtetërore për një sërë hapash që detyron ligji.

Ata mund të kontrollohen herë pas here nga autoritetet shqiptare madje edhe për sendet që disponojnë.

Atyre mund t’u ofrohet azil politik në vendin tonë nëse ndonjë prej tyre nuk do të përmbushë kriteret për marrjen e vizës së posaçme SIV, pas procesimit të aplikimit nga nëpunësit e ambasadës amerikane.

Afganëve që pritet të vijnë në vendin tonë do t’u duhet të provojnë para autoriteteve amerikane vizë-lëshuese bashkëpunimin me ushtrinë amerikane apo NATO-n në Afganistan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë